×
Thursday, January 15, 2026

Deputeti Haxhiu: Ligji i ri për biocidet vendos standarde europiane dhe rrit sigurinë për qytetarët

December 5, 2025


Në seancën plenare të sotme, deputeti i Partisë Socialiste për qarkun Fier, Asfloral Haxhiu, mbajti fjalën e tij të parë në Kuvend në cilësinë e relatorit të projektligjit për ndryshimet në ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”. Ai theksoi se nisma është një nga aktet më të rëndësishme për sigurinë kimike dhe mjedisore në Shqipëri.

Haxhiu u shpreh se përdorimi i përditshëm i biocideve – dezinfektues, insekticide dhe produkte të tjera – kërkon një kuadër ligjor më të fortë, të harmonizuar me standardet e Bashkimit Europian.

“Rreziku i tyre është real, po aq sa edhe nevoja për t’i përdorur. Ky projektligj vendos rregulla të qarta, mbrojtje të garantuar dhe standarde europiane. Është një hap i domosdoshëm për sigurinë e familjeve tona, të fermerëve, spitaleve dhe çdo institucioni që përdor produkte biocide,” deklaroi ai.

Çfarë sjell projektligji?

Projektligji parashikon:

  • Përafrimin e plotë me rregulloren e BE-së 528/2012, duke rritur standardet e kontrollit dhe sigurisë.
  • Kriteret e reja për autorizimin e biocideve, duke shmangur produktet me cilësi të ulët që mund të hyjnë në treg.
  • Krijimin e një strukture të specializuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, e cila do të merret vetëm me biocidet.
  • Rritjen e rolit të Institutit të Shëndetit Publik në inspektim dhe monitorim.
  • Shndërrimin e komisionit të autorizimit nga organ këshillimor në organ vendimmarrës, me ekspertë të fushës.
  • Rregulla të qarta për tregtimin, duke kërkuar kualifikim profesional për subjektet që shesin produkte biocide.
  • Sanksione të reja administrative për subjektet që nuk raportojnë të dhënat sipas ligjit.

Sipas Haxhiut, me këtë ndërhyrje ligjore synohet që brenda vitit 2025, tregu shqiptar i biocideve të jetë tërësisht i harmonizuar me atë të Bashkimit Europian.

Ai theksoi se projektligji ka efekt financiar prej 5.9 milionë lekësh në vit, të cilat mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e strukturës përgjegjëse dhe funksionimin e komisionit vendimmarrës.

Në fund të fjalës, Haxhiu u bëri thirrje deputetëve të mbështesin projektligjin:

“Ky ligj nuk është teknik – është ligj për sigurinë e qytetarëve. Sot kemi mundësinë të ndërtojmë një sistem më të sigurt, më transparent dhe modern, në përputhje me standardet europiane.”




Comments are closed.