Dita e 12-të e luftës në Ukrainë/ Përfundon raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi
Sot lufta Rusi-Ukrainë ka hyrë në ditën e 12-të, ndërsa ende nuk ka shenja paqeje. Herët në mëngjes, perëndimi i Kievit është goditur nga luftime të ashpra ajrore ruse. Këtë të hënë pritet dhe raundi i tretë i bisedimeve mes dy palëve, ndërsa nuk është dhënë asnjë detaj deri më tani.https://7351e19eafa8cb9c40425878f1b3e22f.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
22:18 Çfarë dihet për luftën e Rusisë në Ukrainë
Sulmi rus kundër Ukrainës hyri në ditën e tij të 12-të pas atyre që autoritetet ukrainase i përshkruan si bombardime të intensifikuara të qyteteve të rrethuara dhe një tjetër përpjekjeje të dështuar për të nisur evakuimin e qindra mijëra civilëve nga zonat e rrethuara nga forcat ruse, duke përfshirë portin jugor të Mariupolit.
20:52 Ukraina i bashkon të gjithë! Kuvendi shqiptar miraton rezolutën me 123 vota pro
Deputetët e parlamentit të Shqipërisë kanë rënë dakord për të votuar rezolutën që dënon sulmin e ushtrisë ruse në Ukrainë. Rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste u miratua me 123 vota pro. Në shenjë simbolike, disa deputetë kishin veshur bluza që kishin flamurin e Ukrainës dhe Shqipërisë.
20:28 Rusët paralajmërojnë raund të katërt negociatash me Ukrainën
Një raund i katërt negociatash me Ukrainën pritet të zhvillohet sërish brenda pak ditësh , thotë një negociator rus, raporton Reuters.
20:27 Negociatori ukrainas kërkon ndalimin e sulmeve ndaj civilëve
Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak i kërkon Rusisë të ndalojë sulmet ndaj civilëve, pa nisur ende raundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës.
20:13 Kosova do të strehojë ukrainasit/ Do të vendosen edhe 20 gazetarë ukrainasdo të punojnë nga Prishtina
Nga fillimi i luftës në Ukrainë mbi një milionë qytetarë janë larguar nga vendlindja e tyre. Kosova është rreshtuar krahas vendeve të tjera evropiane për të pritur refugjatët ukrainas. Me një rezolutë të miratuar në Kuvendin e Kosovës, vendi hapë dyert për 5000 refugjatë. Qeveria e Kosovës thonë se ende nuk ka ndonjë numër e kohë të caktuar të atyre që pritet të vijnë.
19:40 Fëmijët shtrëngohen pas prindërve mes lotësh/ Pamjet rrënqethëse nga largimi i ukrainasve nga lufta
Lufta Rusi-Ukrainë shënon sot ditën e 12-të, ndërsa e vetmja zgjdhje është largimi nga vendi. Pamjet flasin vetë, të vdekur, banesa të shkatërruara, qytete të braktisura, largime masive. Largimet masive nuk kanë reshtur që nga dita e parë e luftës, pavarësisht rrezikut se mund t’i kapnin plumbat rusë gjatë rrugës.
19:00 Përfundon raundi i tretë i bisedimeve Ukrainë-Rusi
Raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë i mbajtur në Bjellorusi përfundoi, pas më pak se tre orësh. Zyrtarët rusë janë shprehur se do diskutohet sërish për armëpushim për largimin e civilëve. Kujtojmë se raundi i parë i bisedimeve u mbajt më 28 shkurt dhe i dyti më 3 mars në Bjellorusi.
18:47 Forcat ruse sulmojnë konsullatën shqiptare në Kharkiv
Ushtria ruse ka sulmuar edhe konsullatën shqiptare në Kharkiv. Lajmi u bë me dije nga Ministria e Punëve të Jashtme për Evropën. Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një mesazhi në Twitter, duke dënuar sulmin.
18:17 Në dy javë mbi 1 milion qytetarë largohen nga Ukraina
Nga fillimi i pushtimit rus, më shumë se një milion e gjysmë njerëz janë larguar nga Ukraina. Krahasuar me vitin 2015 që shënoi një nga flukset më të mëdha të emigrantëve shkaktuar nga lufta në Siri, ku 1.3 milionë njerëz mbërritën në Evropë brenda një viti. Në dy javë, më shumë se dyfishi i njerëzve që mbërritën në Itali nga deti në tetë vitet e fundit, u larguan nga Ukraina.
18:14 Ushtria ruse vret kryetarin e një bashkie në Ukrainë
Ushtria ruse ka qëlluar për vdekje kryebashkiakun e Hostomelit, siç raportojnë zyrtarët në Ukrainë. Hostomel është një qytet pranë Kievit, dhe aty fushë ajrore që ka shërbyer si pikë strategjike për Ukrainë, që ndodhet në ditën e 12-të të pushtimit rus.
18:02 Heronjtë e heshtur të Ukrainës në ndihmë të civilëve
Ushtarët janë ata që u kanë ardhur në ndihmë qytetarëve në këto ditë rreziku. Janë ata të cilët kanë udhëhequr disa prej evakuimeve ku disa prej tyre u ndërprenë për shkak të sulmeve. Në këto kohë kanë harruar veten e tyre dhe primare janë qytetarët ukrainas.
18:00 OKB: Mbi 406 civilë të vrarë në Ukrainë
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se janë mbi 406 civilë të vdekur nga sulmet ruse në Ukrainë, ndërsa jemi në ditën e 12-të.
14:48 Shqipëria pjesë e listës së vendeve armike të Rusisë
Rusia ka miratuar të hënën një listë të vendeve dhe territoreve që kryejnë veprime “jomiqësore” kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj. Në listën e shpallur, renditen shtetet që vendosen ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të pushtimit në Ukrainë. Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria. Lista përfshin SHBA-të, Kanadanë, vendet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Shqipërinë, Andorrën, Islanden, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marinon, Maqedoninë e Veriut. Nuk mungojnë as Japonia, Korea e Jugut, Australia, Zelanda e Re, Singapori dhe Tajvani.
14:35 Caritas ngre alarmin: 100 mijë fëmijë jetimë në Ukrainë
Një sirenë alarmi është ngritur nga Caritas për fëmijët jetimë në Ukrainë. Numri i tyre ka shkuar në 100 mijë. Disa janë braktisur nga prindërit dhe disa të tjerëve u janë vrarë. Mësohet se dhjetëra shoqata polake u aktivizuan për ditë të tëra, për të organizuar transportin e tyre me trena dhe autobusë, në përpjekje për t’i nxjerrë jashtë vendit. Mijëra fëmijë kanë mbërritur tashmë në Poloni dhe qeveria, në bashkëpunim me Caritas-in, kanë ngritur një qendër në jug të vendit ku fëmijët regjistrohen dhe më pas strehohen në zona të ndryshme të Polonisë.
14:07 Zelensky bën thirrje për bojkot të naftës ruse
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në konferencën e tij ditore ka bërë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë. Ai tha se pushtimi i vazhdueshëm i forcave ruse në ukrainë tregon se Rusia nuk ka braktisur planet e saj kundër Ukrainës.
13:12 Ministri i Jashtëm i Rusisë do të takohet me homologun ukrainas
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov pritet të takohet të enjten në Antalia të Turqisë me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Këtë njoftim e ka bërë me dije ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, në një deklaratë të shkurtër për mediat të hënën, duke shtuar se edhe ai do të marrë pjesë në takimin
12:59 Australia paralajmëron Kinën: Kujdes, po ndoqe rrugën e Rusisë…
Kryeministri Australian, Scott Morrison foli më herët për Rusinë dhe Ukrainën, por e përdori këtë konflikt edhe si paralajmërim të qartë për vendet e tjera lidhur me kërcënimin që paraqet sipas tij Kina.
12:48 Admirali britanik: Gjendja e ushtrisë ruse skandaloze
Forcat e ‘sfilitura’ të Vladimir Putinit mund ta humbasin luftën në Ukrainë, thotë një komandant i lartë ushtarak në Mbretërinë e Bashkuar. Admirali Sir Tony Radakin analizon situatën e ushtrisë, dhe del në përfundimin se gjendja e trupave të Moskës është shumë e keqe e pushtimi “nuk po shkon aspak mirë”.
12:45 Ukraina merr rreth 20 mijë raketa nga SHBA dhe vendet e NATO-s
Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s i kanë dërguar Ukrainës deri më tani 17,000 raketa antitank dhe 2 mijë raketa anti-ajrore, tha një zyrtar i lartë amerikan për CNN.
12:38 Luftime të ashpra rreth Kievit
Luftime të ashpra janë shënuar herët në mëngjes në një hapësirë të madhe nga veriu në perëndim të Kievit. Sipas raportimeve armiku është duke shkatërruar Bucha-n, Hostomel-in, Vorzel-in dhe Irpin-in.
12:23 Rusia kërcënon Gotlandin, suedezët: Na fusni në NATO
Lufta e Ukrainës ka ringjallur frikën e vjetër prej Rusisë në Suedi, e sidomos në ishullin e saj strategjik të Gotlandt. Nuk i dihet kurrë se çfarë ndodh, thonë banorët e shqetësuar, disa prej të cilëve kanë nisur të grumbullojnë ushqime e të interesohen për strehimet më të afërta anti-ajrore.
11:44 Historia që fshihet pas fotos së familjes së vrarë në Irpin
Të hënën, faqja e parë e Nju Jork Times dhe shumë gazetave të tjera italiane dhe ndërkombëtare si Repubblica, La Stampa dhe El Pais publikuan një seri fotosh që tregonin një familje ukrainase të vrarë nga një predhë artilerie.
11:36 “Luftë dixhitale ndaj Rusisë!”, zbulohet hapi i radhës nga ministri ukrainas
Ministri ukrainas Mykhailo Fedorov nuk ka ndenjur duarkryq ndërkohë që vendi i tij përfshihet nga bombardimet e vazhueshme nga sulmet ruse. Nga streha e tij nëntokësore në një vend sekret në Kiev, siç raporton BBC, Fedorov po bën një luftë dixhitale kundër Rusisë, duke përdorur armën e tij të preferuar, mediat sociale.
11:30 Kina: Jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë Rusinë me Ukrainën
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se Pekini është i gatshëm të ndërmjetësojë Rusinë dhe Ukrainën. Wang nuk dha detaje të mëtejshme se çfarë nënkuptonte me rolin e ndërmjetësimit, apo nivelin e përfshirjes së mundshme të Kinës.
11:28 Rusia kërkon armëpushim/ Ukrainasit nuk e besojnë
Mediat shtetërore ruse raportuan se Moska do të hapë korridorë të rinj humanitarë në disa qytete ukrainase gjatë ditës së sotme, për t’i lejuar civilëve evakuimin. Në njoftimin e ministrisë ruse të mbrojtjes përmenden disa qendra të banuara të rëndësishme si Kievi, Kharkivi, Sumy e Mariupoli. Por nga ana e ukrainasve, ka vetëm heshtje. Pohimet e Moskës janë pritur me skepticizëm, e jo pa të drejtë.
10:02 Autoritete ukrainase: 8 të vrarë në Kharkiv gjatë 24 orëve të fundit
Shërbimi i Urgjencës i Ukrainës ka njoftuar se të paktën 8 persona kanë vdekur si rezultat i bombardimeve ruse të zonave të banuara në qytetin verilindor të Kharkivit gjatë 24 orëve të fundit.
09:47 Koridoret humanitare/ Ukraina reagon pas deklaratës së Rusisë
Ukraina ka thënë se propozimi i Rusisë për korridoret humanitare që çojnë refugjatët në Bjellorusi ose Rusi ishte “plotësisht imoral”. Një zëdhënës i presidentit ukrainas tha se qytetarët ukrainas duhet të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre përmes territorit ukrainas.
09:31 Kina do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka njoftuar se Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën. Ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e bisedimeve diplomatike, ai theksoi se miqësia e Kinës me Rusinë është “e fortë” dhe perspektivat për bashkëpunim janë shumë të gjëra.
09:18 Ministria e Jashtme ruse akuzon Greqinë për fushatë kundër Rusisë
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova në një postim të saj në faqen e ambasadës ruse në Facebook, ka akuzuar Greqinë, ku sipas saj, po zhvillohet një fushatë e paprecedentë antiruse, duke theksuar ndër të tjera se “zyrtarët e lartë të Athinës i lejojnë vetes të bëjnë akuza të rënda kundër Rusisë dhe lidershipit të saj”.