×
Wednesday, March 22, 2023

Draghi: Vaksinimi i jep fund krizës, të përshpejtojmë procesin

March 8, 2021




Përshpejtimi i fushatës së vaksinimit do t’i mundësojë Italisë të tejkalojë krizën e coronavirusit. Kështu deklaroi të hënën kryeministri Mario Draghi, i cili theksoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për të mbrojtur jetët e njerëzve.

“Ne po përballemi me një përkeqësim të situatës shëndetësore këto ditë. Secili duhet të luajë pjesën e tij në frenimin e përhapjes së virusit. Por mbi të gjitha, qeveria është ajo që duhet të bëjë detyrën e saj. Pandemia nuk është mposhtur, por me përshpejtimin e planit të vaksinave do të shohim se kjo nuk është larg,” – u shpreh kryeministri italian Mario Draghi.

Italia është bërë shteti i shtatë në botë që regjistron mbi 100 mijë vdekje të lidhura me COVID dhe zyrtarët kanë paralajmëruar se vendi përballet me një valë të tretë rastesh, në një kohë kur variantet e reja të virusit po fitojnë terren.

“Detyra jonë, dhe këtu i referohem institucioneve të të gjitha niveleve, është ruajtja me çdo kusht e jetës së italianëve dhe të mundësojmë kthimin sa më parë në normalitet. Çdo jetë ka rëndësi, ndaj mos çoni kohën dëm, mos lini gur pa lëvizur, bëni zgjedhje të menduara dhe të shpejta,” – shtoi më tej Draghi.

Që nga marrja në dorë e qeverisjes së vendit, Draghi është përpjekur të përshpejtojë vaksinimin dhe ka ushtruar presion ndaj kompanive farmaceutike, që të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga kontratat.

Italia, me një popullsi prej 60 milionë banorë, kishte administruar 5.41 milionë doza deri mëngjesin e së hënës, me 1.65 milionë që kanë marrë edhe dozën e dytë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments