Estoni-SHBA marrëveshje për blerjen e sistemeve të avancuara të raketave



Estonia, anëtare e NATO-s, ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të armëve në historinë e saj për blerjen e gjashtë sistemeve të avancuara të lëshimit të raketave nga SHBA-ja.
“Vendi baltik, i cili kufizohet me Rusinë, finalizoi sot marrëveshjen me vlerë mbi 200 milionë dollarë”, njoftoi Qendra Estoneze për Investimet e Mbrojtjes.
Dorëzimi i sistemit të parë të raketave të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë (HIMARS) është planifikuar për vitin 2024. Kontrata përfshin raketa me një rreze veprimi deri në 300 kilometra.
Pushtimi rus i Ukrainës shihet si një kërcënim i rëndë për sigurinë kombëtare në Estoni, duke e nxitur qeverinë të rrisë shpenzimet ushtarake gjatë katër viteve të ardhshme në 2,5% të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB), për të përmirësuar forcat e armatosura.
Dy shtetet e tjera baltike, Letonia dhe Lituania, synojnë gjithashtu të blejnë sisteme raketore HIMARS.
