×
Sunday, June 7, 2020

Dhuna dhe protestat, test për durimin e institucioneve demokratike të SHBA-së

June 7, 2020

Protestat, dhuna dhe pakënaqësitë politike, që po shfaqen në qytetet e gjithë Shteteve të Bashkuara prej javës së kaluar, kanë testuar durimin e institucioneve demokratike shtetërore.

Në kohën e panikut, presidenti amerikan, Donald Trump ka nxitur shqetësime, duke kërcënuar me angazhim të ushtrisë amerikane në pozitën e zyrtarëve policorë, ku beson se autoritetet lokale kanë dështuar që të mbajnë rregullin dhe ligjin gjatë situatës së krijuar pas vdekjes së George Floydit, afrikano-amerikanit të paarmatosur, nga një zyrtar policor aziatiko-amerikan në Mineapolis më 25 maj.

Mirëpo thirrjet e Trumpit, që shkojnë përtej praktikave të përcaktuara me kushtetutën amerikane, nuk janë pritur mirë, duke përfshirë reagime nga kryetarë e guvernatorë, liderët fetarë, liderë ushtarakë të pensionuar, dhe madje edhe anëtarë të vetë administratës Trump.

Fuqia presidenciale vs. Kryengritja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara është komandant i përgjithshëm i të gjitha forcave të armatosura amerikane.

Mirëpo presidenti nuk ka fuqi – në kushte të zakonshme – të angazhojë trupa ushtarake aktive për të kryer detyrat për zbatim të ligjit në SHBA.

Kjo pasi, zyrtarët lokalë për zbatim të ligjit janë përgjegjës për shtetin apo qeverinë lokale individuale.

Në kohën e urgjencave – nga katastrofat natyrore e deri në kohën e krizave civile – siguria garantohet nga trupat e Gardës Kombëtare, të cilët angazhohen me urdhër të guvernatorëve shtetërorë.

Garda Kombëtare – për dallim nga ushtria amerikane, marina dhe forcat ajrore – përbëhet nga ushtarë që kanë punë civile apo ndjekin universitetin derisa kryejnë trajnime ushtarake me gjysmë orari.

Secili shtet ka forcën e saj të Gardës Kombëtare. Ajo mund të angazhohet për të shkuar edhe në shtetet tjera apo për të kryer operacione jashtë vendit. Mirëpo detyra e parë që ka është në shtëpi, çka u mundëson qeverive të garantojnë sigurinë e tyre shtetërore.

Njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë thënë se për të angazhuar presidenti Trump ushtrinë amerikanë në SHBA, ai do të duhej të thirrej në Aktin e Kryengritjes të 1807-ës, ligj federal, që i mundëson presidentit të angazhojë trupat ushtarake brenda shtetit, për të “shtypur prishjen e rregullit, kryengritjen dhe rebelimin”.

Për t’u siguruar, presidentët amerikanë në të kaluarën kanë angazhuar ushtrinë gjatë kohërave të rritjes së pakënaqësive.

Tre presidentë kanë bërë një gjë të tillë gjatë periudhës 1950-1960: Dwight Eisenhower, John F. Kennedy, dhe Lyndon Johnson, për të shpërndarë turmat që kanë kundërshtuar heqjen e dallimit mes racave, apo që kanë kërcënuar jetën dhe pronën e njerëzve të pafajshëm.

Më 1957, kur Guvernatori i Arkansasit, Orval Faubus ka mobilizuar Gardën Kombëtare në shtetin e tij për t’iu ndaluar nxënësve afrikano-amerikan pjesëmarrjen në Shkollën e Mesme, Little Rock Central, Eisenhower ka angazhuar një divizion të ushtrisë amerikane për të zbatuar një vendim të Gjykatës Supreme që ndalon ndarjen racore në shkolla.

Hera e fundit që janë angazhuar trupat amerikane brenda shtetit nga një president ka qenë në Llos Angjelles më 1992, kur protestuesit janë zemëruar pasi një juri ka shfajësuar disa zyrtarë policorë, të cilët janë incizuar duke përdorur shkopinj gome për të goditur punëtorin e sektorit të ndërtimtarisë, Rodney King.

Në atë rast, ish-presidenti, George Bush ka angazhuar 1,500 trupa të marinës, bashkë me trupa ushtarake, për t’iu ndihmuar autoriteteve lokale gjatë patrullimit nëpër rrugët e Llos Angjellesit.

Reagimi nga jashtë

Mirëpo këtë javë, Sekretari amerikan për Mbrojtjes, Mark Esper, ka thënë se nuk mbështet thirrjen për angazhim të trupave amerikane, në pozitën e policit, për të kontrolluar krizën aktuale.

“Mundësia e përdorimit të forcave aktive në rolin e zbatimit të ligjit duhet të shfrytëzohet vetëm si mundësi e fundit dhe vetëm në kohën më urgjente”, u ka thënë Esper gazetarëve në Pentagon më 3 qershor.

“Nuk po përballemi me situatë të tillë tani. Unë nuk mbështes thirrjen në Aktin e Kryengritjes”.

Vdekja e George Floydit nxit protesta ndërkombëtare
FotogaleriVdekja e George Floydit nxit protesta ndërkombëtare

Esper ka thënë se “diskutimet rreth Aktit të Kryengritjes” mund t’i kthejë trupat ushtarake në “objekte politike” në një mënyrë që mund të dëmtojë “respektin, besimin dhe mbështetjen që kanë fituar trupat tanë nga qytetarët e tyre”.

Esper po ashtu ka distancuar veten nga paraqitja tejet e kritikuar e Trumpit përpara një kishe në Uashington – një incident që ka nxitur pakënaqësi të mëdha në gjithë shtetin, pasi policia është parë duke larguar me forcë protestuesit nga një park afër Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që Trumpit t’i mundësohet ecja në kishë.

“Unë jam presidenti juaj i ligjit dhe rregullit”, ka deklaruar Trump nga Shtëpia e Bardhë, teksa protestuesit kanë qenë të kontrolluar nga policia.

“Unë do të mobilizoj të gjitha burimet federale, civile dhe ushtarake për të ndalur kryengritjen dhe plaçkitjet, për t’i dhënë fund shkatërrimit dhe për të mbrojtur të drejtën e amerikanëve që veprojnë në përputhje me ligjin”.

Gjenerali i pensionuar i marinës amerikane, John Allen, ish-komandant i forcave amerikane në Afganistan, që tani udhëheq Institutin Brookings, ka thënë se “është tmerruar kur ka parë sesi amerikanët që janë mbledhur vetëm për të ushtruar të drejtat e garantuara me Amendamentin e Parë – për të protestuar ndaj padrejtësive sociale në këtë shtet dhe për të kërkuar ndryshim pozitiv – janë tërhequr zvarrë nga policia.

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, që ka shërbyer gjatë administratës Trump, po ashtu ka kritikuar presidentin rreth këtij incidenti, duke deklaruar se Trump përbën “kërcënim për kushtetutën amerikane”.

“Kam shikuar ngjarjet e kësaj jave, i zemëruar dhe shokuar”, ka shkruar Mattis në një deklaratë të publikuar në revistën The Atlantic më 3 qershor.

“Fjalët ‘drejtësi të barabartë sipas ligjit’ janë të gdhendura në krye të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar Mattis.

“Kjo është pikërisht ajo që janë duke kërkuar protestuesit. Është një kërkesë e unifikuar – të cilës të gjithë ne duhet t’i qëndrojmë mbrapa. Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga një numër i vogël i shkelësve të ligjit. Protestat përcaktohen nga dhjetëra mijëra persona që me vetëdije janë duke insistuar që ne të ngrisim vlerat tona”.

Kundërshtimet në Kongres

Demokratët në Kongres po ashtu kanë dënuar kërcënimin e Trumpit për të angazhuar ushtrinë brenda shtetit, duke e cilësuar këtë deklaratë si sjellje të një lideri autoritativ, në ardhje e sipër.

Përfaqësuesi, Jim Clyburn, detyra e të cilit është që të sigurojë disiplinë partiake dhe unitet në proceset e votimit në mesin e demokratëve, ka thënë se Trump e ka dërguar demokracinë amerikane në “udhëkryq”.

“Nëse ne nuk zgjedhim me kujdes në mes të tashmes dhe fundit të këtij viti, unë mendoj se do të shohim vdekjen e demokracisë më të madhe ndonjëherë në botë”, ka thënë Clyburn për rrjetin televiziv amerikane, CNN më 2 qershor.

“Nuk do të ndodhë”

Disa qeveri shtetërore janë zotuar po ashtu për të kundërshtuar thirrjen e Trumpit për angazhim të forcave ushtarake, me qëllim të ndaljes së dhunës në rrugë, duke argumentuar se një gjë e tillë do të përbënte reagim të tepruar.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, ka thënë se ky vend është i përgatitur ta sfidojë përmes gjykatës një vendim të tillë të Trumpit, duke deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk ka fuqi diktatoriale.

Solidarizimi i disa zyrtarëve policorë me protestuesit në SHBA
FotogaleriSolidarizimi i disa zyrtarëve policorë me protestuesit në SHBA

Guvernatori i Illinojsit, Jay Robert Pritzker, ka thënë se “retorika e dalë nga Shtëpia e Bardhë”, është duke përkeqësuar dhunën.

Kryetari i Uashingonit, Muriel Bowser, ka kundërshtuar deklaratën e Trumpit për angazhim të institucioneve federale, për të kryer detyrën e forcave policore në kryeqytetin e SHBA-së.

Uashingtoni nuk është shtet. Si i tillë, nuk ka guvernator që mund të përcaktojë nëse Garda Kombëtare apo forca tjera të sigurisë mund të angazhohen – çka i mundëson administratës Trump të angazhojë trupa amerikane pa u thirrur në Aktin e Kryengritjes.

Kryetarja e Çikagos, Lori Lightfoot është zotuar se do të luftojë secilën përpjekje të Trumpit për të angazhuar trupa në qytetin që ajo drejton.

“Kjo gjë nuk do të ndodhë. Do ta takoj atë në gjykatë”, ka thënë ajo më 2 qershor.

Sfidat e shoqërisë civile

Ekzistojnë edhe sfida nga shoqëria civile kundër përgjigjes së administratës Trump ndaj protestave përgjatë javës së kaluar.

Më 4 qershor, Unioni Amerikan i Lirive Civile, dhe organizata tjera, kanë ngritur padi penale në një gjykatë në Uashington, duke akuzuar Trumpin, Prokurorin e Përgjithshëm, William Barr dhe zyrtarë tjerë se “paligjshëm kanë tentuar të shkelin” të drejtat e protestuesve kur ata janë larguar nga rrugët dhe parqet më 1 qershor.

Barr ka thënë më 4 qershor se ai ka urdhëruar që protestuesit të largohen nga Kisha Shën Gjoni, pasi është dashur të zgjerohet perimetri i sigurisë afër Shtëpisë së Bardhë, pas një nate të protestave të dhunshme.

Ai po ashtu ka thënë se kur ka arritur në këtë zonë në pasditen e 1 qershorit, e ka kuptuar se perimetri i sigurisë nuk është zgjeruar.

Shumë persona kanë reaguar me zemërim pas vizitës së Trumpit në kishë dhe mbajtjes së Biblës, teksa ka bërë fotografi atje – duke transformuar objektin, në atë që e përditshmja amerikane The Washington Post tani e përshkruan si, “simbol të armiqve fetarë të Trumpit”.

Presideni amerikan duke mbajtur Biblën përpara një kishe në Uashington.
Presideni amerikan duke mbajtur Biblën përpara një kishe në Uashington.

Mariann Edgar Budde, peshkope që mbikëqyr Kishën Episkopale Shën Gjoni në Uashington, ka thënë se është “zemëruar” që Trump “ka përdorur Biblën dhe kishën e dioqezës sime për një mesazh joetik ndaj mësimeve të Krishtit dhe gjithçka tjetër për të cilën ekziston kisha”.

Aftësia për adaptim

Scott Lucas, profesor për studime amerikane në Universitetin Burmingham të Londrës, ka thënë se Trump ka shtyrë shtetin në një krizë të paparë deri më tani.

“Kjo situatë është duke shkaktuar dëm shumë më të madh sesa Lufta në Vietnam, tensionet racore të viteve 1960, dhe afera Watergate”, ka thënë Lucas për Radion Evropa e Lirë.

“Arsyeja është se, asnjë president deri më tash nuk ka pasur kësi gatishmërie për të promovuar tension dhe ndarje për përfitime personale”.

“Nëse Donald Trump nuk fiton zgjedhjet në nëntor, atëherë ka shumë punë që duhet bërë për të rregulluar sistemin amerikan”, ka thënë mes tjerash Lucas.

“Nëse ai është në zyrë për mandatin e dytë, nuk e di nëse sistemi mund të rregullohet. Kjo tregon sa serioze është situata”.

“Sistemi amerikan ka funksionuar për gati 250 vjet sepse ka qenë në gjendje të adaptohet”, për të tejkaluar mangësitë e veta, ka thënë Lucas.

“Duhet të ketë një kthim të Amerikës që është e gatshme të diskutojnë përpara se të bërtasë, të kërkojë zgjidhje për të mirën e përgjithshme në vend të një fraksioni të vetëm. Duhet të ekzistojë një Amerikë përtej nesh dhe kundër atyre”.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për