×
Sunday, September 26, 2021

Beteja e Kosovës dhe Serbisë për investime në veri

August 28, 2021

Në komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, për dallim prej komunave tjera me shumicë serbe në Kosovë, vazhdojnë të investojnë edhe Kosova dhe Serbia.

Në këto komuna po ashtu investohet edhe nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit. Me gjithë investimet e shumta, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, nuk janë të kënaqur dhe kërkojnë më shumë investime në prodhim që do të rriste edhe numrin e të punësuarve.

Ndërkaq, shoqëria civile në Prishtinë vlerëson se ka mungesë të transparencës sa u përket investimeve kapitale në këto komuna.

Investimet e Serbisë në veri

Serbia nga buxheti i saj për vitin 2021 ka ndarë 91.8 milionë euro për financimin e institucioneve paralele dhe aktiviteteve të saj në Kosovë.

Pjesa më e madhe e shumës prej 91.8 milionë euro që është ndarë për Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, rreth 43.7 milionë euro shkon për të mbështetur funksionimin e institucioneve paralele dhe organizatave të tjera në Kosovë.

Serbia do të investojë mbi 23 milionë euro në përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës serbe dhe joshqiptare që jetojnë në Kosovë.

Nga buxheti i ndarë për Kosovën nga Qeveria serbe rreth 2.59 milionë euro janë për “mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe aktivitetet kulturore”.

Po ashtu përmes Ministrisë së Arsimit të Serbisë ndahen rreth 23.8 milionë euro për të mbështetur punën e të ashtuquajturit Universitet i Prishtinës me qendër në Mitrovicën e Veriut, i cili punon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe përmes një investimi prej 14 milionë eurosh, është duke e përfunduar “Luginën e Diellit” në Zveçan, që përfshin ndërtimin e 300 njësive banesore.

Investimet e Kosovës në veri

Në projekte kapitale në këto komuna do të investojë edhe Qeveria e Kosovës. Në bazë të të dhënave të Projektbuxhetit për vitin 2021, shteti i Kosovës ka ndarë rreth 10 milionë euro për këto katër komuna.

Ministria e Financave ka bërë të ditur se nga buxheti prej mbi 4 milionë euro të ndara për komunën e Leposaviqit, mbi 1.5 milion euro janë për investime kapitale.

Është paraparë zgjerimi i rrugës me katër korsi: Leposaviq-Mitrovicë-Klinë e Epërme-Runik-Istog që ka vlerën mbi 2.3 milionë euro.

Në plan është edhe rregullimi i ndriçimit të rrugëve në territorin e Komunës së Leposaviqit në vlerë mbi 106 mijë euro.

Ndërtimi dhe riparimi i urave në Komunën e Leposaviqit, ndërtimi i morgut në fshatrat e kësaj komune dhe përfundimi i ndërtimit të një qendre shpirtërore dhe shtëpizës se gjuetisë në Leposaviq, që në total kanë vlerën mbi 200 mijë euro.

Buxhet për Komunën e Zveçanit është ndarë mbi 2.2 milionë euro, ku mbi 330 mijë euro janë për investime kapitale.

Shuma më të mëdha do të investohen në Mitrovicën e Veriut. Për këtë komunë, nga qeveria janë ndarë rreth 5 milionë euro dhe mbi 1.3 milion euro janë për shpenzimet kapitale.

Është paraparë që të bëhet rikonstruktimi i fasadave të ndërtesave në disa rrugë në vlerë mbi 770 mijë euro.

Pastaj rikonstruktimi i infrastrukturës në rrugët ‘Xhon Kenedi’ dhe ‘Mesud Djekoviç’ në vlerë rreth 500 mijë, si dhe rikonstruktimi i rrokaqiellit të UN-it në vlerë 600 mijë euro.

Rreth 2 milionë euro janë ndarë për Zubin Potokun dhe mbi 320 mijë euro janë për investime kapital, e që do shpenzohen në ndërtimin e kanalizimit për ujëra atmosferikë, rregullimin e ndriçimit, asfaltimin e rrugëve, renovimin dhe rregullimin e ambulancave dhe rikonstruktimin e objekteve shkollore.

Investime edhe nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit

Në zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë thonë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i tij në vitin 2013, Bordi menaxhues i Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit, ka aprovuar mbi 30 projekte, duke ndarë mbi 14 milionë euro për projekte të ndryshme.

Ky fond aktualisht ka në dispozicion mbi 2.5 milionë euro, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së. Paratë e mbledhura në këtë fond janë përmes mallrave që importohen në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak.

Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se investimet në komunat në veri të Mitrovicës janë politike. Sipas saj, sa i përket investimeve kapitale në këto komuna, mungon transparenca.

“Është zero transparencë, zero llogaridhënie në çdo nivel të shpenzimit të parasë publike në veri të Kosovës. Nuk merret askush me aspektin llogaridhënës se çfarë është duke ndodhur me ato investime kapitale”, thotë ajo.

Kjo sipas saj ka bërë që të gjitha investimet kapitale në komunat me shumicë serbe në veri, kryhen vetëm nga një kompani, e cila është e pa konkurrencë dhe nuk asnjë ofertues tjetër.

Qytetarët në veri të pakënaqur me investimet

Përkundër këtyre shifrave, disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, thonë për Radion Evropa e Lirë se duhet të ketë më shumë investime.

Miodrag Antiç nga kjo komunë, thotë se investimet më të mëdha bëhen nga Serbia.

“Në kohën e fundit ka investime më të mëdha, në krahasim me më herët. Mendoj se më shumë investon Qeveria e jonë serbe, ne mbështetemi në të. Duhet të ketë investime në infrastrukturë, por më shumë edhe në fabrika, për të mbajtur këtë rini këtu”, thotë Antiç.

Njëjtë si ai mendojnë edhe Zorica dhe Alberti, po ashtu qytetarë të kësaj komune.

“Unë mendoj që munden të investojnë edhe më shumë, por nuk pyetet Serbia për të gjitha. Kosova për veriun asgjë nuk investon”, thotë Zorica.

“Serbia investon më shumë aty ku ka më shumë interes, e Kosova çka do që provon të investojë, ndërpriten. Është investuar edhe në urën kryesore, nuk është hapur ende. Por, mendoj që kanë arsye që po investojnë më pak”, thotë Alberit.

Qytetarët Etem Peci dhe Gjorgje Stankoviq thonë se investimet duhet fokusohen më shumë në hapjen e vendeve të reja të punës.

“Nuk di sa po investohet. Unë jam taksist, ku ta di. Investime më të mëdha duhet në vende të punës”, thotë Peci.

“Pjesërisht po ka investime, por besoj që duhet më shumë. Mendoj se Serbia më shumë investon, jo Kosova. Investime më të mëdha duhet të jenë në kapacitete prodhuese, që të ketë vende pune. Fshatrat gjithmonë janë me më pak njerëz”, thotë Stankoviq.

Zëvendëskryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq thotë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i ndarë për komunat është shumë i vogël dhe nuk mund të përmbushen kërkesat e qytetarëve.

“Kërkesat e qytetarëve janë shumë më të mëdha. Të gjitha këto kërkesa të qytetarëve janë të arsyeshme, por të gjithë duhet ta kuptojnë se komunat mund të reagojnë aq sa kanë buxhet. Qeveria duhet të ketë më shumë vëmendje nga niveli lokal”, thekson Hoxhiq.

Ajo thotë se qëllimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut është që ambienti i jetesës së qytetarëve të jetë sa më kualitativ, sidomos në këtë kohë të pandemisë.

Hoxhiq thotë se nuk ka informacione se në çfarë projektesh dhe çfarë investimesh realizon shteti i Serbisë.

Çka është Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit?

Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit është themeluar mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për doganat.

Prishtina dhe Beogradi me lehtësimin e Bashkimit Evropian, u dakorduan atëkohë për themelimin e tij në funksion të zhvillimit të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas kësaj marrëveshjeje, paratë e mbledhura përmes mallrave që importohen në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Destinimi i Fondit ndërlidhet me projektet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, përfshirë rrugët, spitalet, furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.

Po ashtu, Fondi mbështet edhe projektet për bizneset, gratë, shoqërinë civile, promovimin e të drejtave të njeriut, arsimin, qasje në kujdesin shëndetësor dhe transportin.

Funksionimi i Fondit vendoset nga bordi menaxhues dhe bordi përbëhet nga tre anëtarë: i dërguari i Posaçëm i BE-së në Kosovë ka postin e kryetarit, ministri i Financave të Kosovës merr pjesë në emër të autoriteteve të Kosovës dhe një përfaqësues i komunitetit serb që vjen nga katër komunat veriore.

Eunews.al

Comments are closed.