BE propozon një kredi shtesë prej 9 miliardë eurosh për Ukrainën
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen propozoi sot një kredi shtesë prej 9 miliardë eurosh për Ukrainën deri në fund të këtij viti.
“Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre gjatë kësaj lufte, si dhe kur ata të rindërtojnë vendin e tyre”, tha von der Leyen gjatë një fjalimi në Bruksel.
“Që kur Rusia nisi pushtimin në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka dhënë 4.1 miliardë euro për të mbështetur ekonominë dhe shoqërinë e vendit, si dhe për të ofruar ndihmë humanitare”, sipas komisionit.
Gjithashtu, shtetet anëtare kanë miratuar një fond prej rreth 2 miliardë eurosh për financimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake për Ukrainën.
Njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian duhet të bien dakord për kredinë e propozuar që synon të mbulojë ndër të tjera, shpenzimet publike.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Ukraina ka kërkuar rreth 5 miliardë dollarë në muaj, gjatë dy deri tre muajve të ardhshëm, për të vazhduar drejtimin e qeverisë dhe institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Von der Leyen ritheksoi mbështetjen e BE-së për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës pasi lufta të ketë përfunduar.