×
Sunday, January 18, 2026

Blinken dënon veprimet përshkallëzuese dhe të paligjshme të Kinës

July 27, 2024


Kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken denoncoi sot “veprimet përshkallëzuese dhe të paligjshme” të Pekinit në Detin e Kinës Jugore, pak përpara takimit me homologun e tij kinez në Laos, në kuadër të një takimi rajonal.

Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Vientiane sot në mëngjes, në ditën e parë të një turneu të ri në Azi, gjatë të cilit ai synon të riafirmojë udhëheqjen e SHBA përballë ndikimit në rritje të Kinës.

Ai e bëri thirrje për promovimin e “një rajoni të lirë, të hapur dhe të begatë Indo-Paqësor”, një referim kritik për Kinën dhe ekonominë e saj, ambiciet territoriale dhe strategjike në rajon.

”SHBA dhe ASEAN-i duhet të punojnë së bashku për të adresuar sfidat”, u tha Blinken ministrave nga 10 vendet anëtare të bllokut rajonal, përfshirë “veprimet përshkallëzuese dhe veprimet ilegale të kryera nga Kina kundër Filipineve, në muajt e fundit”.

Bisedimet vijnë mes tensioneve të larta në Detin e Kinës Jugore, ku një sërë përplasjesh kanë ndodhur muajt e fundit midis anijeve filipinase dhe kineze për shkëmbinj nënujorë të diskutueshëm.

Pekini dhe Manila arritën një marrëveshje paraprake për shkëmbinjtë nënujorë, javën e kaluar, por marrëdhëniet midis dy vendeve mbeten të ngrira.

Blinken do të takohet pasdite me homologun e tij kinez, Wang Yi.

Takimi me diplomatin e lartë kinez pritet të jetë i tensionuar.




Comments are closed.