×
Sunday, April 19, 2026

Deputeti Llajo hedh poshtë akuzat për përfitime nga tendera publikë: Nga qershori 2025 asnjë lidhje me shoqërinë “Swissmed”

March 12, 2026


Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Vasil Llajo, ka reaguar pas një shkrimi të publikuar në një portal online, ku përmendet emri i tij në lidhje me përfitime nga tendera publikë.

Në reagimin e tij publik, Llajo sqaron se që prej qershorit të vitit 2025 nuk ka asnjë lidhje juridike apo administrative me shoqërinë “Swissmed”.

Sipas tij, ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm përmes ekstraktit historik të shoqërisë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), ku rezulton qartë se ai nuk mban asnjë pozicion apo përfshirje në këtë subjekt që prej asaj periudhe.

“Çdo përpjekje për të lidhur emrin tim me aktivitetin apo përfitimet e kësaj shoqërie përbën një interpretim të pasaktë të fakteve dhe një insinuatë të pajustifikuar, që cenon integritetin dhe reputacionin tim”, shprehet Llajo.

Ai thekson gjithashtu se veprimtaria e tij ka qenë dhe mbetet plotësisht në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke iu nënshtruar transparencës dhe verifikimeve nga institucionet kompetente sa herë që është kërkuar.

Në fund të reagimit, deputeti i PS thekson se titujt sensacionalë mund të prodhojnë klikime dhe reagime momentale, por nuk mund të zëvendësojnë faktet dhe përgjegjësinë ligjore për publikimin e informacionit të pavërtetë.




Comments are closed.