×
Sunday, September 26, 2021

Ç’i thanë amerikanët Bashës “me dëshmitarë Tabakun e Bardhin” dhe informacionet që ai “s’do t’i ndajë kurrë me askënd”?

September 13, 2021

Nga Bedri Islami

Lulzim Basha u rrit. Ai mori një vendim jashtë çdo përshkrimi statutor, duke ndërtuar një alibi për rastet e ardhshme. Rritja e tij ishte e befasishme për këdo që e ka njohur, goditja u dha në momentin e fundit, asgjësimi i mendimit ishte total, strukturat u gjendën pa frymë dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

Brenda opozitës kjo ishte goditja më e pamenduar, më bizare, nga ato që zakonisht quhen “goditje nën brez”, por e domosdoshme dhe pa asnjë alernativë. Ata që kanë pritur që Basha, më parë se të dëbonte Berishën, do të jepte dorëheqjen, ose janë naivë, ose nuk e kanë njohur. I zgjedhur me dorë nga pararendësi i tij, katapultuar në një fron që nuk e kishte ëndërruar, frymëzuar nga njeriu që e dëboi, i mefshtë në pamje dhe dredharak në goditje, ai gjeti momentin për të bërë rritjen e tij, dhe shumë kënd e la pa frymë. Sidomos Berishën.

Në mbrëmjen e asaj goditjeje, në një emision TV njerëzit panë një Berishë të lodhur, pa frymën e tij karakteristike, ashtu si janë gjithë njerëzit e dëbuar.
Lulzim Basha gjeti çastin e menduar mirë për të bërë shpalljen. Momentin e fundit. Pas tij ra “gongu”, ndërkohë ai vetë kishte dalë nga ringu. I mbetur vetëm në fushëbetejë, Berisha ishte i pari që e kuptoi se gjithçka kishte marrë fund.

Ai kishte pasur shansin të largohej normalisht. Edhe pas shpalljes së tij “non grata”. Të tërhiqej në qoshen e tij, duke e bërë betejën një gjë vetjake, jashtë grupit parlamentar, pa asnjë mburojë politike dhe pa rënduar krijesën që e kishte drejtuar me dorë të fortë dhe ashpërsisht.

Megjithatë, dëbimi i tij lë pas vetes disa pikëpyetje, të cilat do të jenë edhe në një kohë të gjatë, enigmat e këtij dëbimi.

Cili është momenti kur Basha mori vendimin e tij? Askush nuk e di. Që nga qershori kur i është dhënë urdhri nga funksionarë të nivelit të dytë a të tretë të DASH dhe deri në fillimin e shtatorit janë dy muaj e gjysmë. Ku loboi ai, te cilët struktura të larta të shtetit amerikan dhe çfarë mesazhesh mori? Nuk është takuar me asnjë dhe nuk ka shkruar askund tjetër, veçse tek miq privatë, pa asnjë ndikim në politikën e lartë amerikane, të cilët, duke qenë përgjithësisht të financuar në fushatat e tyre nga disa afaristë shqiptarë në SHBA, bënë disa deklarata të rrudhura, që dukeshin se kishin dalë nga zyra e shtypit e ish kryemnistrit të cilësuar si minues i demokracisë.

U shantazhua Lulzim Basha nga amerikanët? Nëse ka ndodur kjo, atëherë cila aferë e tij ishte objekt I shantazhit? Lidhja me rusët dhe financimet e panjohura, por të ditura të lobit rus? Kaq lehtë mund të shantazhohet një drejtues. Nëse ka ndodhur një herë, a nuk mund të përsëritet shantazhi?

Nuk është e vështirë të shantazhosh një lider si Basha. Njeriu që mund të bënte këtë më mirë nga gjithë të tjerët, mund të ishte Berisha, por ai nuk e ka bërë asnjë herë. E ka mbrojtur, edhe kur askush nuk e priste. Edhe kur dëboi gjithë gardën e vjetër dhe mbajti pranë fgura kllouneske të politikës. Vasalë dhe jo të dinjitetshëm. Berisha i di gjithçka Bashës, nganjëherë ata kanë qenë së bashku pjesë e krimit, si në 21 janar, herë të tjera ka ndjekur ecurinë e birit të vet shpirtëror dhe e ka mbështetur, pa e ditur çastin e befasishëm të goditjes.

Basha e tha hapur, por nuk e shpalosi hapur se, atij, në prani të Bardhit dhe Tabakut, i janë afruar dosje shtesë. Kur? Në qershor! Çfarë përbëjnë këtë dosje, të cilat ai u betua se nuk do i ndajë me askënd. Nëse dosjet janë të ofruara, pra ata nuk përbëjnë sekret dhe nuk janë as fantazëm. I kanë shërbyer si godiTje ndaj Berishës, të cilit ia ka dërguar, por edhe të neutralizojë kundërveprimin që mund të kishte ndodhur në ditën e dhënies së vendimit të tij.

Dosjet që i janë afruar Bashës nuk janë të panjohura nga ai. Nuk kanë të bëjnë me Soros dhe sorisianë, që po shfaqen nga fryma berishiste si një sekt që drejton gjithë botën. Nuk kanë të bëjnë as me Kosovën. Naivët mund të mendojnë se Berisha e shpëtoi Kosovën nga ndarja, ku desh e çoi politika amerikane. Kosovës nuk i ndryshon asnjë centimetër pikërisht nga Shtetet e Bashkuara e jo nga përrallat e politikës në Tiranë apo në Prishtinë.

Atëherë çfarë ka mësuar Lul Basha, të cilën nuk e ka ditur? Në fakt, ata janë dënimi i vërtetë i Berishës. Mos kundërshtimi i tij. Aktakuza politike e, nesër, mund të mos jetë vetëm politike. Ndërlidhja mes atij si person publik dhe përfitimeve familjare, të cilat, jo në mjegull, ia kujtoi Basha. Ishte lëvizje prej skuthi politik, por që e goditi më shumë se gjithçka tjetër Berishën. Ishte kujtesa: mos fol më tej, letrat mund të hapen. Ashtu si mund të hapeshin letrat për Bashën, nëse ai do të kishte kundërshtuar.

Mes vetes dhe Berishës, ai zgjodhi veten. Mes PD-së dhe Berishës, ai zgjodhi të parën. Që do e mbajë fort, ndaj edhe ka ngritur një strukturë besnike, ku militantët, pasi të qetësohen gjakrat, do e kuptojnë se kjo është një luftë e pamundur.

Luli u rrit, por gjithnjë nën hije.
Sali Berisha është sot një njeri i mundur. I mundur nga vetja! Askush tjetër nuk e ka mundur atë, veç jetës së tij, egërsisë me të cilën është shfaqur dhe mos kuptimit të faktit se koha e tij kishte kaluar. Njeriu i politikës, në çastin që nuk e kupton se koha e tij ka mbaruar, ka filluar momentin e humbjes.

Njeriu që bëri shpalljen rastësisht e ka emërin Lulzim Basha, për ironi të fatit ai e kishte zgjedhur me dorën e tij. Cilido tjetër të ishte do e kishte bërë këtë, ndoshta jo në mënyrë kaq bizare dhe tinzare, por rrugë tjetër nuk do të kishte. Askush nuk mund të mbajë në mesin e tyre njeriun e ndëshkuar nga institucioni politik më i rëndësishëm i botës, Departamenti Amerikan i Shtetit, si minues të demokracisë, familjarisht të korruptuar dhe pengues i demokracisë.

Moskuptimi i kohës është humbja e madhe e Berishës. Në politikë koha është gjithçka. Berisha mendoi se mund t’i qëndrojë asaj dhe ta mundë atë. Kishte bërë në rrugën e tij të politikës shumë mëkate, ata do të zgjoheshin një ditë, ishin shkruar diku dhe prisnin çastin, por nuk e priste kurrë që shpalljen e tij do e bënte pikërisht njeriu që e kishte mëkuar besnikërisht.

Për ta kafshuar pabesisht, por në një lëvizje të domosdoshme. Në mbrëmjen e së enjtes së shkuar në politikë u shfaq një fenomen i papritur : lideri mund të jetë autokrat duke qeshur. Basha nuk përfilli asnjë institucion të partisë së tij. Asnjë rregull. Asnjë zë ndryshe. Kishte pritur çastin e tij të goditjes dhe e dha atë kur të tjerët mendonin se po flinte.

Nuk kishte thirrur askënd për të qenë pjesë e goditjes së tij, nuk kishte biseduar ndershmërisht me “ doktorin”, për më tepër nuk kishte kërkuar një zgjidhje tjetër.
Kishte menduar dy muaj , për ta zgjidhur në pak minuta. I lodhur me tutorin e tij, ai nisi fazën e re të rritjes së tij politike: kthimin e tij në tutor.

Eunews.al

Comments are closed.