DHL me orar të zgjatur nga sot deri më 9 maj, Rama-votuesve në Greqi: Dorëzoni zarfin tuaj sa më parë
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ka njoftuar sot votuesit shqiptar që jetojnë në Greqi të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare se nga data 5 maj deri të premten 9 maj, pikat e shërbimit DHL do të funksionojnë me orar të zgjatur.
“Të dashur bashkatdhetarë dhe mbështetës të Vizionit SHQIPËRIA 2030 NË BE, që jeni regjistruar si zgjedhës të 11 majit në Greqi! Ja çfarë duhet të dini lidhur me komunikimin e mëparshëm live: Të gjithë ju që jetoni në Athinë, Selanik e kudo në Greqi, por jo në ishuj, mbani parasysh se nga sot e hënë, data 05 maj deri të premten, datë 09 maj, pikat e shërbimit postar DHL do të funksionojnë me orar të zgjatur”, shkruan Rama.
Rama ka publikuar po ashtu edhe tabelën me adresat dhe oraret e shërbimit.
Kryetari i PS-së gjithashtu iu është drejtuar edhe bashkatdhetarëve që banojnë në ishujt e Greqisë.
“Për shkak të pamundësisë së kompanisë për të transportuar me avionë në kohë dërgesën tuaj përtej 24 orëve të ardhshme, data përfundimtare për të kthyer zarfet tuaja në pikat e shërbimit postar DHL, SPEEDEX ose Courier Center, është dita e martë, datë 6 maj, në mënyrë që të sigurohet kthimi i tyre drejt Shqipërisë brenda afatit”, thekson Rama.
Rama shkruan më tej “lutemi, dorëzoni zarfin tuaj sa më parë në DHL, Speedex ose Courier Center, që vota të mbërrijë në kohë në Shqipëri”.
Në përfundim të mesazhit të tij, Rama kërkon votën për Partinë Socialiste për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.







