×
E diel, 25 Tetor, 2020

Diaspora, burimi i stabilitetit ekonomik të Shqipërisë

9 Korrik, 2020

“Diaspora shqiptare është dhe do të mbetet burimi kryesor i stabilitetit ekonomik të Shqipërisë, ajo do të jetë së shpejti pjesë e votës politike në vend”, deklaroi sot Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare zhvilloi pasditen e sotme një takim prezantues të aktivitetit të saj, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve të diasporës shqiptare.

Majko vlerësoi shumë të rëndësishme iniciativën për krijimin e kësaj dhome, ndërsa theksoi se “ekonomia shqiptare gjendet nën presionin e krizës globale dhe se diaspora shqiptare është dhe do të mbetet burimi kryesor i stabilitetit ekonomik të Shqipërisë”.

“Dhoma e Biznesit të Diasporës përfaqëson një iniciativë midis përfaqësuesve të diasporës dhe angazhimit të qeverisë. Ka filluar si një projekt tre vjeçar i Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Diasporës dhe falë angazhimit të protagonistëve të saj ka një aktivitet ku shpejtësia po bëhet cilësi. Dhomat e Biznesit mund të kthehen edhe në “varreza” të ambicies. Ky është një rrezik që nuk shmanget në situatën e krijuar. Shpresoj që Dhoma e Biznesit të Diasporës të jetë provë e të kundërtës”, tha ai.

Majko tha se “pas krijimit të saj, Dhoma e Biznesit të Diasporës u bë anëtare e Komitetit të Investimeve, madje janë mbyllur procedurat për anëtarësimin e saj në Unionin e Dhomave të Biznesit”.

“Besoj se është një rast i veçantë bashkëpunimi i saj me agjencitë e shërbimeve dhe investimeve, ADISA dhe AIDA. Jam shpresëplotë për projektin Connect Albania, i cili po zhvillohet pranë Dhomës së Biznesit të Diasporës. Ai ka nisur falë ndihmës së zyrës së IOM-it në Tiranë dhe Cooperacionit Italian. Ky projekt do të nxisë dhe forcojë ndërmjetësimin e përfaqësuesve të diasporës për sjelljen në Shqipëri të investimeve të huaja”, tha Majko.

Ministri theksoi se “ky është një mekanizëm që flet pa fjalë për rëndësinë e faktorit diasporë në zhvillimin ekonomik të vendit”.

Sipas tij, “janë qindra milionë dollarë remitanca të diasporës shqiptare që vinë drejt vendit tonë ende të paorganizuara”.

“Sipas statistikave ato shpenzohen më së shumti për ndërtim shtëpie, shëndetësi dhe arsim. Koha është për të menduar pa shumë premtime për një mënyrë tjetër të menaxhimit të tyre. Presioni i krizë globale po ushtrohet në ekonomi. Janë kohë të zgjedhjeve për të gjetur zgjidhje. Optimizmi në kohët e sotme quhet retorikë. Për rastin e marrëdhënies së re shtetërore me diasporën ndryshimi po vjen si një provë ballafaqimi.
Ajo do të tregojë nëse shteti ynë e meriton diasporën që ka. Besnikëria e saj ndaj vendit është një marrëdhënie e pakushtëzuar dashurie për atdheun”, tha Majko.

Shqipëria, vijoi ai, “ka gjysmë milion shtetas me pasaportë të BE-së”. “Kjo matematikë është shprehje e faktit se integrimi europian nuk është vetëm çështje politike, por interes kombëtar. Marrëdhënia me diasporën ka kërkuar bashkëpunim të veçantë me Kosovën fqinje me të cilën kemi firmosur disa marrëveshje dypalëshe. Në të njëjtën kohë ky bashkëpunim po zhvillohet edhe me fqinjët e tjerë, veçanërisht Italinë dhe Greqinë ku është vendosur pjesa më e madhe e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Rrjeti i interesave të saj do të shtrihet në një zonë ku politika nuk bën shumë punë, ajo që ka rëndësi është që politika të mos bëhet kosto e shtuar e një pune që diaspora do ta bëjë në çdo rast dhe me çdo parti në pushtet. Kjo punë e ka emrin Shqipëri”, tha Majko.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për