×
Thursday, October 6, 2022

Departamenti amerikan i Drejtësisë: Mbështetje SPAK dhe BKH-së në luftën kundër korrupsionit

August 6, 2022

Kryetari i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Arben Kraja, drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj si dhe prokurori i posaçëm, Vladimir Mara gjatë vizitës në SHBA, u pritën në takim nga drejtues të lartë të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur detaje lidhur me takimin e zhvilluar me drejtuesit e SPAK dhe BKH-së.

Gjatë takimit ata diskutuan për mbështetjen për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin publik në partneritet me ICITAP, OPDAT dhe Divizionin Penal të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.

Në kuadër të vizitës zyrtare, Kraja dhe Hajnaj zhvilluan një sërë takimesh me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Byrosë Federale të Hetimit, Agjencisë amerikane të Luftës Kundër Drogave, si dhe institucione të tjera amerikane të zbatimit të ligjit.

Në takim me përfaqësues të DEA-s, u fol për bashkëpunim më efektiv, shkëmbim eksperiencash të informacionit me qëllim rritjen e efektivitetit të goditjes së grupeve kriminale që trafikojnë substanca narkotike.

Kraja ka theksuar se “SPAK është i vendosur që të garantojë ndëshkim ndaj kujtdo dhe ndaj çdo pasurie me prejardhje nga trafiqet e drogës”.

Qëllimi i kësaj vizite ishte prezantimi i SPAK dhe arritjeve të tij, si dhe forcimi i bashkëpunimit të SPAK me institucionet e zbatimit të ligjit në SHBA, me synim rritjen e intensitetit të ushtrimit të ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve kriminale në Shqipëri.



Comments are closed.