Borrell: BE do të sanksionojë sipërmarrësit dhe kompanitë bjelloruse



Bashkimi Europian do të përgatisë sanksione kundër sipërmarrësve dhe krerëve të kompanive pranë regjimit në pushtet në Bjellorusi, me synimin për t’i dhënë fund shtypjes në këtë vend, njoftoi sot kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.
“Ne kemi vendosur të vazhdojmë me një seri të re sanksionesh në përgjigje të brutalitetit të autoriteteve dhe ato do të prekin individë, por edhe institucione, drejtues biznesi dhe kompani”, tha ai pas një videokonference me ministrat e Jashtëm të BE-së.
“Këto sanksione do të ndikojnë në aktivitetet ekonomike të vendit”, shtoi Borrell.
Ai sqaroi se shtetet anëtare duhet të identifikojnë tani synimet për sanksionet e ardhshme dhe të mbledhin prova të mjaftueshme për të shtuar emra në listën e zezë të BE-së.
Takimi i ardhshëm i ministrave të Jashtëm të Bllokut është caktuar për në 7 dhjetor dhe nevojitet unanimitet.
Eunews.al
