Deputeti i PS, Sinaj: Bujqësia është një aset kombëtar jo vetëm për Labërinë, por për gjithë Shqipërinë
Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Vullnet Sinaj deklaron se së shpejti bashkë me ministren Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca do të zhvillojnë një takim me fermerët dhe blegtorët e bashkive Selenicë, Vlorë dhe Himarë.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook Sinajt krahas fotos me ministren Krifca thekson se Bujqësia është një aset kombëtar i vyer jo vetëm për zonën e Labërisë, por për të gjithë Shqipërinë.
Postimi i plotë i Vullnet Sinajt:
Pas bisedës që zhvillova mbrëmë në parlament me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ramë dakord për një vizitë të saj për t’u takuar me fermerët dhe blegtorët e bashkive Selenicë, Vlorë dhe Himarë.
Bujqësia është një aset kombëtar i vyer jo vetëm për zonën e Labërisë, por për të gjithë Shqipërinë. 🌾🍞🐏🐑
Produktet bujqësore e blegtorale janë jetike gjithnjë, por marrin një vlerë të shumëfishtë në situatën e vështirë globale që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.
Për të folur për subvencionet e qeverisë për fermerët në qarkun e Vlorës dhe mënyrat se si mund të rrisim produktivitetin në këtë sektor, ministrja Krifca do të jetë së shpejti në një komunikim të drejtpërdrejtë me çdo të interesuar!