Droni rus në hapësirën ajrore rumune, Ministria e Mbrojtjes: Krijon një sfidë të re në rajonin e Detit të Zi
Një dron rus që hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë një sulmi në Ukrainën fqinje dhe qëndroi mbi territorin e shtetit të NATO-s për 50 minuta, përpara se të kthehej sërish drejt Ukrainës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë më 14 shtator.
Dy avionë luftarakë rumunë F-16 e detektuan dronin Geran, ndoqën lëvizjet e tij mbi Rumani mbrëmjen e së shtunës përmes vëzhgimit dhe radarëve, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.
Pilotët e F-16 morën autorizimin nga komandantët e tyre për të qëlluar dronin, por “ata vlerësuan rreziqet kolaterale dhe vendosën të mos hapin zjarr”, tha ministria.
Ky inkursion rriti tensionet rreth shkeljeve të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia, pasi Polonia rrëzoi disa nga 19 dronët rusë që tha se kishin hyrë në territorin e saj më 10 shtator.
Kjo ishte hera e parë që NATO-ja hapi zjarr ndaj fluturakeve ruse që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, duke duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën tashmë të tensionuar mes Moskës dhe aleancës ushtarake perëndimore.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se “dënon fuqishëm veprimet e papërgjegjshme të Federatës Ruse dhe thekson se ato përbëjnë një sfidë të re për sigurinë dhe stabilitetin rajonal në zonën e Detit të Zi”.
“Incidente të tilla tregojnë mungesën e respektit të Federatës Ruse për normat e së drejtës ndërkombëtare dhe vënë në rrezik jo vetëm sigurinë e qytetarëve rumunë, por edhe sigurinë kolektive të NATO-s”, u tha në reagim.







