×
Saturday, October 23, 2021

Betejat heroike për Shkodrën: Roli i Esat Pashë Toptanit dhe Hasan Riza Pashës, tentativa për të futur malësorët në radhët e mbrojtësve

September 18, 2021

Nga Dr.Hasan Bello*

Në historinë e shqiptarëve të shekullit XX-të lufta më e madhe është Lufta për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez në vitet 1912-1913. Por, për arsye subjektive, në historiografinë e pas vitit 1944, është mbajtur heshtje e qëllimshme. Në radhë të parë kjo lidhet me figurën e Esat Pashë Toptanit; e dyta, për shkak të marrëdhënieve me sllavët gjatë periudhës së komunizmit; e treta, për shkak se në këtë luftë shpaloset më qartë se kurrë aleanca e shqiptarëve me osmanët, që ishin në largim e sipër, kundër popujve sllavë.

Një nga objektivat e pansllavizmit, që në këtë periudhë përkoi me interesat e shteteve europiane ishte largimi osmanëve nga Europa. Ndërkoh qeveria osmane ishte e painformuar për proceset ballkanike, që ishin në disfavorin e saj.

Në vend që të përgatitej, ajo kërkoi me insistim çmobilizimin e ushrarëve aktivë. Duke besuar se nuk do të kishte luftë, ajo bëri atë që kërkonin armiqtë.  Aq shumë e pa informuar ishte Perandoria Osmane saqë nuk ia vuri veshin as raporteve të shtypit të huaj, i cili në mënyrë të përsërirtur botonte artikuj mbi përgatitjen e këtyre shteteve, për luftë të përbashkët kundër perandorisë.

Ajo që i nxiti shtetet ballkanike për të lidhur një aleancë mes tyre ishte kryengritja shqiptare e pranverë-verë 1912, e cila e detyroi Perandorinë Osmane që në muajin gusht t`i njihte shqiptarëve një lloj autonomie administrative.

Kjo bëri që ballkanasit të nxitonin për t`i aneksuar territoret shqiptare përpara se ata të shkëputeshin dhe të shpallnin pavarësinë. Në këtë mënyrë, pushtimin e tyre në sytë e opinionit publik dhe kancelarive europiane do ta shpalosnin si një e drejtë legjitime të fituar në luftë kundër osmanëve.

***

Në aspektin gjeostrategjik qyteti i Shkodrës ishte një nga pikat më nevralgjike të perandorisë. Rëndësia e këtij qyteti vinte për shkak se aty interferonin interesat e disa shteteve. Kështu, ajo ishte po aq e rëndësishme në të njëjtën kohë për Perandorinë Osmane, Austro-Hungarinë, Italinë, Rusinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Por më i interesuar nga të gjith shtetet fqinjë ishte Mali i Zi, i cili si një vend i varfër malor, nuk kishte asgjë dhe ishte gjithmonë në kërkim të një toke pjellore dhe natyre të pasur për të përmirësuar kushtet e jetesës. Për dinastinë malazeze, qyteti i Shkodrës ishte kthyer në një lloj kredoje politike. Ajo kishte vite që në emër të ekspansionit dhe nacionalizmit malazez, ushqente tek popullsia e saj mikroskopike një aspiratë absurde. Prandaj, Mali i Zi do jetë një nga shtetet e para që në emër të aleancës ballkanike më 8 tetor 1912 do t`i shpallte luftë Perandorisë Osmane.

Kjo e fundit duke nisur që nga viti 1910 e kishte shpallur Shkodrën zonë strategjike dhe kishte filluar një lloj mobilizimi. Megjithatë fortifikimet e saj nuk kishin rezultuar efektive. Një delegacion ushtarak osman, i drejtuar nga marshall Fevzi Çakmak gjatë inspektimit që i bëri qytetit përpiloi një lloj rajonizimi, ose plani mbrojtjeje në rast sulmi nga shtetet armike. Ai kërkoi gjithashtu krijimin e disa garnizoneve shtesë.

Por, fatkeqsisht nga 21 garnizone që ishin planifikuar u krijuan vetëm 10 dhe nga 15 bateri u pozicionuan vetëm 8. Përveç këtyre u ngritën edhe disa baraka, linja dekovili, ujë i pijëshëm në disa mini fronte dhe disa llogore. Sidoqoftë ushtrisë osmane i mungonte municioni i mjaftueshëm për të luftuar për një kohë të gjatë e me disa shtete.

Në përgjithësi oficerët osmanë ishin të përgatitur. Në Komandën e Divizionit ishte hapur edhe një qendër arsimi ku bënin kurs kompanitë që shërbenin jashtë Shkodrës. Por megjithatë problemi më i madh i ushtrisë osmane në këtë periudhë mbeti përfshirja e oficerëve në politikë, duke nxitur përçarjen dhe demoralizimin.

Nga ana tjetër e kufirit qëndronte ushtria malazeze, e cila në fakt ishte një organizatë paraushtarake ku komandant i përgjithshëm ishte mbreti. Në kohë paqeje ushtria malazeze, nuk funksiononte. Ajo përbëhej nga dy divizione mësimore këmbësorie, të përbëra seicila nga katër kompani, një bateri mësimore, një bateri malore, një skuadër kalorësish për mbrojtjen e mbretërisë dhe një kompani xhenjo.

Ajo që duhet theksuar është se për shkak të propagandës dhe mbështetjes së Rusisë e Serbisë apo furnizimit që këto të fundit i bënin ushtrisë malazeze me municion, morali i saj ishte tepër i lartë. Prandaj marrja e qytetit të Shkodrës nga oficerët dhe ushtarët malazezë do të kthehet në çështje jetë a vdekje.

Lajmi se Mali i Zi i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane erdhi në Komandën e Shkodrës më 9 tetor 1912. Ushtria malazeze e filloi sulmin në tre drejtime: në veri, jug dhe në qendër, duke krijuar kështu një lloj dare për ta detyruar ushtrinë osmane të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër.

Por për shkak të përgatitjeve dhe fortifikimeve që ishin realizuar pas kryengritjes së malësorëve shqiptarë në pranverë-verë të vitit 1911, goditjeve të para iu bë rezistencë pa shumë vështirësi. Një rol të rëndësishëm për këtë, krahas Komandantit të mbrojtjes, Hasan Riza Pashës do të luajnë edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, anëtarët e shtatmadhorisë, oficerët Nazif Gyrman, Abdurrahman Nazif dhe Kermedin Koxhaman. Këta oficerë krahas Esat Pashë Toptanit dhe forcave rezerviste shqiptare kanë mbajtur peshën kryesore gjatë gjithë luftës.

Dezertimet e para

Dezertimet filluan që me fillimin e luftës. Kjo për shkak se ushtarët osmanë që ishin mobilizuar për të shtypur kryengritjen e malësorëve të vitit 1911, duhej të çmobilizoheshin me përfundimin e saj. Por për shkak të shpërthimit të Luftës Italo-Turke në Triploli ky urdhër ishte anuluar. Ushtarët e vjetër u urdhëruan të vazhdonin shërbimin derisa të rinjtë të mësonin përdorimin e armës. Në fillim të vitit 1912 këta ushtarë përbënin pjesën dërrmuese të njësive të Shkodrës. Ata u ngritën kundër këtij vendimi dhe kërkuan çmobilizimin nga radhët e ushtrisë. Përpjekjet e Hasan Riza Pashës për t`i bindur të mos largoheshin dështuan.

Ai ishte i pafuqishëm për t`i frikësuar dhe nuk donte që në radhët e ushrisë të lindte përplasja. Kjo edhe për një arsye tjetër. Një pjesë e tyre kishte marë pjesë në ngjarjet e Revolucionit dhe Kundërrevolucionit xhonturk të vitit 1908-1909 dhe në disa kryengritje. Nënshtrimi i tyre me forcë nuk ishte aspak i lehtë. Sipas tij, e vetmja gjë që mund t`i disiplinonte ata ishte dhuna. Por kjo duhej bërë me zgjuarsi. Rebelimi i këtyre forcave zgjati për një javë. Kur e pa se nuk kishte rrugë tjetër, pasi i mori armët, ai u dorëzoi librezat dhe i la të lirë.

Nga ana tjetër, ditën që do të largoheshin u zuri pusi në Qafën e Pukës, ku disa prej tyre mbetën të plagosur, ndërsa pjesa tjetër u detyrua ca nga zori e ca nga frika të ktheheshin në Shkodër. Udhëheqësit kryesorë të këtij rebelimi u kapën dhe u dënuan. Sipas një burimi, ata që u kthyen ishin gati 3000 vetë me të cilët u formua një batalion.

Mbrojtja e Shkodrës: luftime të përgjakshme

Për mbrojtjen e Shkodrës luftonin 28.450 trupa të rregullta të reparteve ushtarake turke, të inkuadruar në Divizionin e 24, që ishte i shpërndarë në disa pika, duke filluar që nga Lezha deri në kufi me Malin e Zi. Në krye të tyre qëndronte Hasan Riza Pasha, me origjinë nga Bagdati, i shkolluar në Stamboll dhe më pas në Akademinë Ushtarake në Berlin. Kjo kishte bërë që krahas aftësive profesionale, ai të kishte dhe një karakter të rreptë, që buronte nga edukimi gjerman. Me ardhjen e xhonturqve në pushtet pas vitit 1908, Hasan Riza Pasha ishte njëri nga ata ushtarakë që ishte çgraduar nga gjeneral në kolonel. Por me fillimin e luftës, ai do të gradohet përsëri, për shkak se zëvendsësi i tij, Esat Pashë Toptani, ishte një gradë më sipër.

Hasan Riza Pasha gjatë gjith luftës do të përpiqet me të gjitha forcat për ta mbrojtur qytetin dhe popullsinë shqiptare nga agresioni serbo-malazes. Kjo edhe kur Shtabi i Përgjithshëm Osman, pas nënshkrimit të armëpushimit me aleancën-ballkanike, do ta urdhëroi për ta dorëzuar qytetin.

Një rol të rëndësishëm në Luftën e Shkodrës do të luajnë edhe forcat vullnetare të komanduara nga Esat Pashë Toptani. Ky divizion redifësh përbëhej nga shqiptarë të ardhur nga Dibra, Mati, Elbasani, Shijaku, Ndroqi, Kavaja, Tirana, Kruja.

Nga Dibra kishin ardhur 3000-4000 forca vullnetare nën kryesinë e Isuf bej Hysenagollit, nga Puka 400 me në krye Mustafa agë Kryeziun e kështu me radhë. Sipas historianit britanik, Joseph Swire forcat vullnetare shqiptare i kalonin 10.000 vetat.

Qyteti mbrohej nga dy vija: njëra që përbëhej nga kodrat që e rrethonin dhe kështjella që ishte në gjendje të mirë, e dyta, nga fortifikatat e ngritura në malin e Taraboshit, kodrat e Bërdicës, Beltojës, Vukatanës, Bardhajve etj. Në këto pozicione u vendosën rreth 25.000 forca, ndërsa grykat e zjarrit mbi lartësitë dhe të futura thellë në tokë.

Shkodra e rrethuar ndahej në katër zona, të cilat ishin dhe frontet kryesore ku u zhvilluan luftimet: në veri, pjesa mes liqenit të Shkodrës dhe lumit të Kirit u quajt zona e fushës (fronti i Shtojit); në lindje, pjesa mes Kirit dhe Drinit (fronti i Bardhanjorit); në jug, pjesa mes Bunës dhe Drinit (fronti i Bërdicës); në perëndim, zona nga liqeni i Shkodrës dhe Bunës deri në malin e Taraboshit (fronti i Taraboshit).

Sulmet e ushtrisë malazeze e cila mbështetej me armatim dhe një numër i konsiderueshëm forcash edhe nga ushtria serbe, ishin të furishme. Bombardimet e artilerisisë sipas dëshmitarëve të kohës krijuan një gjendje jashtzakonisht të nderë, jo vetëm për ushtrinë, por dhe për banorët e qytetit. Shkodra ishte kthyer në një ferr dantesk. Turma fshatarësh, gra, fëmijë dhe pleq, me ndonjë bagëti, të pushtuar nga urija mësynin drejt qytetit.

Problemi i bukës ishte më i mprehti. Uria po bëhej çdo ditë e më e papërballueshme. Lypësit shtoheshin nga dita në ditë. Për të menaxhuar situatën autoritetet osmane morën nën kontroll rezervat ushqimore, lëndën djegëse dhe çdo që nevojitej për popullin dhe ushtrinë. Kjo nuk i erdhi mirë shumë tregtarëve, të cilët me këto burime siguronin jetesën.

Në fillim të luftimeve malazezët ishin të bindur se Shkodrën do ta merrnin brenda pak ditëve. Por kur vunë re organizimin dhe mbrojtjen e qytetit, nuk ishin më entuzistë. Për të arritur synimin e tyre ata filluan të përdornin intrigën. Nëpërmjet gazetave, trakteve dhe agjentëve të tyre u përpoqën të nxisnin tek popullsia shqiptare ndjenjën e disfatizmit. Përgjigjja e Hasan Riza Pashës dhe Esat Toptanit qe e menjëhershme. Në muret e Shkodrës ata vendosën shpallje se çdo kush që shprehej për dorëzim do të pushkatohej në vend. Hyrja dhe dalja nga qyteti u ndalua. Asnjë ankesë nuk lejohej.

Betejat e zhvilluara në Tarabosh, Beltojë, Zadrimë, kodrat e Bardhanjorit ishin të përgjakshme dhe shkaktuan një numër të madh viktimash nga të dyja palët. Për të shtuar presionin mbi popullsinë dhe forcat e mbrojtjes, malazezët godisnin me artileri gjatë natës, duke shkaktuar panik dhe frikë të jashtzakonshme. Trupat malazeze drejtoheshin nga mbreti Nikollë i cili deklaronte se do të luftonte deri në fishekun dhe dhinë e fundit. Në vendet që pushtonin ata silleshin ngadhënjimtarë, duke konfiskuar çdo send, rekuizonin sanën dhe gjënë e gjallë, grabisnin shpendët dhe gjithçka që u dilte përpara.

Për t`ia arritur objektivave të tyre, malazezët arritën të përfitonin nëpërmjet mashtrimit dhe komprementimit edhe nga malësorët katolikë, të cilët për fat të keq luajtën një rol të madh në goditjen e forcave të mbrojtes. Por dhe ata filluan ta kuptojnë se premtimet e malazezëve ishin po aq të pavlerë sa ato të xhonturqve.

Më 3 dhjetor 1912 Perandoria Osmane u deklarua e mundur dhe filloi bisedimet për nënshkrimin e paqes. Ndërsa forcat osmano-shqiptare të drejtuara nga Hasan Rizai dhe Esat Pasha vazhduan qëndresën. Përfaqësuesi gjerman në Cetinë me anën e një deputeti malazez i dërgoi Hasan Riza Pashës komunikatën e Portës së Lartë për nënshkrimin e armëpushimit me Aleancën Ballkanike. Por ai nuk hoqi dorë nga mbrojtja dhe deklaroi se nuk e konsideronte atë si një komunikatë zyrtare.

Kjo ndikoi jashtzakonisht shumë në arenën ndërkombëtare. Ministri serb në Vjenë, Jovanoviq, i shkruante Nikolla Pashiqit më 31 dhjetor 1912 se Austro-Hungaria do t`u krijonte vështirësi aleatëve përsa i përket çështjes së Shkodrës.

Ministri i Jashtëm austro-hungarez, Bertholdi i kishte deklaruar atij se Vjena e konsideronte Shkodrën si qendrën kryesore të shqiptarëve katolikë dhe se ajo duhej t`i mbetej Shqipërisë, edhe për faktin se malazezët nuk kishin arritur që ta merrnin atë me luftë.

Mbreti Nikolla nuk hoqi dorë nga marrja e Shkodrës as nga presioni austro-hungarez e as nga këshillat e ruse se, e ardhmja e këtij qyteti do të vendosej në Konferencën e Ambasadorëve. Ai vazhdonte me ngulm luftën, me shpresën se Shkodra do të binte shpejt.

Ky opinion ekzistonte dhe në kancelaritë europine. Por këto llogari dolën të gabuara. Kjo për shkak se si osmanët ashtu dhe shqiptarët luftonin për një kauz të drejtë, e cila nuk kishte të bënte më me Perandorinë Osmane.

Bertholdi këtë aspekt e vlerësonte saktë kur theksonte se, rezistenca e pamposhtur për mbrojtjen e Shkodrës, ishte më tepër një provë e vendosmërisë me të cilën luftonin shqiptarët për ta mbrojtur këtë qytet të banuar vetëm e vetëm prej tyre, se sa një sukses i armëve të Perandorisë Osmane.

Sulmet e ashpra dhe uria e madhe bëri që në raadhët e ushtarëve osmanë dhe forcave shqiptare të shfaqej pesimizmi. Këta ishin thirrur nën armë nga Esat Pasha vetëm për pak kohë, por kishin kaluar tre muaj nën zjarrin e ushtrisë serbo-malazeze dhe fundi nuk shihej kund.

Mirëpo largimi i vullnetarëve shqiptarë do të thoshte dorëzim i Shkodrës, prandaj Hasan Riza Pasha dhe Esat Pasha morën masa duke prishur kompaktësinë dhe duke i shpërndarë të demoralizuarit në llogore të ndryshme.

Qeveria e Përkohëshme e Vlorës e cila ishte krijuar me 28 nëntor 1912, shpresonte se Esat Toptani do ta vazhdonte qëndresën kundër serbo-malazezëve duke lehtësuar kështu bashkimin e tokave shqiptare.

Por, nga ana tjetër, ajo nuk mori asnjë masë për të dërguar në Shkodër, në mënyrë simbolike, asnjë ushtar. Kjo është një përgjegjësi morale dhe politike që duhet analizuar me kujdes, për ato rrethana. Përkundrazi, në janar të 1913, ajo i drejtoi Esat Pashës një letër me të cilën e ftonte “ta bënte të pavdekshme jetën e kombit, duke ngritur flamurin shqiptar”. Mirëpo Esat Pasha nuk e pranoi këtë propozim.

Nuk dihen motivet, por logjikisht, njëri prej tyre ishte fakti se për mbrojtjen e Shkodrës rol kryesor dhe dominues në aspektin sasiorë ishin duke luajtur forcat osmane, tek të cilët ngritja e flamurit shqiptar mund të shkaktonte pakënaqësi. Megjithatë Hasan Riza Pasha në bashkëpunim me disa drejtues të klerit katolik të Shkodrës kishte hyrë ne negociata me disa drejtues fisesh malësorësh katolikë, që kundrejt ngritjes së flamurit shqiptar në kala, ata të braktisnin radhët e ushtrisë malazeze. /abcnews.al

*Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Lufta e Shkodrës 1912-1913 (1)

Eunews.al

Comments are closed.