Ekspertët perëndimorë, të shqetësuar nga tensionet në veri të Kosovës dhe roli i Rusisë në rajon



Pezullimi i përkohshëm për një periudhë 30 ditore nga qeveria e Kosovës i masës së reciprocitetit me Serbinë mund të mos mjaftojë për të zgjidhur dallimet mes Prishtinës dhe Beogradit, thonë ekspertë të sigurisë dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor. Duke folur për Zërin e Amerikës, ekspertët thonë se pas tensioneve të fundit në veriun e vendit fshihet edhe Rusia e cila sipas tyre në përpjekjet për të destabilizuar rajonin, synon të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë.
Ekspertë të sigurisë vlerësojnë se qetësia në veri të Kosovës mund të jetë e përkohshme dhe se situata mund të tensionohet përsëri në shtator.
Ata thonë se nga takimi i paralajmëruar i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel gjatë muajit gusht, nuk pritet ndonjë rezultat konkret për tensionet që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave dhe dokumentetet e identifikimit të lëshuara nga autoritetet serbe.
“Serbët konsiderojnë se për momentin koha është në anën e tyre dhe se janë në një pozicion më të fortë sesa Kosova, qoftë ekonomikisht apo sa u përket aftësive për të nxitur Brukselin, Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin kundër njëra tjetrës. Kjo është diçka që e kemi parë vazhdimisht në çështje të ndryshme. Kjo duket të jetë rruga që Presidenti Vuçiç ka zgjedhur. Ndërsa opsionet për Kosovën janë më të kufizuara”, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës ish-drejtori i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian, Michael Leigh.
Zoti Leigh është studiues i Fondit gjerman Marshall dhe drejtor akademik për Evropën i shkollës së studimeve të avancuara ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.
Më 1 gusht Kosova filloi zbatimin e reciprocitetit me Serbinë, por më vonë, në koordimin me komunitetin ndërkombëtar, e pezulloi atë për një periudhë 30 ditore.
Sipas kësaj mase, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë të zëvendësojnë targat serbe me tabela të përkohshme të lëshuara nga qeveria e Kosovës, diçka që Serbia e ka kërkuar nga makinat që hyjnë nga Kosova në territorin serb gjatë 11 viteve të fundit.
Kosova po ashtu planfikonte që me këtë masë të ndalonte përdorimin e kartave të identitetit të lëshuara nga Serbia gjatë futjes së qytetarëve serbë në kufi, një mekanizëm që Serbia e përdor për qytetarët e Kosovës.
