×
Sunday, September 19, 2021

Digjitalizimi dhe Posta Hibride: Transformimi i shërbimit postar dhe financiar shqiptar, jo bankë

August 14, 2021

Nga Gjergji HAMITI

Drejtor i Drejtorisë së Marketingut

Posta Shqiptare Sh.a.

Revolucioni teknologjik që ka nisur prej disa dekadash nuk ka më një objektiv final, por është shndërruar në një proces evolutiv transformimi për gjithë ekosistemin e novatorëve. Nga ana tjetër, pandemia thjesht sa rriti vrullin e këtij proçesi, duke bërë që edhe në vende me kulturë tradicionale të konsumatorit e protektive ndaj status-quos së kërkesës së tregut, të mos jetë e vështirë hapja drejt proceseve digjitalizuese.

Janë këto ndryshime epokale që kanë ndikuar në avancimin e njerëzimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të përditshëm, duke përfshirë mënyrën e jetesës, të komunikimit  dhe pse jo edhe mënyrës së të bërit biznes. Për rrjedhojë, këto zhvillime në sferën e ekonomisë botërore dhe tregjeve globale kanë ndikuar padyshim edhe vizionet dhe strategjitë e korporatave lokale për të ardhmen.

Në vendin tonë, rasti më klasik i kësaj sfide është ai koporatës më të madhe dhe të vjetër shqiptare të shërbimeve postare dhe financiare, jo bank, Postës Shqiptare. Në kohë pandemie, kjo korporatë riktheu vemendjen e qytetarëve, biznesit dhe institucioneve për rëndësinë e saj strategjike në një moment kritik për vendin. Përmes shtrirjes dhe kapaciteteve të saj distribuese, në një hark kohor prej vetëm 3-4 muaj postierët arritën të shpërndanin rreth 1.5 milionë pensione në banesa. Ky shërbim vazhdon të kryhet edhe sot për 160 mijë pensionistë, përkundrejt një tarife shërbimi të orientuar drejt kostos.

Por cilado qoftë fuqia e shtrirjes territoriale, kapacitetet e saj logjistike dhe vet pesha e Postës Shqiptare për konsumatorin vendas, kjo nuk mjafton nëse do të mbash pozicionin e luanit në treg në këtë epok evolucioni. Vizioni për hedhjen në treg të aplikacionit për kryerjen e pagesave elektronike “e-Posta”, platformës tregtare “Posta Retail Outlet” dhe së fundi edhe futja e teknologjisë së Postës Hibride, e ka bërë këtë dinozaur 109 vjeçar të ripërtërihet, duke iu përgjigjur ofertës ndaj tregut në zhvillim, por njëkohësisht të ruaj dhe fondamentet e vazhdimësisë e tij.

Por sa e lehtë është për një korporatë të ashtuquajtur tradicionale në një treg pjesërisht tradicional ky adaptim i ri?

Sipas Sondazhit Global të Findex, më pak se 7 për qind e shqiptarëve raportojnë se kanë përdorur internetin për të blerë një produkt në këtë platformë gjatë vitit 2019. Por, ndonëse nuk kemi një shifër konkrete për vitin që lamë pas, mendohet se në 2020 dhe 2021, kjo përqindje është rritur ndjeshëm për vetë arsyen se pandemia solli në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë e proceseve digjitalizuese, pagesave dhe transaksioneve online, si dhe avancimin e mëtejshëm në blerjet dhe tregtinë elektronike (e-commerce).

Ajo i dha fund dilemës së kompanive tradicionale shqiptare për ndryshim të mënyrës së orientimit të tyre ndaj tregut dhe konsumatorit. Përballë kësaj krize financiare dhe humanitare, siç ishte Covid-19, e ndikuar edhe nga kufizimet e aktiviteteve ekonomike dhe ndalimit të shërbimeve postare ndërkombëtare, Posta Shqiptare sh.a. pa asnjë mëdyshje kapitalizoi momentin duke u fokusuar më së shumti në tregun e brendshëm postar e financiar, si dhe nxiti investimin në vizionin e saj për të konsoliduar infrastrukturën digjitale dhe të tregtisë elektronike.

Investimet në platformën Gateway u lejon palëve të treta (të cilat janë kryesisht institucione financiare dhe banka) të lidhen në mënyrë të sigurtë me sistemin e Postës Shqiptare. Nëpërmjet 533 zyrave postare në të gjithë vendin, shërbimet bankare kanë mundësi të penetrojnë edhe në zonat më të thella të Shqipërisë, ku bankat e nivelit të dytë apo institucionet mikro-financiare nuk kanë mundur të jenë prezentë më parë.

Sot mund të kryesh transferta cash to cash brenda dhe jashtë vendit, me komisionet më të ulëta në treg, edhe në zyrën postare më periferike të vendit, të aplikosh për marrjen e një mikro-kredie, të bësh disbursim fondi apo të arkëtosh këste kredie në lekë apo euro për banka të nivelit të dytë, sipas marrëveshjeve të Postës me këto institucione financiare.

Nga ana tjetër, pajisja me licencën e parasë elektronike nga Banka e Shqipërisë i hap rrugën e këtij institucioni drejt zgjerimit të ofertës për konsumatorin përmes një pakete edhe më të gjerë shërbimesh bankare siç është krijimi i portofolit e-Wallet për çdo klient të saj.

Hedhja në treg e aplikacionit të pagesave online “e-Posta” nga Posta Shqiptare për t’u ardhur në ndihmë klientëve individë/biznes në kryerjen pagesave utilitare (ujë, drita, tatime, dogana dhe gjoba, rimbushje të celularit apo pagesën e regjistrimit në kopësht/çerdhe) nëpërmjet kartës bankare apo shërbimit e-Wallet i cili mund të krijohet në çdo zyrë postare në vend, nuk duhet të shihet thjesht si një alternativë tjetër në tregun e bankingut, por si një mundësi dhe moment emergjent për të edukuar sjelljen e konsumatorit edhe për ato segmente tregu të paarritshëm më parë nga sektori bankar dhe financiar shqiptar.

Aplikacioni i Postës Shqiptare “e-Posta” i shërben qytetarëve dhe biznesit për të kryer pagesa në kohë reale pa komision transfertash për disa shërbime utilitare ose me komisionet më të ulëta në treg për disa të tjerë. Njëkohësisht ai gjurmon në kohë reale edhe objektet postare duke mos ofruar thjesht shërbime financiar por edhe postar.

Sot nuk është më e nevojshme që një qytetar të mbajë më radhë me librezën e dritave në dorë pranë një zyre postare duke humbur kohë dhe durimin në një pritje të gjatë. Kjo pasi ai ka mundësi që këtë shërbim ta bëjë vetëm me një klik përmes aplikacionit mobile që mund të shkarkohet falas në platformën App Store apo Google Play nga çdo telefon smarphone, apo edhe në desktop.

Për të përmbyllur të gjithë ciklin e infrastrukturës së tregtisë online, Posta Shqiptare ndërtoi platformën e tregtisë elektronike të dyqanit online “Posta Retail Outlet”, ku përpos saj në ndihmë të biznesit vjen edhe magazina doganore e sapo kompletuar, një hapësirë e madhe stoku për ato kompani që kërkojnë lehtësirat e duhura për minimizimin e kohës dhe kostos së shpërndarjes së produkteve të tyre në tregun vendas dhe atë rajonal.

Së fundi, jetësimi i konceptit të Postës Hibride është një tjetër aspekt novator i cili është një shërbim elektronik postar që ndërthur postën e thjeshtë me postën elektronike, duke e ngritur shërbimin ndaj tregut në një nivel tjetër. Mjafton që materiali t’i dërgohet zyrës postare ku ka adresën pritësi, në Shqipëri ose jashtë saj, nëpërmjet postës elektronike (e-mail) dhe mandej ai përpunohet nga makineria dhe konvertohet në objekt postar.

Një ndër aspektet e preferuara që ky shërbim i teknologjisë së lartë ofron për biznesin duke i kursyer atij kohë dhe para është ai i lëshimit të faturave. Me të dërguar të dhënat përmes postës elektronike, të dhënat e faturës adjustohen, printohen dhe perforohen (zarfohen), e më pas shpërdahen në destinacionin final. Kjo makineri e teknologjisë së lartë ka kapacitet printimi prej 140 mijë fatura në 24 orë. Me fjalë të tjera Posta Hibride bashkon fizikisht edhe në form digjitale shitësin dhe blerësin, biznesin dhe konsumatorin, shtetin dhe qytetarin, duke e transformuar komunikimin ndërmjet tyre në një standard bashkëkohor.

Shprehja se e ardhmja i përket “e-commerce”, nuk është më një nocion futurist. Ky akt tanimë është vënë në skenën e arenës globale. Ndërkohë që pandemia e bëri këtë realitet edhe më të mundur duke treguar se konsumatori, edhe ai më tradicionali, arrin të përshtatet shpejt dhe madje me ritme mbresëlënëse. Ndaj sot sfida e çdo sipërmarrje të vogël apo korporate gjigande nuk mund të jetë peng i burokracive apo mentalitetit konvencional. Ajo duhet të përqafojë me kurajo misionin novator edhe në momentet më të vështira. Vetëm vizioni për t’u adaptuar me këtë treg në zhvillim do të mund të na nxjerrë në ujëra të qeta, në të kundërt do të mbetemi pas si një relikë e gëlltitur nën oqeanin e historisë.

Eunews.al

Comments are closed.