Britania e Madhe, tre miliardë sterlina për rimëkëmbjen ekonomike
Ministri britanik i Financave, Rishi Sunak parashikon të njoftojë nesër një plan të gjerë postkoronavirus që do të përfshijë tre miliardë sterlina (3,3 miliardë euro) dedikuar punësimeve “të gjelbra” për të ridinamizuar punësimin dhe për të mbrojtur mjedisin.
“Dy miliardë do të shkojnë për rinovimin dhe një izolim më të mirë të ndërtesave private dhe më shumë se një miliardë për ndërtesat e sektorit publik si shkolla, spitale dhe banesa sociale”, thekson një komunikatë e Thesarit britanik.
Ky plan parashikon krijimin e mijëra vendeve pune më sektorë të tillë si ndërtimi për të bërë vendin “më të gjelbër dhe për të ndihmuar në arritjen e objektivave të neutralitetit të karbonit në 2050”, vijon komunikata.
Qeveria britanike planifikon të rinovojë qindra mijëra banesa në sajë të subvencioneve prej 5 000 sterlinash për njësi, 10 000 për familjet me të ardhura të ulëta, për të përmirësuar efikasitetin e energjisë së banesave.
“Qeveria konservatore Boris Johnson planifikon të krijojë deri në 5 000 vende punë të gjelbra, me një vlerë prej nga 40 milionë sterlina për të mbështetur projektet e OJQ-ve mjedisore dhe autoritetet lokale për të zbukuruar peizazhet britanike, përfshirë mbjellja e pemëve, pastrimi i lumenjve dhe krijimi i hapësirave të reja të gjelbra ”, detajon komunikata.
Plani i rimëkëmbjes që do të prezantohet nga Sunak përfshin gjithashtu 111 milionë sterlina për të inkurajuar kompanitë që të ofrojnë praktikë për të rinjtë. Ata do të marrin 1 000 sterlina për kursantin i cili ka një formim cilësor.
Eunews.al