×
Friday, December 3, 2021

Berisha: Yuri Kim nuk do të shkelë kurrë në zyrën time, Sorosin do e shpall “non grata”

November 21, 2021

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh mbrëmjen e sotme në takimin e radhës së “Foltores” me Lidhjen Demokratike të Gruas, se ambasadoren amerikane Yuri Kim nuk do ta lejojë kurrë të shkelë në zyrën e tij pa u kërkuar falje demokratëve dhe se George Sorosin do ta shpallë “Non grata”.

“George Soros është një armik i egër i demokracisë në Shqipëri. Ai është arkitekti i reformës me të cilën i prenë shtyllën shtetit shqiptar. Ai është frymëzues në shumë aspekte i narko-shtetit, ai është projektues, apo rigjallërues i projekteve të Milloshevicit për ndarjen e kufijve të Kosovës dhe së fundmi i Ballkanit Soros.

Për të gjitha këto në 2017 kam kërkuar shpalljen e tij “Non grata” dhe tani në emër tuaj do i them atij se kjo forcë në pushtet, një nga aktet e para është shpallja e tij “Non grata” përgjithmonë.

Dy fjalë dua t’i them zonjës ambasadore. Ajo më shumë se interesat e vendit të saj promovon politikën e Sorosit në Ballkan. Por unë do i them dy fjalë. Në një dalje u shpreh se po fitoj Berisha, duke shkelur Kushtetutën e saj… që po fitoi Berisha nuk do i jap dorën apo trokas në derë.

Tani do i përgjigjem përpara jush. E nderuar zonjë dera e Sali Berishës do të jetë gjithmonë e hapur për ambasadorin apo ambasadoren e SHBA-së. Me të vetmin kusht, në rast se ajo do të quhet Yuri Kim në çfarëdo funksioni që të jetë nuk do të shkelë kurrë në zyrën time pa u kërkuar falje demokrateve për “barin” që u kujtoi pak kohë më parë” tha Sali Berisha.

Ai u kërkoi dorëheqjen sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarëve të PD. “Duke shprehur konsideratë për ata, u kërkoj sekretarit të përgjithshëm dhe nënkryetarëve të PD të japin dorëheqjen nga një detyrë e paligjshme që kanë marrë. Për të qenë i zgjedhur duhet me votë të fshehtë. Nuk meritoni të jeni në postin që jeni” tha ai.

Ish-kryeministri u shpreh më tej se numri i delegatëve që kanë firmosur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 11 Dhjetor nga 4200 po shkon rreth 5 mijë. Në takimin e zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë, Sali Berisha shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha.

Eunews.al

Comments are closed.