×
Tuesday, August 9, 2022

Berishës nuk ia ka fajin Yuri Kim

August 6, 2021

Nga Dritan Hila/

Sulmi i përqëndruar i ndjekësve të Berishës ndaj ambasadores Yuri Kim është ndër më jo produktivët në politikën shqiptare. Zonja Kim është përfaqësuesja e shtetit të vet dhe si e tillë ajo nuk përfaqëson asgjë personale në sjelljen e saj. Si një shtet me përgjegjësi botërore, ambasadat amerikane në botë janë tepër të kujdesshme që mos te krijojnë keqkuptime në qasjet dhe deklaratat e tyre.

Kjo fillon nga konteksti kur jepen ato e deri te përkthimi. Ndaj deklarata e saj që “do hanë bar” kush ndjek Berishën në betejën e tij donkishoteske, ishte e përzgjedhur me kujdes nga prapavija e saj dhe e miratuar nga qendra, që në këtë rast është Departamenti i Shtetit. Madje ka shumë të ngjarë të jetë hartuar nga vetë DASH, për rëndësinë që kishte ky sulm. Deklaratat bëhen për ata që kanë veshë të dëgjojnë.

Së dyti ka një sulm në krahëmarrje të mbështetësve të Berishës që kërkojnë fakte pse ai u shpall non grata dhe pse ndodhet nën sulmet e SHBA. Në fakt superfuqia dy herë na ka kushtuar vëmendje: Një herë për luftën në Kosovë dhe këtë rradhë me Berishën; herën e parë për mirë dhe të dytën me shpresë që nuk është për të zezën tonë.

Këta që bëjnë kërkesa të tilla, nuk është se nuk e dinë që për këto vendime SHBA nuk jep kurrë sqarime. Berisha dhe familja e tij janë kërcënim për demokracinë dhe meqë flamurin e kësaj bote e mban SHBA, indirekt edhe për ata. Pikë! Tani, se çfarë sqarimesh presin ndjekësit e Berishës, këtë kërkesë e bën o një shejtan o një budalla ose të dyja bashkë, shejtanbudalla. Që vendi i cili ka në rrjetën e tij të verifikimit mbarë globin por në rastin e Berishës i paska marrë mendje Delina Ficos, këtë mund ta besojë vetëm ai që i ngjan gomarit që po shqyhet nga ujku dhe uronte të ishte ëndërr.

Gjithsesi për të freskur kujtesën, le të sjellin ndërmend rrjedhjen e dokumenteve nga arkivat amerikanë që u njoh me emrin “Ëikileaks”. Në aq pak materiale, ne kemi parë se dosjen e Berishës e kanë mbushur bashkëpunëtorët e tij, ministra, gjeneralë, diplomatë, nënpunës, që e kanë kënaqesi të cicërojnë. Imagjinoni si është mbushur ajo dosje sot! Është e sigurt që SHBA është matur mirë para shpalljes së Berishës non grata, për vetë historinë e këtij personazhi, marrëdhënieve që kanë pasur me të dhe pozicionit që ka vendi ynë si anëtar i NATO-s. Që do të thotë se dosja e tij është aq e mbushur sa gati po plaste. Por që natyrisht për vetë karakterin sensitiv të shumë çështjeve që ajo dosje ka, nuk ka ndërmend t’ia japë llazoreve të Tiranës që të tjerrin muhabet.

Eunews.al



Comments are closed.