×
Sunday, October 24, 2021

DASH: Talebanët s’po mbajnë premtimet. Ambasada e SHBA në Kabul: Jeta e shumë afganëve në rrezik!

August 19, 2021

Departamenti Amerikan i Shtetit ka akuzuar talebanët se nuk i kanë mbajtur premtimet për t’u dhënë akses falas afganëve që duan të shkojnë në aeroportin e Kabulit. Reagimi i DASH vjen në një kohë kur njerëzit po mundohen të largohen nga një regjim i ri fundamentalist.

“Ne kemi parë raporte se talebanët , në kundërshtim me deklaratat e tyre publike dhe angazhimet e tyre ndaj qeverisë sonë, po i pengojnë afganët që duan të largohen nga vendi të shkojnë në aeroportin në Kabul,” tha Wendy Sherman, zëvendëssekretare e shtetit në SHBA.

Ajo përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk e konsiderojnë Ashraf Ghani një lojtar në skenën politike të Afganistanit pasi ish -presidenti, i cili u largua nga vendi ndërsa talebanët merrnin kontrollin e Kabulit, tha se ishte në “bisedime për t’u kthyer”.

“Ai nuk është më një person që ka rëndësi në Afganistan ,” tha Sherman , duke refuzuar të komentojë mbi vendimin e Emirateve të Bashkuara Arabe për t’i dhënë azil.

Ndërkohë, në një njoftim të fundit nga Kabuli, ambasada e SHBA ka deklaruar se jeta e shumë afganëve është në rrezik pasi nuk mund të sigurohet kalimi i sigurt i shtetasve afganë në aeroport.

“Qeverisja e Shteteve të Bashkuara nuk mund të sigurojë një kalim të sigurt në aeroportin ndërkombëtar HAMID KARZAI”, këshilloi Ambasada Amerikane në Kabul qytetarët amerikanë.

Eunews.al

Comments are closed.