×
Sunday, September 19, 2021

Bjellorusia refuzon ambasadoren amerikane

August 12, 2021

Qeveria e udhëheqësit autoritar bjellorus Aleksandër Lukashenko i është kundërpërgjigjur raundit më të fundit të sanksioneve amerikane, duke kërkuar që Uashingtoni të reduktojë në pesë persona stafin e ambasadës në Minsk deri më 1 shtator.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë Anatol Glaz tha gjatë një interviste që u publikua në faqen e internetit të ministrisë më 11 gusht, se Minsku gjithashtu ka tërhequr miratimin për emërimin e Julie Fisher, si ambasadore e SHBA-së në Bjellorusi.

“Duke marrë parasysh se Bjellorusia ka humbur besimin në administratën aktuale amerikane, ne pezullojmë bashkëpunimin për të gjitha projektet, grantet dhe programet e reja të koordinuara nga qeveria amerikane derisa të kthehet besimi”, tha zoti Glaz, duke shtuar se Minsku rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime shtesë në të ardhmen.

Zonja Fisher, ambasadorja e parë amerikane në Bjellorusi që nga viti 2008, u konfirmua nga Senati në dhjetor 2020, por ajo nuk ka qenë në gjendje të marrë postin e saj në Minsk pasi qeveria bjelloruse nuk pranon ta pajisë me vizë.

Intervista e zotit Glaz u shfaq pasi Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja njoftuan sanksione të reja tregtare dhe financiare ndaj Bjellorusisë më 9 gusht, një vit pas zgjedhjeve presidenciale që zgjatën sundimin prej disa dekadash të zotit Lukashenko si dhe ndezën një valë të pashembullt protestash mes akuzave se votat ishin manipuluar.

Zoti Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, reagoi ndaj protestave me një goditje brutale. Më shumë se 32 mijë njerëz janë ndaluar, mijëra janë rrahur nga policia në rrugë dhe në paraburgim dhe ka dyshime se shumë janë torturuar. Autoritetet kanë burgosur disa nga drejtuesit e opozitës, një pjesë e të cilëve janë detyruar të largohen nga vendi.

Gjatë një interviste të martën me shërbimin rus të Zërit të Amerikës, zonja Fisher tha se zgjedhjet e vitit të kaluar që shkaktuan protestat “përfaqësuan një pikë kthese në pikëpamjen tonë për ngjarjet në Bjellorusi”.

Ne pamë natyrën mashtruese të atyre zgjedhjeve në një mënyrë që nuk e kemi parë kurrë më parë. Provat mbi manipulimin e numerimit, keqpërdorimit të votës, mungesës së gatishmërisë për të pranuar vëzhgues ndërkombëtarë, e gjithë kjo krijoi një dinamikë ku zëri i njerëzve që refuzuan ato votime të manipuluara ishte tejet i qartë në vitin 2020“, tha zonja Fisher.

Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kanadaja, Britania dhe vende të tjera goditën zotin Lukashenko, rrethin e tij të ngushtë dhe firmat bjelloruse me disa raunde sanksionesh, duke e izoluar atë ndërkombëtarisht dhe duke rritur varësine e këtij vendi më shumë se kurrë nga mbështetja ruse.

Eunews.al

Comments are closed.