Çmimi i Karlit të Madh për tri gra që sfiduan Lukashenkon
Në mitingjet e fushatave elektorale ato tërhoqën me mijëra vetë në të gjithë vendin. Svetlana Tikhanovskaja, Maria Kolesnikova dhe Veronika Cepkalo u bënë simbol i luftës për demokraci në Bjellorusi dhe në mbarë botën. Por kjo i bëri ato edhe kundërshtaret kryesore të sundimtarit Aleksandër Lukashenko.
Në fillim të vitit 2020, dukej e qartë se Lukashenko, i cili kishte qeverisur tashmë Bjellorusinë për 26 vjet, do të vazhdonte të sundonte për një mandat të gjashtë pas zgjedhjeve të gushtit 2020. Por në janar filloi pandemia e koronës, rreziqet e së cilës ai i shpërfilli në mënyrë demonstrative dhe pakënaqësia me politikën e tij u rrit.
Në maj 2020, bankieri Viktor Babariko, blogeri dhe sipërmarrësi Sergei Tikhanovski dhe ish-kreu i një parku të teknologjisë së lartë, Valerij Cepkalo, njoftuan synimin e tyre për të kandiduar për president. Por asnjëri prej tyre nuk u lejua të konkurronte. Babariko dhe Tikhanovski u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata. Cepkalo arriti të largohej nga vendi. Vendin e tyre e zunë tri gra: Maria Kolesnikova, një punonjëse e Babarikos, dhe Svetlana Tikhanovskaja dhe Veronika Cepkalo, në vend të burrave të tyre. Që atëherë, treshja punoi për kandidaturën presidenciale të Svetlana Tikhanovskajas me synimin për të sjellë ndryshime demokratike në Bjellorusi.
Represion në vend të lirisë
Në aktivitetet e fushatës zgjedhore, Svetlana Tikhanovskaja premtoi lirimin e të burgosurve politikë dhe zgjedhje të reja e të drejta. Kolesnikova theksoi nevojën për ndryshime demokratike, duke folur nga zemra e mijëra mbështetësve të saj.
Viktor Babariko, korrik, 2021
Kur komisioni zgjedhor deklaroi në mbrëmjen e 9 gushtit 2020 se Lukashenko kishte 80 për qind dhe Tikhanovskaja vetëm dhjetë për qind të votave, bjellorusët dolën në rrugë në shumë qytete. Ishin tubimet më të mëdha në historinë e vendit. Për tre muaj, ata kërkuan dorëheqjen e Lukashenkos dhe protestuan kundër dhunës dhe mashtrimit zgjedhor. Por pushtetarët i shtypën brutalisht protestat dhe represioni vazhdon edhe sot e kësaj dite. Tani ka mbi 1200 të burgosur politikë. Më shumë se 300 OJQ u likuiduan. Mediat e pavarura mund të vazhdojnë punën vetëm nga jashtë.
Tikhanovskaja: “Unë nuk jam politikane dhe nuk kam nevojë për pushtet”
Deri në vitin 2020, Svetlana Tikhanovskaja nuk ishte një figurë publike dhe e quante veten apolitike. Pas përfundimit të studimeve në Universitetin Pedagogjik në Mosyrit në Bjellorusinë juglindore, 39-vjeçarja punoi si përkthyese e anglishtes dhe rriti dy fëmijë. Familja ishte gjithmonë gjëja më e rëndësishme për të, tha ajo një herë.
Kur i shoqi u arrestua, ajo vendosi ta mbështeste duke kandiduar vetë për presidente. Për habinë e saj, ajo u pranua si kandidate. “Unë nuk jam politikane dhe nuk kam nevojë për pushtet. Por burri im është pas hekurave. M’u desh t’i çoja fëmijët në një vend të sigurt hoqa dorë nga një jetë e qetë për të gjithë ne,” tha ajo para më shumë se 60 000 njerëzve në Minsk në korrik 2020.
Valerij Cepkala
Por pas zgjedhjeve në gusht 2020, asaj iu desh të largohej nga vendi nën presionin e shërbimit sekret bjellorus. Që atëherë ajo jeton në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, nga ku vazhdon luftën kundër regjimit të Lukashenkos. Sot ajo konsiderohet lidere e forcave demokratike në Bjellorusi.
Kolesnikova: E ka grisur pasaportën, që të qëndrojë në Bjellorusi
Maria Kolesnikova është flautiste me profesion. Në vitin 2007 shkoi në Shtutgart, ku vazhdoi studimet për muzikë. Dhjetë vjet më vonë ajo u kthye në Bjellorusi. Në Minsk punonte për një qendër kulturore të krijuar me mbështetjen e Viktor Babarikos. Në vitin 2020 drejtonte shtabin e fushatës.
Por Babariko u pengua si kandidat dhe Kolesnikova vendosi të mbështesë Svetlana Tikhanovskajan. Brenda pak muajsh, muzikantja dhe menaxherja e kulturës u bë një politikane karizmatike. Në shtator 2020, ajo u rrëmbye nga persona të panjohur në mes të Minskut dhe të nesërmen u shfaq në kufirin Bjellorusi-Ukrainë. Ashtu si Tikhanovskaja, edhe Kolesnikova u detyrua të largohej nga vendi. Por për të qëndruar, ajo grisi pasaportën në kufi, doli nga makina dhe u kthye në anën bjelloruse. Ajo u arrestua dhe një vit më vonë u dënua me njëmbëdhjetë vjet burg.
Ajo nuk pendohet për vendimin e saj. “Është nder për mua të eci në këtë rrugë drejt lirisë dhe ndryshimit me popullin tim”, theksoi 40-vjeçarja në një intervistë me shkrim për DW nga burgu.
Cepkalo: Nga IT në politikë
Para ngjarjeve të vitit 2020, Veronika Cepkalo ishte menaxhere e një kompanie ndërkombëtare IT. Pasi i shoqi shpalli se donte të bëhej president, ajo e shoqëroi atë në udhëtime dhe në konferenca për shtyp. Kur u pengua të kandidonte, edhe Cepkalo vendosi të mbështeste Svetlana Tikhanovskajan në emër të të shoqit.
Protesta në Bjellorusi para burgut ku mbahej Sergej Tikhanovski, në gusht 2020
“Ishte një ditë shumë e lumtur kur bashkuam forcat”, tha Veronika Cepkalo për Radion Europa e Lirtë. Sipas saj, ky ishte një shembull se si, pavarësisht nga idetë e ndryshme për të ardhmen e vendit, mund të lini mënjanë ambiciet e tua për të punuar së bashku për ndryshimet në Bjellorusi. Sot ajo punon sërish si menaxhere IT dhe është e përfshirë në Fondacionin e Grave Bjelloruse.
Për çfarë e marrin tri gratë Çmimin e Karlit të Madh?
Bordi i Drejtorëve të Çmimit Karli i Madh e sheh treshen si një “model unik kundër diktaturës, shtypjes dhe një shteti të padrejtë”. Gratë e marrin çmimin për “përkushtimin e tyre të guximshëm ndaj lirisë, demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht vlerave evropiane”.
Çmimi Karli i Madh jepet që nga viti 1950 për kontribuues në bashkimin e Evropës. Winston Churchill dhe Konrad Adenauer ishin ndër fituesit e parë. Me kalimin e viteve atë e kanë marrë politikanë dhe figura të njohura publike: Vaclav Havel, Angela Merkel, Emmanuel Macron, Papa Françeskue të tjerë.
Svetlana Tikhanovskaja dhe Veronika Cepkalo, të cilat jetojnë në mërgim, do të vijnë në Aachen për të marrë çmimin. Maria Kolesnikova, e cila është në paraburgim, do të përfaqësohet në ceremoni nga motra e saj, Tatyana Khomikh./DW
Eunews.al