Calavera: BE qëndron fuqimisht përkrah Shqipërisë në zbatimin e reformave




Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të KE-së Politikën Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera deklaroi sot se Bashkimi Europian qëndron fuqimisht përkrah Shqipërisë në zbatimin e reformave.
Në një postim në rrjetet sociale, Calavera theksoi se fokusi mbetet në rrugën e reformave pavarësisht vështirësive si tërmeti apo pandemia e COVID-19.
“E kënaqur që çel hap Komitetin e 11-të të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes BE dhe Shqipërisë dhe që shikoj kaq pjesëmarrje të mirë nga të dy palët. Ka qenë një kohë e vështirë me tërmetin e vitit të kaluar dhe COVID-19, por fokusi mbetet tek rruga e reformave: BE qëndron fuqimisht përkrah Shqipërisë në zbatimin e tyre!”, shprehet Calavera.
Komiteti i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndihmon Këshillin e Stabilizim Asociimit të mbikëqyrë zbatimin e MSA-së që hyri në fuqi në vitin 2009.
Komiteti përbëhet nga përfaqësues të Këshillit të BE dhe Komisionit Europian, nga njëra anë , dhe të përfaqësuesve të qeverisë së Shqipërisë nga ana tjetër.
Eunews.al
