×
Monday, November 4, 2024

Dritëhijet e Konferencës Botërore të Klimës

December 15, 2019


Prej datës 2 dhjetor po zhvillohet në Madrit Konferenca Botërore e Klimës, por bisedimet duket se nuk po arrijnë në një dakordësi. Ndryshimet klimatike po ndodhin dhe në bazë të Kombeve të Bashkuara, bota është 1.1°C më e ngrohtë se në fillimin e revolucionit industrial, fakt që ka krijuar pasoja në jetën e njerëzve kudo në botë. Samiti i Klimës fokusohet tek detyrimet e lëna nga Marrëveshja e Parisit dhe marrja e angazhimeve nga shtetet për të ulur emetimet e karbonit në zero, para 2050.

Duket se në Konferencë janë krijuar dy fronte, të ashtëquajturit ‘ndotësit më të mëdhenj’ si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Australia, të cilat kërkojnë ‘fleksibilitet’ për sa i përket tekstit final. Ndërsa një grup prej 31 vendesh të drejtuara nga Kosta Rika, Gjermania, Britania e Madhe , Spanja dhe Zelanda e Re hartuan një dokument me indikatorë të qartë të matshëm për tregun e karbonit. Edhe qëndrimi i Bashkimit Europian së bashku me vendet në zhvillim janë në mbështetje të një plani më ambicioz për të adresuar ngrohjen globale.

Ndërkohë që prej dy javësh përfaqësuesit e 200 shteteve po diskutojnë mbi ndryshimet klimatike, jashtë dyerve të Konferencës përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë, studiues e qytetarë shprehen të shqetësuar mbi rrjedhën që po merr Konferenca. Ata shprehen se po dëgjohen më shumë ndotësit e klimës sesa njerëzit që po i vuajnë në përditshmëri efektet e ngrohjes globale. Përfaqësues të organizatave si Jake Schmidt, nga Këshilli i Mbrojtjes së Burimeve Natyrore me qendër në SHBA u shprehën se: “Në Madrid, vendet kryesore ndotëse përgjegjëse për 80% të emetimeve të shkatërrimit të klimës në botë qëndruan të heshtur, ndërsa vendet më të vogla njoftuan se do të punojnë për të zvogëluar emetimet e dëmshme në vitin e ardhshëm.”

Shkencëtarët prej vitesh tashmë kanë dhënë alarmin se nëse nuk merren masa për uljen e emetimeve të karbonit, bota do të ndjejë pasojat e ngrohjes globale ku me miliona njerëz do të preken nga ngritja e nivelit të oqeaneve ku qytete të mëdha si Miami apo Shangai do të ‘zgjohen’ një ditë nën ujë.

Nëse Konferenca Botërore e Klimës nuk do të jape rezultate, Konferenca e rradhës në Britaninë e Madhe do të jetë vendimtare për të kanalizuar përpjekjet për adresimin e krizës klimatike.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments