Ekskluzive për EUNEWS – Deputetja e PS, Luarasi sqaron Ligjin për Barazinë Gjinore: “Asnjë lidhje me 70 gjini apo termin ‘prindi 1’ e ‘prindi 2’”
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka dhënë një prononcim ekskluziv për Eunews.al pas miratimit në Kuvend të ligjit për “Barazinë Gjinore”, duke sqaruar publikun për natyrën reale të këtij ligji dhe duke hedhur poshtë keqinterpretimet e shpërndara në media e rrjete sociale.
Sipas znj. Luarasi, ky ligj nuk ka asnjë lidhje me konceptet e shumëfishta gjinore apo me ndryshimin e terminologjisë familjare si “prindi 1” dhe “prindi 2”, siç është pretenduar nga disa zëra publikë.
“Ky është absolutisht një gënjeshtër. Ligji përdor si përkufizim për gjininë atë që është miratuar nga Parlamenti vite më parë, që nga ratifikimi i Konventës së Stambollit në vitin 2013. Ai flet vetëm për burrin dhe gruan, duke synuar t’i japë gruas pozicionin që i takon në shoqëri,” – u shpreh deputetja Luarasi.
Ajo theksoi se ligji nuk ka lidhje me komunitetin LGBT, por fokusohet në barazinë në paga, mbrojtjen nga dhuna dhe mundësitë e barabarta për gratë në të gjitha fushat e jetës publike dhe ekonomike.
“Ky është një ligj që mbron gratë, që i jep atyre pagë të barabartë për punë të barabartë, që ndalon dhunën dhe abuzimin seksual, dhe që u garanton pozicionin që meritojnë në shoqëri. Ai synon të vendosë partneritet të vërtetë mes burrit dhe gruas, jo ndarje apo kategorizime të rreme,” – shtoi ajo.
Në përfundim të prononcimit të saj, znj. Luarasi nënvizoi se thelbi i ligjit është fuqizimi i gruas si partnere e barabartë në familje dhe në shoqëri, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Nuk duhet të flasim më për qytetarë të dorës së parë e të dytë, por për një familje që ecën me progres dhe me barazi. Ky ligj e çon Shqipërinë drejt standardeve europiane,” – përfundoi deputetja socialiste Iris Luarasi







