×
Sunday, October 24, 2021

Diasporat shqiptare, boshnjake dhe malazeze në SHBA, shqetësim për veprimet e Serbisë

October 12, 2021

Përfaqësues të diasporave shqiptare, boshnjake dhe malazeze në Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër përfaqësuesve të Kongresit amerikan dhe administratës së presidentit Biden ku shprehin shqetësimin për veprimet e Serbisë dhe bëjnë thirrje për angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Organizatat dhe veprimtarët nga këto komunitete shprehin alarmin për atë që ata e quajnë rritje të “militantizmit të qeverisë së Serbisë” ndaj Kosovës, por gjithashtu edhe ndaj Bosnje -Hercegovinës dhe Malit të Zi.

“Ne besojmë se kjo është një çështje shqetësuese për Shtetet e Bashkuara sepse rrezikon drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe me atë paqe në Evropë në tërësi”, thuhet në .

“Ne pamë si përfaqësues organizatash dhe individë që e kemi një rrezik të përbashkët, e kemi një shtet që po çrrënjos paqen dhe stabilitetin e arritur në Ballkan dhe mbase kjo formë e bashkëpunimit ku gjithë komunitetet e shprehin qartazi këtë fakt, do të mund të kishte edhe vëmendje më shumë, por në fakt do të mund të tregonte një të vërtetë pak më qarazi për të tjerët, sidomos në këtë rast për Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë”, tha për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës, një nga nënshkruesit e letrës, veprimtari Drilon Gashi në Uashington.

Në letër thuhet se ngjarjet më shqetësuese ndodhën së fundmi në Kosovë, ku “ku tanket serbe, avionët luftarakë dhe automjetet e blinduara u vendosën në afërsi të kufirit me Kosovën”, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për target nga qeveria e Kosovës.

Pas vendosjes së kësaj mase, tensionet përfshinë veriun e Kosovës pasi serbët lokalë dhe Beogradi reaguan me zemërim. Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë, duke bllokuar dy pikëkalime kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake. Forcat policore dhe ushtarake serbe u mobilizuan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.

“Në lidhje me Kosovën ne shohim se duhet një përfshirje më e madhe amerikane për ta ruajtur paqen dhe sigurinë e arritur në rajon. Kjo do të thotë përfshirje në procesin e dialogut që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë. ‘Mirëpo për rajonin më gjerë kërkon një ambicje më të madhe për anëtarësimin më të shpejtë sidomos të Kosovës dhe Bosnjes në NATO”, tha zoti Gashi.

Ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriç tha në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës thotë se letra nuk përfaqëson domosdoshmërisht pozicionin e shumicës.

“Jam i bindur se deri në fund të vitit do të kemi më shumë letra ndaj Kongresit me një numër shumë më të madh nënshkruesish që do të përqëndrohen në tema pozitive nga marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në përgjithësi bashkëpunimin në rajon”.

Por zoti Gashi thotë se letra vjen pas një sërë episodesh që siç thotë ai tregojnë se Serbia ka kontribuuar në ngritjen e tensioneve në rajon.

Letra përmed si shembuj të përshkallëzimeve në Mal të Zi, tensionet që shoqëruan shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe dhe përpjekjet e anëtarit serb të presidencës shtetërore të Bosnjës Milorad Dodik,aleat i Presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të bojkotuar institucionet shtetërore të Bosnje-Hercegovinës, pas imponimit të një ligji kundër mohimit të gjenocidit nga Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare.

“Veprimet e tyre janë më tepër për një krijim, të një botë serbe, një hapësire të përbashkët serbe që do të minonte drejtpërdrejt sovranitetin e Kosovës, atë të Mali të Zi dhe atë të Bosnjës. Kështuqë në fakt e kemi një shpërputhje mes asaj që deklaron Beogradi dhe si vepron politikisht në Ballkan, sidomos ndaj tre shteteve të komuniteteve të u bashkuan në këtë letër”, thotë zoti Gashi.

Ambasadori Gjuriç e hodhi poshtë idenë e një ideologjie të “një bote serbe”, sipas së cilës “Serbia dëshiron të paraqitet si një hegjemon potencial në rajon”.

“Serbia nuk është përgjegjëse për tensionet politike dhe keqkuptimet në rajon. Sot, Serbia me të vërtetë dëshiron të dalë nga rrjeti i konflikteve ndërshtetërore ose ndëretnike. Ky është interesi ynë jetik. Ne jemi ata që humbim më shumë nga ajo lloj retorike dhe ai lloj konflikti dhe konfrontimi politik. Ne duhet, dhe mendoj se Presidenti Vuçiq po punon me shumë kujdes, për të ruajtur stabilitetin politik dhe të përgjithshëm në rajon”, tha ai.

Përfaqësuesit e diasporave në letrën e tyre shprehin shqetësimin për prirje pro-ruse dhe pro-kineze të Serbisë dhe thonë se veprimet e Serbisë në Kosovë, përbëjnë një kthesë përfundimtare edhe nga pretendimi për dialog dhe negociata.

“Kjo dhe tregon se Serbia tani kërkon të përdorë forcën, ose të paktën kërcënimin me forcë, për të krijuar fakte të reja në terren. Ky është një kërcënim kategorik jo vetëm për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës, por, për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye paraqet një rrezik domethënës për interesat ekonomike dhe të sigurisë të SHBA dhe NATO -s në Evropën juglindore”, thuhet në letër.

Por ambasadori Gjuriç thotë se letra nuk përfaqëson domosdoshmërisht pozicionin e shumicës.

“Jam i bindur se deri në fund të vitit do të kemi më shumë letra ndaj Kongresit me një numër shumë më të madh nënshkruesish që do të përqëndrohen në tema pozitive nga marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në përgjithësi bashkëpunimin në rajon”.

Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë theksuar vazhdimisht nevojën për dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Ishin bisedimet mes zyrtarëve të dy vendeve që e zgjidhën tensionin shkaktuar nga përplasjet për targat. Zoti Gashi thotë se letra nuk është kundër dialogut

“Natyrisht që ai është një nga vendet ku mund të çohen më tutje vetë argumentet që janë shprehur në letër”, thotë ai.

Nënshkruesit u bëjnë thirrje udhëheqësve të Kongresit dhe administratës Biden, që të ndërmarrë hapa për të hedhur poshtë përpjekjet e qeverisë së Serbisë për të shpërbërë paqen dhe sigurinë e rajonit.

“Beogradit duhet t’i dërgohet një sinjal i fortë se përdorimi i forcës nuk do të lejohet më kurrë për të diktuar natyrën dhe drejtimin e politikës së Ballkanit Perëndimor”, thotë letra.

Mes organizatave nënshkruese të letrës janë Kongresi pan-shqiptaro-amerikan, Vatra dhe Fondacioni Lukaj.

Eunews.al

Comments are closed.