×
Friday, March 29, 2024

BE paralajmëron Serbinë: Nuk ka vend në BE për glorifikimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës

January 25, 2022


Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, ka qenë I drejtëpërdrejtë me Kryeministren e Serbisë pas një takimi të Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Serbi kur u shpreh se “mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i krimeve të luftës nuk është në përputhje me vlerat evropiane“.

Borell duke thënë këto fjalë i referohej sigurisht konfliktit të fundit politik në Bosnje dhe Hercegovinë midis boshnjakëve dhe serbëve.

Mosmarrëveshja shpërtheu pasi Valentin Inzko, atëherë përfaqësuesi i lartë për Bosnje dhe Hercegovinën, paraqiti amendamente në kodin penal korrikun e kaluar për të ndaluar mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Ligjvënësit serbë të Bosnjës thanë në përgjigje se do të bojkotojnë institucionet e vendit.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Milorad Dodik denoncoi amendamentet dhe bëri thirrje për lëvizje të diskutueshme separatiste në parlamentin e Republika Srpska.

Hapat janë kritikuar ndërkombëtarisht për shkeljen e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 dhe minimin e Kushtetutës së vendit.

“Ne i ndamë këto parime me kryeministrin e Serbisë dhe jemi të sigurt se do të vazhdojmë të avancojmë në rrugën evropiane të Serbisë”, tha Borrell. Serbia është në negociata për anëtarësim me BE që nga viti 2014.

Për dialogun Beograd-Prishtinë, Borrell përshëndeti deklaratat e Serbisë se është e gatshme të rifillojë bisedimet. Ai i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulen në tavolinë me mirëbesim për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.

Kryeministrja serbe Ana Brnabic u shpreh në  konferencë “pjesë e madhe e bisedimeve tona këtu kishin të bënin me marrëdhëniet rajonale, lidhjet rajonale, përmirësimin e marrëdhënieve rajonale dhe atë që Serbia po ndërmerr për ta bërë rajonin më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe për ta bërë atë edhe më të afërt drejt Evropës”.

Ajo tha gjithashtu se qeveria e tij do të vazhdojë të punojë në fushat e ekonomisë, sundimit të ligjit, administratës publike, pavarësisë gjyqësore dhe marrëveshjes së gjelbër dhe është e vendosur të reformojë.

Eunews.al



Comments are closed.