Blinken: NATO është e gatshme nëse “konflikti vjen tek ne”



Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, ka deklaruar se NATO preferon të shmangë konfrontimin me Rusinë, por është e gatshme nëse “konflikti vjen tek ne”.
“NATO është një aleancë mbrojtëse. Ne nuk kërkojmë asnjë konflikt. Por nëse konflikti vjen tek ne, ne jemi gati për të”, tha Blinken para udhëtimit për një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel mes shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s.
Në krye të agjendës së NATO-s do të jetë lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe përgjigja e aleancës ndaj saj. Blinken u zotua se NATO do të mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të saj.
Në një fjalim para hyrjes në takim, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dënoi “pushtimin brutal rus të Ukrainës” dhe sulmet ndaj civilëve.
Stoltenberg theksoi se raportet e fundit për trupat ruse që sulmuan centralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën lindore “dëshmojnë pamaturinë e kësaj lufte”.
Ai po ashtu përsëriti thirrjen e NATO-s për Rusinë që të tërheqë të gjitha trupat e saj dhe të angazhohet në bisedime diplomatike.
Në këtë takim marrin pjesë edhe shefat e diplomacisë së Suedisë dhe Finlandës, si dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell.
Javën e kaluar, NATO vendosi të aktivizojë planet e saj të mbrojtjes duke i mundësuar aleancës vendosjen më të lehtë të forcave të saj në territorin e NATO-s.
Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, Moska është ballafaquar me dënime nga komuniteti ndërkombëtar, me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në që po zbatojnë një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë vrarë të paktën 227 civilë dhe 525 të tjerë janë plagosur. Megjithatë, autoritetet ukrainase thonë se numri i civilëve që humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse është mbi 2 mijë.

