×
Thursday, May 19, 2022

Blinken: Moska u përpoq të dobësonte institucionet demokratike të Ukrainës

January 19, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qortuar sërish ashpër Rusinë për konfliktin me Ukrainën pas bisedimeve me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev.

“Moska ka kërkuar sistematikisht të dobësojë institucionet demokratike të Ukrainës, si dhe të përçajë shoqërinë ukrainase duke përdorur gjithçka, nga ndërhyrja në zgjedhje te dezinformimi e deri te sulmet kibernetike”, tha Blinken pas takimit me stafin e ambasadës amerikane në Kiev, ku ndodhej edhe homologu i tij ukrainas Dmytro Kuleba.

“Aktualisht, Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në kufirin ukrainas”, tha Blinken duke paralajmëruar se ky numër mund të dyfishohet në një kohë relativisht të shkurtër.

Blinken theksoi dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën përmes vizitës së tij, në një kohë kur “siguria, prosperiteti, demokracia , e drejta e saj themelore për të ekzistuar si një komb sovran i pavarur po përballen me një sfidë e paprecedentë nga Rusia”.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni të planeve ruse për të rritur edhe më shumë numrin e trupave pranë kufirit ukrainas menjëherë.

“Kjo do t’i jepte presidentit rus Vladimir Putin kapacitetin, gjithashtu në mënyrë të menjëhershme, për të ndërmarrë veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës”, shtoi ai.

“Dy muajt e fundit, ne kemi qenë të fokusuar intensivisht tek Ukraina për shkak të rritjes së konsiderueshme të forcave ruse pranë kufirit ukrainas”, tha Blinken.

Blinken mbërriti sot në Ukrainë mes tensioneve të rënda dhe shqetësimeve se konflikti i vazhdueshëm i Ukrainës me Rusinë mund të jetë në prag të nxehjes për shkak të provokimit rus.

Comments are closed.