×
E mërkurë, 25 Nëntor, 2020

COVID-19: Rikthimi!

8 Korrik, 2020

Tani më shumë se gjysmë milioni njerëz janë konfirmuar se kanë vdekur nga koronavirusi, teksa shpërthimet lokale nëpër botë po shkaktojnë frikë nga një valë e dytë e Covid-19. Në nivel global, një rekord prej 189.077 rastesh ishin raportuar më 27 qershor, dhe rastet janë në rritje në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Veriut dhe të Jugut. Disa prej rritjeve janë për shkak të shtimit të testimeve, dhe shkalla e vdekjeve ende nuk është duke parë një rritje ekuivalente.

Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) beson se rritja në rastet ditore vjen nga një përshpejtim real në përhapjen e virusit. “Transmetimi intensiv po vazhdon në shumë komunitete, në shumë pjesë të botës,” thotë një zëdhënës. Ekzistojnë gjithashtu shpërthime në vendet që ulën me sukses normat e infeksionit, por që kanë lehtësuar kufizimet.

Azra Ghani e Imperial College në Londër vëren se në shumë vende që zbatuan me shpejtësi bllokimet, siç është Koreja e Jugut, vetëm rreth 5 përqind e njerëzve e kanë marrë virusin. “Që do të thotë, sapo të fillosh hapjen dhe lidhjet fillojnë të rikthehen midis vendeve, ka shumë të ngjarë që rastet të rriten përsëri,” thotë ajo.

Qeveria e Koresë së Jugut shpalli fillimin e një “vale të dytë” të infeksioneve javën e kaluar, për shkak të grupimeve të vogla të rasteve, pas një lehtësimi të kufizimeve në maj. Një kërcim i rasteve në shtetin australian të Victorias ka çuar në rivendosjen e bllokimeve në disa zona të Melbourne. Kina ka vendosur sërish një bllokim të 400,000 njerëzve në qarkun Anxin afër Pekinit, pas 18 rasteve të reja.

“Ne ka të ngjarë të shohim, në çdo vend, një relaksim dhe pastaj ndoshta një përsëritje të ndërhyrjeve për ta kontrolluar përsëri përhapjen. Unë pres që do të shohim valë të vazhdueshme”, thotë Ghani.

SHBA, që ka numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve të konfirmuara në botë, ka pasur një shtim të rasteve, edhe në vendet të cilat më parë dukej se e kishin virusin nën kontroll. Dy muaj më parë, pothuajse të 50 shtetet kishin një numër të vlerësuar të riprodhimit (R) nën 1, që tregonte se epidemia ishte në rënie. Por sipas një analize, 33 shtete tani kanë një R të vlerësuar 1 ose më lart, që do të thotë se virusi do të përhapet në mënyrë eksponenciale.

Ghani, kolegët e të cilës kanë modeluar epideminë në nivel shtetesh në SHBA, thotë se shumë shtete nisën të relaksojnë kufizimet ndërkohë që R ishte ende mbi 1. Ajo thotë: “Mendoj është e pashmangshme që do të shohim rritje të rasteve dhe vdekjeve në SHBA”.

Në Evropë, rastet u rritën në javën që nisi në 15 qershor, e para rritje në disa muaj. Suedia, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina Herzegovina ishin mes shteteve që OBSH I identifikoi se kishin një rritje. Suedia bëri të ditur se rritja vinte prej shtimit të testeve dhe jo shpërthimeve të reja.

Shpërthimet lokale në të gjithë Evropën kanë detyruar autoritetet të ndërmarrin veprime, si për shembull 300 personat në Zvicër, që shkkuan në një klub nate dhe më pas u futën në karantinë kur një prej tyre rezultoi pozitiv.

Fabrikat e prodhimit të mishit, ku njerëzit punojnë shumë pranë, janë bërë burim i vatrave në shumë vende, përfshirë Gjermaninë.

Sidoqoftë, OBSH e ka bërë të qartë se jo të gjitha shpërthimet lokale janë të barabarta. Agjensia është më pak e shqetësuar për disa vatra në Evropë që u kontrolluan me një “reagim të shpejtë dhe të targetuar”, përfshirë kufizime dhe shtim testimesh, sesa në vendet ku nuk ka një reagim kaq të shpejtë dhe proporcional.

David Heymann në Shkollën e Higjenës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër thotë se valët e dyta nuk janë “mënyra e duhur për t’i quajtur”, sepse, ndryshe nga gripi, covid-19 duket se përhapet në verë.

“Mund të quhet më mirë shtypje dhe relaksim. Kjo është ajo që vendet do të duhet të bëjnë: të zhbllokojnë aktivitetet e tyre shtypëse dhe nëse shohin se shtypja nuk po funksionon ashtu siç do të donin, do të duhet të mbyllen përsëri”, thotë ai. / New Scientist 

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për