×
Friday, October 11, 2024

BE nis misionin për monitorimin e embargos së armëve të OKB në Libi

March 31, 2020


Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) kanë miratuar nisjen e një mision të ri ushtarak, gjegjësisht Operacionin IRINI që synon monitorimin e embargos së armëve të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Libi.

Misioni i ri do të operojë në ajër, në det dhe përmes satelitëve, me qëllim për të siguruar që të gjitha vendet të respektojnë ndalimin e sigurimit të armëve për palët e përfshira në konfliktin libian.

“Edhe në kohën e koronavirusit, BE tregon vendosmëri për të promovuar paqen tek fqinjët tanë”, tha në një konferencë për media Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme të BE-së.

Forcat e BE-së po ashtu do të monitorojnë eksportet e paligjshme të naftës dhe do të parandalojnë trafikimin e qenieve njerëzore, ndërsa si detyrë plotësuese do të kontribuojnë në trajtimin e rojes bregdetare dhe marinës lokale.

Misioni i ri tashmë është përballur me disa kritika.

Italia, Austria dhe Hungaria në muajin shkurt kërkuan garanci për të siguruar se misioni do të pezullohej menjëherë nëse rezulton si një “faktor tërheqës” për migracionin e paligjshëm.

Operacionet detare të operacionit të mëparshëm SOPHIA, të nisura në vitin 2015 për të bllokuar migrimin e parregullt në Detin Mesdhe, duhej të pezulloheshin për shkak të mosmarrëveshjeve midis vendeve anëtare të BE-së mbi azilkërkuesit.

Borrell theksoi se operacioni i ri IRINI do të jetë ndryshe nga operacioni i fundit dhe do të duhet të parandalojë trafikimin e qenieve njerëzore si detyrë komplimente. 

BE po ashtu është kritikuar për patrullimin e vetëm të Mesdheut për të parandaluar dërgesat e armëve në Libi, ndërsa sipas raportimeve të ndryshme kryekomandanti i luftës libiane, Khalifa Haftar, vazhdoi të marrë armë përmes kufirit tokësor të Libisë me Egjiptin.

“IRINI është pjesë e zgjidhjes dhe jo vetë zgjidhja”, u përgjigj Borrell pyetjeve të gazetarëve, duke treguar polemikë dhe duke pranuar se nuk është e mundur që BE të nis edhe një mision tokësor.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, kryekomandanti Haftar me qenër në Libinë lindore i mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) me qendër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftar-it që nga prilli i kaluar dhe mbi një mijë persona janë vrarë në dhunë.

Përpjekjet ndërkombëtare për të zbatuar armëpushimin javëve të fundit ishin të pasuksesshme për shkak të shkeljeve të vazhdueshme nga forcat e Haftar-it.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments