×
Wednesday, October 16, 2024

BE propozon sanksione ndaj naftës ruse

May 4, 2022


Komisioni Evropian propozoi sot sanksione të reja ndaj eksporteve ruse të naftës për shkak të pushtimit të Ukrainës, konfirmuan zyrtarë nga dega ekzekutive e BE-së.

Paketa e gjashtë e sanksioneve ndalon bizneset në Bashkimin Evropian të blejnë naftë nga Rusia dhe synon të heqë gradualisht importet nga blloku.

Gjermania udhëhoqi rezistencën fillestare ndaj një embargoje të naftës ruse, me gjithë kritikat e shumta nga Ukraina, përpara se Berlini përfundimisht të mbështeste një ndalim të tillë, pas suksesit në furnizimet alternative me naftë.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck njoftoi javën e kaluar se Berlini kishte ulur importet e naftës ruse nga 35%, para fillimit të luftës në Ukrainë, në 12% në vetëm tetë javë.

BE ka importuar 44 miliardë euro (46 miliardë dollarë) lëndë djegëse fosile ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas grupit të kërkimit mjedisor ”Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër” (CREA).

Sipas vlerësimeve të institutit “Bruegel”, nafta ruse me vlerë rreth 450 milionë dollarë aktualisht ende konsumohet në BE çdo ditë, duke kontribuar në përpjekjet e Moskës për luftën në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë kanë marrë masa për të ndaluar importet e të gjitha lëndëve djegëse fosile ruse, edhe pse ato importojnë vetëm një pjesë të vogël të  naftës nga Rusia krahasuar me BE-në.

Burimet thanë se përjashtime të gjera janë planifikuar vetëm për Hungarinë dhe Sllovakinë.

Këto dy vende të BE-së aktualisht po marrin ende një pjesë të madhe të nevojave të tyre për naftë nga Rusia dhe, për shkak të mungesës së daljes në det, nuk e shohin veten në gjendje të zhvillojnë burime alternative të furnizimit aq shpejt sa vendet e tjera.




Comments are closed.