Blinken: SHBA e përkushtuar ndaj diplomacisë, por e gatshme edhe për kundërpërgjigje për zgjidhjen e çështjes ukrainase



Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po përpiqet të zbusë çështjen me Moskën në lidhje me Ukrainën teksa u takua sot në Gjenevë me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Bisedimet e Blinken në qytetin zviceran filluan këtë mëngjes në hotelin historik ”Wilson”, pranë liqenit të Gjenevës.
Dy të dërguarit kryesorë shtrënguan duart para kamerave përpara flamujve rus dhe amerikanë përpara se të fillonin diskutimin.
”SHBA dhe aleatët e tyre janë të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe dialogut”, i tha Blinken Lavrovit në një prononcim të shkurtër me gazetarët, përpara një sesioni me dyer të mbyllura që zgjati një orë e gjysmë.
“Por, ne jemi gjithashtu të përkushtuar, nëse kjo rezulton e pamundur dhe Rusia vendos të ndjekë agresionin kundër Ukrainës, për një përgjigje të bashkuar, të shpejtë dhe të ashpër”, shtoi Blinken.
Blinken e quajti këtë takim një “moment shumë të rëndësishëm”.
Të dy përfaqësuesit minimizuan rezultatet nga ky takim, me Lavrovin që theksoi se ”Rusia nuk priste ndonjë përparim, por ishte e etur për të marrë përgjigje konkrete për garancitë e propozuara të sigurisë”.
Takimi i tyre pason një raund të furishëm të diplomacisë së të ashtuquajturës ”shuttle diplomacy”, thënë ndryshe diplomacia ku një palë e tretë shërben si ndërmjetëse mes palëve në konflikt.
Ndërsa SHBA dhe aleatët e saj perëndimorë po bëjnë thirrje për tërheqjen e trupave ruse, Moska po bën thirrje për disa garanci sigurie dhe një fund të zgjerimit drejt Lindjes të aleancës ushtarake të NATO-s.
Rusia gjithashtu nga ana e saj kundërshton ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, ku ka pasur një konflikt në lindje midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase që nga viti 2014.
“Gjithçka që po përpiqemi të bëjmë është të sigurohemi për më të mirën e aftësisë sonë. Ukraina ka mjetet për të mbrojtur veten dhe kjo ndoshta mund të dekurajojë agresionin e mëtejshëm nga Rusia”, theksoi Blinken.

