×
Sunday, September 26, 2021

Bullgari: Populistët pengojnë krijimin e qeverisë populiste

August 14, 2021

Partia bullgare që doli fituese nga zgjedhjet në korrik nuk mundi të krijojë dot qeverinë. Do të votohet në vjeshtë në Bullgari për të tretën herë?

Në Bullgari janë hedhur zaret. Partia “Ka një popull të tillë” e shoumasterit Slavi Trifonov, që doli partia më e fuqishme nga zgjedhjet e korrikut, të dytat këtë vit, nuk e krijoi dot qeverinë. Pas bërjes së ditur nga partitë e tjera protestuese, “Bullgaria Demokratike”, “Ngrihu! Ne po vijmë” se nuk do ta mbështesin qeverinë e Trifonovit, më 10 gusht pastaj erdhi edhe pranimi i dështimit. Kreu i “Ka një popull të tillë”, që sipas njoftimeve të pakonfirmuara në media është sëmurur nga multiple skleroza, me këtë shkaktoi një krizë kushtetuese.

 “Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë, që grupi më i madh parlametar refuzon të krijojë qeverinë, megjithëse e ka informuar presidentin për kandidatin e vet për kryeministër”, shprehet Hristo Hristev, ekspert për Të Drejtën Europiane në Universitetin e kryeqytetit bullgar, Sofje. “Ky rast nuk është parashikuar në kushtetutë.” Në votimin parlamentar partitë kryesore bllokuan vetveten – Partia “Ka një popull të tillë” dhe ajo konservatore “Qytetarët për Zhvillimin Europian të Bullgarisë”, GERB. Vetëm më vonë u gjend një rrugë për ta miratuar tërheqjen e kandidatit të propozuar.

Slavi Trifonov kreu i partisë “Ka një popull të tillë”

Toni ashpërsohet

Me gjetjen e një zgjidhjeje të tillë nga parlamenti, hapet rruga për presidentin, Rumen Radev të ngarkojë me detyrën e krijimit të qeverisë partinë e dytë GERB. Por kreu i saj, Bojko Borisov e ka bërë të ditur që më 10 gusht, se do të kthejë mandatin. Ndërkohë konkurrenca politike është zhytur në sulme reciproke. Në një nga video-mesazhet tipike të tij, Trifonov bëri përgjegjëse partitë e tjera për dështimin e ekipit të tij në krijimin e qeverisë dhe i quajti ato “tradhtare”.

Zgjedhje parlamentare 11 korrik 2021

Tatjana Dontsheva, deputete e partisë së dalë nga protestat e verës 2020, “Ngrihu! Ne po vijmë” në intervistë me DW ngre akuza të rënda. “Përshtypja ime është se Slavi Trifonov u jep urdhëra njerëzve të tij, që nuk korrigjohen asnjëherë. Diskutime dhe vendime, këtë ata nuk e njohin. Këta njerëz, pavarësisht, nëse duan të bëhen të rëndësishëm apo se dikush ua ka thënë këtë, kundërshtojnë gjithçka që ka të bëjë me politikën përmbajtësore.”

Po kështu shprehet edhe Hristo Ianov, një nga kryetarët e Aleancës “Bullgaria Demokratike” në intervistë me DW. “E kemi thënë gjithmonë, ne do të mbështesim një qeveri të ndryshimit të vërtetë. Kjo [fjala është për partinë “Ka një popull të tillë”, shën.red.] qeveri ishte qeveria më e dobët e krijuar ndonjëherë. Nuk mund ta heq nga mendja, se ky ishte një rezultat i qëllimshëm”, shton Ivanov. Pas manovrave ka një strategji për të krijuar një qeveri pakice me çdo çmim.

Nga ana tjetër Ivanov përpiqet të mos i prishë të gjitha urat e komunikimit, duke thënë, se duhet të flasim të paktën për një qeveri që ofron siguri për 6 apo 8 muajt e fundit. Sipas tij të gjitha partitë, veç GERB dhe partisë së pakicës turke, “Lëvizja për të Drejta dhe Liri” kanë detyrimin të flasin për një qeveri të tillë të kufizuar në kohë.

Hristo Ivanov

Ndryshime kabineti çdo javë dhe kërkesa të çuditshme

Grindja që kulmoi këto ditë mes partive “Ka një popull të tillë”, “Bullgaria Demokratike” dhe “Ngrihu! Ne po vijmë” kishte kohë që ziente. Të tre formacionet partiake i bashkon qëllimi të largojnë nga pushteti kryeministrin e kontestuar dhe prej vitesh në post, Bojko Borisov, të luftojnë korrupsionin dhe të kryejnë një reformë të nevojshme në drejtësi.

Që nga zgjedhjet në korrik, kur Partia “Ka një popull të tillë” doli fituese, kreu i saj përditë dilte me ide të reja që i bënte të ndjeheshin të fyer aleatët politikë. Në vend të një koalicioni formal me marrëveshje koalicioni, Trifonov kërkonte thjesht mbështetje parlamentare. Në vend të ujdive për planet politike në të ardhmen diskutohej me javë për anëtarët e një kabineti të mundshëm.

Disa herë kjo parti e vinte opinionin para fakteve të kryera dhe prezantoi jo më pak se tre qeveri në katër javë. Habi shkaktoi Trifonov me kërkesën e çuditshme ta bënte prioritet të qeverisë së re dërgimin e astronautëve bullgarë në gjithësi. Kush shpresonte, se me largimin e Borisovit u erdhi fundi ujdive në dhomat e pasme, mori një mësim  të ri këto javë. Partia GERB e Borisov pas akuzave për korrupsion dhe protesta masive është e izoluar politikisht.

Ish-kryeministri Bojko Borisov

Borisovi – i treti që qesh?

Por pa Partinë “Ka një popull të tillë” dhe unitetin e partive të protestës nuk mund të krijohet mazhoranca. Nëse do të ishte e aftë për qeverisje një parti pakice, si e propozon Hristo Ivanov, kjo është mëse e pasigurtë. E nëse të gjitha këto përpjekje dështojnë, Bullgaria duhet në vjeshtë të shkojë në votime për të tretën herë brenda gjashtë muajve. Për shkak se në të njëjtën kohë zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale ka rrezik të veljes nga politika.

Ai që do qeshte në këtë rast do ishte Bojko Borisov, që në korrik nga kryeministri bavarez, Markus Söder dhe kreu i partive popullore në Parlamentin Europian, Manfred Weber u quajt garant për stabilitet në Bullgari. “Rregull në kaos”, slogani elektoral i GERB në vjeshtë mund të duket më tërheqës se sa premtimi për astronautë bullgarë në gjithësi.

Eunews.al

Comments are closed.