×
Tuesday, December 10, 2024

“Doktrina ime për një Europë sovrane dhe me peshë në botë”

November 26, 2020


Ndërsa viti 2020 po mbyllet, me krizat që kanë përfshirë Francë dhe Evropën, presidenti francez, Emannuel Macron, shpjegon në një intervistë elementet kryesore të doktrinës së tij të re mbi çështjet ndërkombëtare.

Viti 2020 po mbyllet. Si ndiheni midis menaxhimit të menjëhershëm të emergjencave, dhe vizionit tuaj afatgjatë?

Ky vit është i karakterizuar nga krizat. Padyshim, nga pandemia Covid-19 por edhe terrorizmi, që është rikthyer me forcë të madhe muajt e fundit në të gjithë Evropën. Unë i referohem në veçanti këtij terrorizmi, të quajtur Islamist, por që është në emër të një ideologjie që shtrembëron një fe.

Këto kriza vijnë krahas të gjitha sfidave që kemi pasur tashmë:ndryshimi i klimës, biodiversiteti, lufta kundër pabarazive, si dhe transformimi i madh dixhital. Përballë tyre ne duhet të rikrijojmë format e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ne nuk do ta mundim pandeminë dhe këtë virus, në rast se nuk bashkëpunojmë. Edhe nëse disa njerëz zbulojnë një vaksinë, nëse ajo nuk shpërndahet në të gjithë botën, virusi do të rikthehet në vende të ndryshme. Ndaj për mua, objektivi i parë ndërkombëtar është të kërkoj mënyra për të bashkëpunuar në mënyra të dobishme.

Na duhen dy parime të forta udhëzuese:të rikthehemi në rrugën e duhur me një bashkëpunim të dobishëm ndërkombëtar që parandalon luftën dhe adreson sfidat tona aktuale; dhe të ndërtojmë një Evropë shumë më të fortë, zëri, forca dhe parimet e së cilës mund të kenë peshë në këtë kornizë të reformuar.

Në lidhje me Evropën gjeopolitike:Cili përkufizim konkret qëndron pas idesë së sovranitetit, autonomisë strategjike të saj?

Evropa nuk është vetëm një treg i përbashët. Ne nuk e kemi konceptuar Evropën si një hapësirë politike. Ne nuk i kemi menduar plotësisht të gjitha çështjet social që na bëjnë një hapësirë ​​të bashkuar. Evropa duhet ta rimendojë veten politikisht dhe të veprojë politikisht për të përcaktuar objektivat e përbashkëta, që janë më shumë sesa thjesht delegimi i së ardhmes sonë tek tregu.

Në terma konkretë, kjo do të thotë që Evropa të ndërtojë zgjidhjet e veta në mënyrë që të mos varet nga teknologjitë amerikane ose kineze. Nëse jemi të varur prej tyre, për shembull në telekomunikacion, nuk mund t’u garantojmë qytetarëve evropianë fshehtësinë e informacionit dhe sigurinë e të dhënave të tyre private, sepse nuk e kemi këtë teknologji.

A mund të shkojmë aq larg sa të flasim për një sovranitetin evropian, siç kam bërë edhe vetë? E pranoj është një term paksa i tepruar, sepse nëse do të kishte sovranitet evropian, do të kishte një fuqi politike evropiane plotësisht të vendosur. Nuk jemi ende në atë pikë.

Kemi një Parlament Evropian që mbron përfaqësimin e qytetarëve evropianë. Por mendoj se këto forma të përfaqësimit nuk janë plotësisht të kënaqshme. Kjo është arsyeja pse kam mbrojtur me forcë idenë e listave transnacionale, domethënë shfaqjen e një populli të vërtetë evropian që mund të marrë formë.

Shpresoj që zgjedhjet e ardhshme të na lejojnë që ta bëjmë këtë. Nëse do ta donim sovranitetin evropian, pa dyshim do të kishim nevojë për udhëheqës evropianë të zgjedhur plotësisht nga populli evropian. Gjithsesi, jam i sigurt për një gjë:ne nuk jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata janë aleatët tanë historikë. Ashtu si ata, ne e çmojmë lirinë, çmojmë të drejtat e njeriut, kemi lidhje të thella. Por për shembull ne kemi një preferencë për barazinë, e cila nuk gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vlerat tona nuk janë krejtësisht të njëjta.

Ne kemi edhe një botëkuptim tjetër, që është i lidhur me Afrikën, Lindjen e Afërt dhe të Mesme, dhe kemi një gjeografi të ndryshme, që mund të thotë që interesat tona nuk janë të njëjta. Dhe ajo që po them, është edhe më e vërtetë për Kinën.

Ndaj besoj që koncepti i autonomisë strategjike evropiane ose sovranitetit evropian është shumë i fortë, gjë që thotë se ne jemi një hapësirë ​​kohezive politike dhe kulturore, se u detyrohemi qytetarëve tanë të mos varen nga të tjerët, dhe se ky është kushti për të pasur ndonjë peshë në koncertin e kombeve sot.

A ka ndonjë perspektivë të mirë për këtë vizion?

Nuk jam aq i sigurt. Kur e prezantova idenë time në një fjalim në Universitetin e Sorbonës, shumë njerëz thanë:Nuk do të ndodhë, është një tekë e francezëve. Por 3 vjet më vonë, në mbrojtjen evropiane, ne kemi një Fond Evropian të Mbrojtjes, një bashkëpunim të strukturuar, dhe një nismë ndërhyrje me gati 10 vende pjesëmarrëse.

Në teknologji, gjërat kanë evoluar që kur kemi prezantuar idenë e një 5G evropiane, dhe Gjermania po na bashkohet në këtë nismë. Pra, në realitet ne po e ri-mendojmë sovranitetin tonë në fushën e teknologjisë. Edhe kriza shëndetësore, na ka bërë që të ri-mendojmë sovranitetin tonë në fushën e kujdesit shëndetësor dhe industrisë shëndetësore.

Kur e gjithë Evropa ka nevojë urgjente për doreza dhe maska, që të gjithë e kuptojmë se ato duhet t’i prodhojmë sërish në Evropë. Në lidhje me çështjet financiare, na u desh pak kohë, por në qershor 2018 ne nënshkruam Marrëveshjen Meseberg me Gjermaninë për një kapacitet të përbashkët buxhetor, për t’u marrë me çështjet e pavarësisë ekonomike dhe financiare të Evropës.

Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në lidhje me zgjedhjet gjeopolitike – ju e shihni që ne kemi dallime në raport me Rusinë dhe Turqinë – apo në lidhje me forcën e këtyre përgjigjeve. Por unë besoj se gjërat kanë filluar të përmirësohen.

Ju folët për bashkëpunim të suksesshëm dhe për shumë përparime. Kina ka këtë projekt gjigant, atë të Rrugës të Re të Mëndafshit, por edhe një vizion i madh mbi të ardhmen. Cila është ëndrra evropiane, projekti i madh evropian?

Aktualisht në Evropë ekziston një krizë morale, pasi ajo ka zhvilluar gjithë ato beteja historike, përfshirë luftën kundër barbarisë dhe kundër totalitarizmit. Cilat janë betejat bashkëkohore të Evropës? Ka një përpjekje pozitive, për ta bërë Evropën fuqinë kryesore në arsim, shëndetësi, politikat dixhitale dhe ekonominë e gjelbër.

Këto janë katër betejat kryesore, dhe ëndrraime janë investimet masive në këtë drejtim. Unë mendoj se ne kemi plotësisht mundësinë për ta bërë këtë gjë. Dhe plani i rimëkëmbjes që kemi vendosur, është një hap në këtë drejtim, ashtu si politikat tona kombëtare.

Ky është objektiv që do të ndryshojë shumë gjëra. Mendoj se prej tij mund të presim një ndikim global. Për mua ekziston një sfidë e dytë. Evropa duhet të marrë pishtarin e vlerave të tyre. Ato janë duke u braktisur kudo. Lufta kundër terrorizmit dhe islamizmit radikal, është një luftë evropiane, një luftë për vlerat.

Ajo është një luftë që na takon ne, dhe në thelb unë mendoj se kjo luftë sot është kundër barbarisë dhe errësirës. Kjo është ajo që po ndodh. Nuk është aspak një përplasje civilizimesh, pasi unë nuk e mbështes këtë teori, pasi nuk ka të bëjë me një Evropë të krishterë përkundrejt botës myslimane.

Evropa ka rrënjë Judeo-Kristiane, ky është një fakt, por që ka ndërtuar dy gjëra: bashkëjetesën e feve dhe shekullarizimin e politikës. Këto janë dy nga arritjet e Evropës.

Ne jemi një vend i lirë, ku asnjë fe nuk kërcënohet apo është e padëshirueshme.

Unë dua që të gjithë qytetarët të jenë në gjendje të praktikojnë besimin e tyre siç dëshirojnë. Sidoqoftë, ne jemi gjithashtu një vend ku të drejtat e Republikës duhet të respektohen në mënyrë të përsosur, pasi ne jemi së pari dhe më kryesorja qytetarë.

Falë këtij statusi, kemi të drejta:lirinë e shprehjes, të bërjes së karikaturave. Lufta e brezit tonë në Evropë, do të jetë një luftë për liritë tona. Pasi ato po përmbysen. Sigurisht nuk do të ketë një ri-shpikje të iluminizmit, por ne do të duhet ta mbrojmë Iluminizmin kundër errësirës. Kjo është e sigurt.Geopolitique.eu

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments