Çfarë i pret turistët pas daljes nga karantina?
Çfarë i pret turistët pas daljes nga karantina? Covid-19 do të ndryshojë mënyrën sesi njerëzit udhëtojnë
Është e habitshme mungesa — e makinave jashtë ndërtesës, e njerëzve brenda saj, e çdo aktiviteti. Alaba, një shofer i Uber, teksa iu afrua aeroportit Heathrow një të shtunë në mëngjes në muajin maj, mbeti aq i çuditur nga pamja, saqë i ra rrotull dy herë vendit dhe tha i shtangur: “Ky nuk mund të jetë Heathrow”, shkruan the Economist.
Brenda aeroportit qëndronte një punonjës që duhej t’u shpërndante maska njerëzve, por nuk kishte kujt t’ia dorëzonte ato. Salla e madhë e kontrolleve ishte thuajse e zbrazët. Vetëm një korsi sigurie po funksiononte. Shumë nga dritat ishin fikur. Tabela e nisjeve tregoi gjashtë fluturime për gjithë ditën.
Udhëtimet ndërkombëtare thuajse kanë ndalur. Kufijtë janë mbyllur. Hotelet janë boshatisur. Në prill të vitit të kaluar, 6.8 milionë pasagjerë kaluan përmes Aeroportit Heathrow. Ndërsa këtë prill, kaluan vetëm mbi 200,000 – më pak se një mesatare ditore para pandemisë. Lëvizjet e fluturimit nëpër Europë janë ulur me rreth 85% (shiko grafikun 1).
Në Amerikë, Administrata e Sigurisë së Transportit regjistroi 3.2 milionë pasagjerë në aeroportet e saj muajin e kaluar, krahasuar me 70 milionë gjatë së njëjtës periudhë vjet. Disa vende si India, ndaluan të gjithë transportin rrugor dhe hekurudhor, pezulluan të gjitha fluturimet dhe mbyllën aeroportet. Dhe tani që vendet po hapen sërish, ato po zgjedhin se cilat kombësi do të lejojnë të hyjnë. Rregullat e vjetra janë hedhur poshtë.
Dhe kështu për shumë njerëz, 2020-a do të jetë një vit pa pushime. Frika nga sëmundja do t’i mbajë njerëzit në shtëpi. Udhëtimi tashmë është kthyer në luks. Edhe në Europën e pasur, me të drejtat e saj të shumta për pushime, tre në dhjetë veta nuk mund t’i përballojnë pushimet vjetore për një javë. Ata që kanë humbur vendin e punës ose që shqetësohen për ndonjë recesion, mund t’i eliminojnë fare udhëtimet nga buxheti i tyre. Ndërsa për ata që ende ëndërrojnë plazhe të huaja, pengesa më e madhe do të jetë transporti. Janë ende në fuqi shumë kufizime, përfshirë mbylljet e kufijve dhe karantinat pas mbërritjes në një shtet.
Turizmi është një gjigant i ekonomisë globale. Njerëzit kryen 1.4 miliardë udhëtime të huaja në vitin 2018, sa dyfishi i vitit 2000 (shiko grafikun 2). Ai që një herë e një kohë ishte një zakon i vendeve të pasura, u kthye në zakon global. Kështu nisi edhe përleshja për të tërhequr turistë të huaj. Vendet filluan të reklamojnë veten si destinacione globale të udhëtimit (me slogane si “Incredible India” apo “Epic Estonia”).
Sipas përllogaritjeve, industria ofron 330 milionë vende pune – duke filluar nga pilotët e paguar mirë, deri tek udhëzuesit e tureve dhe pjatalarësit që punojnë prapa dyerve të mbyllura në rezorte të shtrenjta. Dhe të gjitha këto vende pune, varen nga udhëtarët. Shumë prej tyre janë vendas; rreth tre të katërtat e të ardhurave të turizmit në vendet e pasura vijnë nga pushuesit brenda kufijve kombëtarë, sipas OECD-së, një klub i përbërë kryesisht nga vende të pasura.
Gjendja e të ardhurave kombëtare, si dhe forma e sektorëve nga restorantet tek hotelet dhe mallrat luksoze (të cilat shpesh blihen kur njerëzit janë me pushime), do të varen nga fakti se si do të jetë turizmi dhe kur do të lejohet të rifillojë. Hotelet dhe linjat ajrore po përdorin këtë periudhë pasigurie si një mundësi për të rimodeluar mënyrën sesi funksionojnë. Familjarët po rimendojnë se si dhe ku mund t’i kalojnë pushimet të sigurt. Shumë nga ndryshimet do të zgjasin vetëm derisa të gjendet një vaksinë për COVID-19. Por disa do të mbeten. Mënyra se si njerëzit fillojnë të udhëtojnë në vitin 2020 — ose 2021 — do të ndikojë në mënyrën se si ata udhëtojnë për vite me radhë.
Në periudha normale, turistët ndërkombëtarë shpenzojnë 1.6 trilionë dollarë çdo vit – më shumë sesa PBB-ja e Spanjës. Vendet e punës që krijon turizmi nuk mund të zhvendosen jashtë shtetit, dhe shpesh shfaqen në vende ku ekzistojnë pak mundësi të tjera. Një bar i Barcelonës që shet sangria për një turist gjerman mund të mos duket si një eksportues, por ndikimi i tij në llogaritë kombëtare është i njëjtë sikur ta kishte dërguar shishen në veri. Në fakt, si një burim i të ardhurave globale nga eksporti, turizmi është më i madh se industria e ushqimit ose e makinave.
Problemi i udhëtimit
Por parashikimet për vitin 2020 variojnë nga të këqija në apokaliptike. Organizata Botërore e Turizmit parashikon një rënie të shpenzimeve ndërkombëtare të udhëtimit nga 910 miliardë deri në 1.2 trilion dollarë këtë vit. Ajo, gjithashtu, parashikon se mbërritjet do të bien me 60-80%.
Nga 217 destinacionet që gjurmon organizata, 72% i kanë mbyllur kufijtë e tyre për turistët ndërkombëtarë. Europa do të goditet veçanërisht fort. Çdo vit, aty vijnë më shumë se gjysma e turistëve në botë. Sezoni i verës është me rëndësi jetike: 59% e të gjitha rezervimeve të lidhura me turizmin në Greqi, janë për periudhën korrik – shtator. Turizmi është një shembull i rrallë i një industrie ku europianët e jugut ua kalojnë homologëve të tyre veriorë (dhe shpesh i mirëpresin ata në vendet e tyre).
Disa janë duke ndërmarrë hapa të kujdesshëm drejt rihapjes. Greqia dhe Italia shpresojnë të mirëpresin turistët ndërkombëtarë këtë verë. Krijimi i “flluskave të udhëtimit” brenda rajonit po shihet si mundësi në disa pjesë të Europës dhe Oqeanisë. Gjithsesi, shumë udhëtarë do të duhet të qëndrojnë në vendet e tyre.
Në Korenë e Jugut, e cila asnjëherë nuk u mbyll plotësisht, tre të katërtat e të gjitha udhëtimeve me avion të planifikuara për muajin prill, u kryen brenda vendit, ndërsa në kohë normale, kjo shifër ishte një e dhjeta, sipas Skyscanner, një faqeje interneti për krahasimin e çmimeve.
Kërkesat për marrjen me qira të makinave janë rritur në të gjithë botën. Sipas Airbnb, një faqeje interneti për marrjen e shtëpive me qira, rezervimet e brendshme janë rritur në mënyrë dramatike, në mbi 80% të rezervave totale. Edhe më befasues është fakti se shumë njerëz po prenotojnë prona brenda 50 miljeve (80 km) në distancë nga vendi ku jetojnë, dhe shumica brenda 200 miljeve. Është e dobishme të jesh në gjendje të shkosh me makinë në shtëpi nëse kushtet e izolimit ndryshojnë papritmas.
Në Kinë, që ishte vendi i parë që imponoi karantinën dhe tani duket se e ka marrë situatën nën kontroll, udhëtimi po i rikthehet normalitetit. Por edhe në Amerikë, e cila ende po raporton më shumë se 20,000 raste të reja çdo ditë, në javën e parë të majit u rritën frekuentimet e hoteleve, sipas Keith Barr nga IHG, një grup hotelerie që përfshin zinxhirët InterContinental dhe Holiday Inn. “Niveli i kërkesës më befasoi. Unë nuk mendoja se dikush do të udhëtonte tani”, thotë ai. Duke pasur parasysh kufijtë e mbyllur, kërkesa është e tëra vendase.
Zëvendësimi nga turistët vendas
Tani udhëheqësit europianë, si në Itali dhe Francë, shpresojnë që vendasit që nuk mund të largohen do të zëvendësojnë të huajt që nuk mund të hyjnë. Kjo mund të funksionojë, deri në njëfarë pike dhe në disa vende. Por shumë pika të nxehta turistike, si Islanda ose ishujt e Karaibeve, kanë shumë pak vendas për të zëvendësuar të huajt që mungojnë.
Malta, e cila çdo vit pret gati gjashtë vizitorë të huaj për çdo vendas, mund të marrë vetëm një të katërtën e 2.9 milionë turistëve që tërhoqi vitin e kaluar, nëse kufijtë e saj rihapen në kohë për sezonin veror, parashikon Johann Buttigieg nga Autoriteti i Udhëtimit në Maltë. Banorët e vendeve që eksportojnë më shumë turistë sesa marrin, si Britania, Koreja e Jugut dhe Gjermania, do të jenë të detyruar të grumbullohen brenda plazheve të tyre.
Edhe vendet më “të balancuara”, si Holanda, do ta kenë të vështirë të tërheqin turistët vendas për të mbushur hendekun e lënë nga të huajt: një apartament i kushtueshëm Airbnb me pamje nga një kanal i Amsterdamit, është më tërheqës për një njujorkez sesa për një banor të Roterdamit që jeton buzë lumit. Bujtinat për udhëtarët kalimtarë me çanta shpine, të cilat janë shumë tërheqëse për të rinjtë e huaj dhe aspak për vendasit, do të ndodhen në një gjendje të vështirë. Ndërsa vendet për kamping që tërheqin më shumë vendas kanë më tepër avantazh.
Ndërkohë, edhe destinacionet urbane kanë humbur terren. Shumë turistë mund të mendojnë: pse të shkojmë në Nju Jork kur Broadway është i mbyllur? Ndërsa vendet rurale janë në kërkesë. Hotelet më të ngarkuara të kompanisë IHB, janë pikërisht ato që ndodhen pranë plazheve. STR, një firmë kërkimore udhëtimesh, thotë se nivelet e frekuentimit në disa pika bregdetare në jug të Amerikës ishin deri në 60%.
Kjo mund të çojë në atë që Brian Chesky, shefi i Airbnb, e quan rishpërndarje e udhëtimit: me njerëz që udhëtojnë në vende të largëta dhe jo në metropolet e zakonshme. Airbnb, që mund të ofrojë dhoma pothuajse kudo, po përpiqet të fitojë para duke përfituar nga prirja e tanishme e njerëzve për të kursyer para duke zgjedhur vende më të qeta pushimi dhe duke shmangur pikat më të frekuentuara turistike. Kjo prirje është rritur. Zoti Chesky thotë se ai mendonte se do të duheshin 20-30 vjet që zakonet e udhëtarëve të ndryshonin. Tani ai mendon se kjo mund të ndodhë për disa javë ose muaj.
Ndryshimi i zakoneve të udhëtimit në botë, qoftë edhe për disa muaj, do të ketë efekte afatgjata. Nëse turistët zbulojnë virtytet e vendndodhjeve të reja, ata do të duan të kthehen.
Njerëzit kërkojnë ose të kryejnë fluturime shumë vonë në të ardhmen ose shumë më afër – por jo udhëtime në minutën ose sekondën e fundit, bën shaka Luca Romozzi nga Sojern, një konsulencë udhëtimesh. Rezervimi (dhe pagesa) e mëvonshme do të ndryshojnë modelin e biznesit të linjave ajrore dhe hoteleve, të cilat fitonin shumë me pagesat paraprake të klientëve. Madje, shumica e shitësve të udhëtimit tani duhet të bien dakord për kushte fleksibël të anulimit, nëse dëshirojnë të tërheqin klientë.
Ju mund të ndryshoni botën
Ekonomia e ofrimit të shërbimeve të udhëtimit do të ndryshojë në mënyra të tjera. Lehtësimi i procesit të pastrimit të sipërfaqeve dhe reduktimi i pikave të prekjes do të kthehen në përparësi. Hotelet po i heqin qilimat nga dyshemetë. Edhe jastëkët e divaneve po hiqen nga përdorimi. Menutë e restoranteve ndoshta do të bëhen dixhitale ose do të shfaqen në dërrasa. Kuzhinat do të ofrojnë më pak enë, për të thjeshtuar procesin e gatimit dhe për të shmangur harxhimin e përbërësve rezervë në rast të përforcimit të masave kufizuese.
Zhdukje të tjera do të jenë më të dukshme. Ndoshta bufeve duhet t’i themi lamtumirë. Check-in në hotele do të automatizohet. “Pa dyshim që ne ende dëshirojmë të ofrojmë një mirëseardhje, por në të vërtetë shtypja e një çelësi është thjesht një transaksion. Nuk është vërtet një mirëseardhje”, thotë Arne Sorenson nga Marriott, zinxhiri më i madh i hoteleve në botë. Në të ardhmen prisni check-in me celular, hapjen elektronike të dyerve me celular dhe më shumë kontrolle të aktivizuara me zë.
Propozime të tilla janë pjesë e një reagimi të menjëhershëm ndaj masave shëndetësore pandemike, të cilat formojnë një lloj “teatri higjienik”. Vende si Greqia po e reklamojnë veten si shtete më pak të infektuara nga COVID-19. Një ministër portugez mburrej me infermierët e tij të mrekullueshëm, duke i siguruar udhëtarët e huaj se janë në duar të sigurta në rast sëmundjeje, siç ishte ai që u kujdes për kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Përdorimi i shëndetit dhe higjienës si mjete marketingu është një metodë e vjetër. Richard Clarke, nga firma kërkimore Bernstein, vëren se një reklamë për Holiday Inn nga vitet 1970, theksonte pastërtinë si pikën kryesore të shitjes së zinxhirit, përpara vendndodhjes dhe rehatisë. Kjo do të përdoret sërish nga markat e mëdha. Njerëzit mund të jenë shumë pranues nëse e dinë se janë dezinfektuar plotësisht. Marriott tani krenohet me krijimin e një “Këshilli Global për Pastërtinë”.
Edhe aeroportet do t’i japin përparësi higjienës. “Mendoj se masat për të minimizuar kontaktin gjatë çdo përvoje udhëtimi, thjesht do të na shtyjnë për të kryer udhëtime pa kontakt”, thotë John Holland-Kaye, shefi i Heathrow. “Pasi hyni në terminal, do të skanoni pasaportën, sistemi do të marrë një foto të fytyrës tuaj dhe do të çoni çantat në vend”, më pas do të kaloni nëpër pikat e kontrollit teksa kamerat përdorin foton tuaj për të hapur portat.
Disa nga këto masa mund të tingëllojnë të ekzagjeruara, por qytetarët në rreth tre duzinë vendesh, tashmë mund të përdorin portat elektronike për të kontrolluar pasaportën në Heathrow dhe shumë aeroporte të tjera, dhe duke e kryer procesin pa folur me askënd. Masat e sigurisë mund ta ngadalësojnë procesin, por së shpejti mund të bëhet e mundur që laptopët dhe lëngjet të lihen brenda çantës. Automatizimi do të zvogëlojë nevojën për të prekur tabakatë ku vendosen sendet personale. Dezinfektuesit e duarve janë tashmë kudo. Pasi të zbatohen, ndryshime të tilla nuk ka të ngjarë të hiqen.
Në të kundërt, përvoja gjatë fluturimit mund të ndryshojë shumë më pak në një periudhë afatgjatë. Udhëtarët e vëmendshëm do të vërejnë ndryshime. Revistat në avionë me siguri do të zhduken. Vaktet e ushqimit mund të reduktohen në ushqime të shpejta dhe shishe me ujë për njëfarë kohe.
Të ngecur në mes
Por gjërat thelbësore – si ndenjëset e mesit në avionë – nuk do të hiqen. Linjat ajrore e kanë bërë të qartë se kjo do të shkatërronte modelin e tyre të biznesit, i cili kërkon që të mbushen rreth dy të tretat e vendeve të avionit për të pasur fitim. “Ne nuk mendojmë se është e nevojshme dhe gjithsesi alternativat e vetme janë ose nuk kryejmë fluturime, ose duhet të rrisim çmimet me 45-50%, ose 100% për disa linja ajrore”, thotë Alexandre de Juniac nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, trupi kryesor tregtar i aviacionit. Kostot e ulëta të karburantit do të ndihmojnë disi me shpenzimet operacionale, por linjat ajrore gjithashtu kanë kosto të larta fikse.
Në vend të kësaj, zoti De Juniac mbështet një sistem të koordinuar globalisht të kontrolleve dhe masave të sigurisë që përfshijnë deklarata shëndetësore nga pasagjerët, kontrollet e temperaturave në pikat e nisjes dhe të mbërritjes, përdorimin e gjerë të maskave dhe pastrimin e gjerë të avionëve. Disa nga këto ndryshime do të zgjasin dhe mund të rrisin kostot. Shtimi i numrit të pastrimeve në ditë do të zvogëlojë numrin e fluturimeve që mund të kryejë një avion dhe ekuipazh i vetëm. Kjo është veçanërisht e dëmshme për linjat ajrore me kosto të ulët, modelet e biznesit të të cilave mbështeten në qarkullime të shpejta.
Jo të gjitha këto ndryshime do të jenë universale. Njerëzit kanë shije të larmishme, arsye të ndryshme për të udhëtuar dhe gatishmëri të ndryshme për rrezik. Buxhetet gjithashtu diktojnë zgjedhjen e destinacionit dhe aktivitetit të tyre. Amerikanët që udhëtonin në Karaibe tashmë duhet të kënaqen me Floridën. Blerësit kinezë të mallrave luksoze mund t’i shpenzojnë paratë e tyre në dyqanet e shtrenjta kineze.
Por skocezët që kërkojnë diell ose sauditët që duan të arratisen nga vera e shkretëtirës do të duan të hipin në avion. Udhëtarët më të pasur, që mund të përballojnë fluturime të klasit të parë dhe suita private, do të kenë më pak arsye për t’u frikësuar nga sëmundjet. Vendet që tërheqin kryesisht të rinj, do të funksionojnë sa më afër normales të jetë e mundur, brenda udhëzimeve qeveritare. Askush nuk dëshiron të shkojë në një klub nate i distancuar nga shoqëria.
Linjat gjigante të kroçerave që mbajnë mijëra njerëz shpesh të moshuar, nuk do t’i tërheqin më njerëzit për një kohë të gjatë – ndoshta asnjëherë. Ato garantonin një fluks të qëndrueshëm vizitorësh në ishuj me burime të pakta. Një duzinë vendesh mbështeten në turizëm për të gjeneruar mbi 60% të të ardhurave të tyre nga eksporti, dhe të gjitha janë të mirënjohura për plazhet e tyre. Si rezultat, Karaibet kanë pësuar një rënie të vlerësimeve të kredisë. Nëse kurbat e udhëtimit nuk lehtësohen para sezonit të rëndësishëm të dimrit, rëniet do të bëhen standarde.
Vitet e fundit është tërhequr vëmendja mbi problemet e mbipopullimit nga turizmi për disa qytete superstar si Venecia dhe Barcelona. Por shumica e destinacioneve kanë gjetur një ekuilibër të lumtur midis turizmit dhe jetës normale. Janë pikërisht këto vende që e ndiejnë më tepër mungesën e turizmit. Siç thotë zoti Buttigieg, duke folur nga Malta e boshatisur nga njerëzit, “Askush nuk e kuptoi se sa i rëndësishëm ishte turizmi, derisa ai u zhduk.”
Eunews.al