×
Monday, January 13, 2025

Cili ështe sekreti i lumturisë?

December 8, 2019


Eshte një nga pyetjet që studiuesit e Universitetit prestigjoz të London School of Economics (LSE) u munduan t’i kthejnë një përgjigje. Studimet pranë LSE-së por edhe studime të tjera kanë evidentuar faktin që pavarësisht se shoqëritë perëndimore janë pasuruar në mënyrë të qëndrueshme për disa dekada, ky fakt nuk është përkthyer në qytetarë më të lumtur. Në fakt ajo që shoqëritë perëndimore po përjetojnë më shumë janë depresioni, alkoolizmi, paniku dhe sigurisht më shumë krim. Profesor Richard Layard i LSE-së dhe këshilltar i qeverisë Britanike mbi shëndetin mendor, shpjegon se ndonëse mirëqënia në shoqëritë perëndimore është më shumë se dyfishuar pesë dekadat e fundit kjo nuk është përkthyer në individë më të lumtur. Për prof. Layard ky fakt ka ardhur për shkak se qënia njerëzore ka prirjen për t’u krahasuar me njerëzit e tjerë kur në fakt duhet të ndalojmë dhe t’i gëzohemi mirëqënies personale të arritur dhe ta vendosim atë në qendër të mendimit tonë.

Nëse i referohemi raportin më të fundit të publikuar me mbështetjen e OKB-së, “Raporti Botëror mbi Lumturinë 2019”, ashtu siç theksohet nga Profesori i LSE, lumturia bazohet nga faktorë shoqërorë dhe personalë. Në raport analizohen themelet shoqërore të lumturisë botërore. Brenda kornizës shpjeguese me katër faktorë- mbështetje sociale, liria për të bërë zgjedhjet e jetës, bujarinë dhe mungesën e korrupsioni në qeveri dhe biznes – janëf aktorët shoqërorë që ndikojnë në lumturinë individuale. Ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe pritshmëritë për një jetë të shëndetshme konsiderohen synime për zhvillim të mëtejshëm. Duke qenë se faktorët shoqërorë kanë një ndikim të rendësishm në lumturinë individuale, Profesor Layard sugjeron që “vendimarrësit nuk duhet të marrin vendime për qytetarët mbi bazën e asaj që ata mendojnë që është më e mira për ta, por duhet të pyesin specifikisht qytetarët se çfare i bën ata të lumtur dhe mbi bazën e përgjigjeve të marrin vendimet duhura. Kjo do ta bënte sistemin shumë me demokratik por edhe qytetarët të ndiheshin më të lumtur’, shprehet ai.

Puna është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që ndikon në lumturi në bazë të Raportit Botëror mbi Lumturinë. Papunësia shkakton një ulje drastike në lumturinë individuale, por edhe për ata që janë në punë cilësia e punës mund të shkaktojë mungesë të lumturisë. Prof. Layard mendon se punëdhënësit kanë një rol të rëndësishëm për të dhënë në raport me lumturinë e gjithësejcilit prej nesh. Sipas tij studime të ndryshme kanë evidentuar faktin që orët që kalojmë në punë janë orët më pak të lumtura në ditën tonë. duhet t’i japin më shumë rëndësi sesi punëmarrësit ndihen, sepse kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në suksesin e ndërmarrjes. Të inspirosh dhe të kujdesesh janë dy karakteristika që një punëdhënës duhet të ketë për të siguruar që ata që punojnë për të të jenë të lumtur. Të ardhurat janë një aspekt i lumturisë por nuk shpjegon lumturinë por varet kryesisht nga mirëqënia mendore e cila shkon përtej të ardhurave.

Por cilat janë vendet të cilat rradhiten të parat për sa i përket rezultatit të lumturisë?
Vendet nordike janë vendet të cilat renditen të parat Finlanë, Danimarka, Norvegji, Islandë dhe Zvicra. Të pestë vendet e para performojnë shumë mirë në të gjithë faktorët kryesorë të identifikuar për të mbështetur lumturinë: përkujdesjen, lirinë, bujarinë, ndershmërinë, shëndetin, të ardhurat dhe qeverisja e mirë. Përfundime të tjera të rëndësishme të këtij studimi kanë të bëjnë me Kinën e cila ndonëse ka një rritje të PBB në mënyrë eksponenciale ajo nuk është përkthyer në më shumë lumturi tek qytetarët e saj, ndërsa SHBA-të kanë pësuar një rënie në rradhitjen e ‘lumturisë’ nga vendi i 3-të në atë të 16-të në 2017 për t’u rradhitur në vendin e 20 në raportin e fundit. Përsa i përket vëndit tone, Shqipërisë, në raportin e 2019, ai rradhitet në vendin e 108 një përmirësim të lehtë nga raporti i 2018 dhe ai 2017 në të cilin rradhitej e 110-ta.

Por si mund ta kuptojmë se çfare na bën të lumtur?
Këtë pyetje studiuesi i mirëqënies në London School of Economics e shikon me shumë rëndësi dhe sugjeron që sejcili prej nesh duhet të marrë një moment për të parë brenda vetes se çfarë e inspiron pa u ndikuar nga faktorët e jashtëm. “Në përgjithësi nëse fokusohesh në atë që i lumturon të tjerët apo që është e mire për të tjerët përfundon për të pasur të njëjtin efekt edhe për ty” – përgjigjet ai.

Autori: Dr. Odeta Berberi, studiuese dhe lektore e shkencave sociale

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments