×
Monday, November 4, 2024

COVAX, antidoti kundër nacionalizmit të vaksinave

March 4, 2021


Nga Pierre Haski

Në të ardhmen do të na duhet që të përkujtojmë datën 24 shkurt. Ditën kur mbërritën në Ganatë Afrikës Perëndimore, dozat e para të vaksinës anti–Covid. Ngarkesa nuk mbante flamurin e një shteti, por ishte pjesë e programit Covax, nismës që është krijuar brenda kornizës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Pra, dërgesa e parë ishte në emër të bashkësisë së kombeve, një koncept që duket se ka munguar që nga fillimi i pandemisë së Covid-19. Ky gjest i parë simbolik, që do të pasohet nga shpërndarja e mbi 2 miliardë dozave në Afrikë deri në fund të vitit, përbën antidotin më të mirë ndaj nacionalizmit të vaksinave që duket se po imponohet gjithë botës.

Javët e fundit, ne kemi parë pako të mëdha me vaksina të mbështjella me flamuj kinezë apo rusë që mbërrinin në kryeqytete të përzgjedhura me kujdes, teksa perëndimorët u përballën me problemet e tyre të furnizimit, dhe dukej se i kishin harruar më të varfrit.

Dhe në diplomaci, çdo avantazh ka peshën e vet. Polarizimi ekstrem që është parë gjatë kësaj pandemie, ka qenë një faktor i vazhdueshëm prej 1 viti, i nxitur nga rivaliteti midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe nga ri–kompozimi i ekuilibrit të fuqisë në botë.

Për pasojë, ishte e pashmangshme që qasja tek vaksina, një element thelbësor për të dalë nga kriza shëndetësore, të mos ndikohej nga kjo klimë e dëmshme.

Nisja e programit COVAX, shënon një shkëputje nga kjo garë me theks të madh ideologjik. Askush nuk mund të fajësojë programin Covax, të krijuar në qershor 2020 gjatë një video–konference që organizoi OBSH-ja, me evropianët (përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë, si dhe Komisionin Evropian), disa vende nga të gjitha kontinentet dhe fondacionet kryesore si ai i Bill dhe Melinda Gejtsit.

Mungesa e madhe ishin Shtetet e Bashkuara të Donald Trump, të cilat po përgatiteshin që të dilnin nga OBSH. Sidoqoftë, pas ndryshimit që ndodhi në Uashington, Xho Bajden ka deklaruar se do të japë një kontribut të madh financiar për COVAX, teksa e riktheu vendin në OBSH.

Në këtë nismë merr pjesë edhe Kina, edhe pse me një kontribut modest. Logjika është ajo e solidaritetit me vendet më të varfra, që nuk kanë mjetet për të marrë pjesë në garën e blerjes së vaksinave të prodhuara në laboratorë, me vetëdijen se pandemia do të kapërcehet vetëm kur virusi të mposhtet në të gjithë botën, dhe jo vetëm në vendet e pasura.

Megjithatë, vaksina nuk është një e mirë publike. Ndërsa programi COVAX rrit shpresën se bota do të ketë qasje pa shumë probleme tek vaksinat pavarësisht nivelit të pasurisë, ideja e së mirës publike ka qenë deri më tani një parullë e zbrazët.

Më 24 shkurt, UNESCO bëri sërish thirrje që vaksinat të bëhen një e mirë publike globale. Por kjo do të nënkuptojë që industria farmaceutike të ndajë pronësinë intelektuale që ka mbi vaksinat që ka zhvilluar. Dhe kjo gjë nuk do të ishte aq e padrejtë po të kihen parasysh sasitë e fondeve publike të investuara në kërkimet e tyre.

Por deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mesa duket situata, nuk është aspak e përsosur. Megjithatë fillimi i zbatimit të programit COVAX mbetet një lajm i mirë. Rrallëherë ka ndodhur që vonesa kohore në qasjen ndaj një vaksine midis vendeve të varfra dhe të pasura tëketë qenë kaq e vogël.

Gana, që për disa ditë do të ndiqet nga Bregu i Fildishtë, do të marrë 600.000 doza të vaksinës së Oxford–AstraZeneca, të prodhuara në një fabrikë indiane, me financimin e bashkësisë ndërkombëtare. Nuk ndodh dhe aq shpesh që t’i gëzohemi fryteve të globalizimit. / Internazionale

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments