BE, mbështetje e pakursyer për Ballkanin



Nga: Anastas Angjeli
Ditët e fundit mund të kon siderohen historike në kontekstin e marrëdhënieve të rajonit tonë (Ballkanit Perëndimor) dhe pa dyshim të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Vizitës në disa vende të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga Shkupi dhe Tirana, të Komisionerit Europian për Zgjerim dhe Fqinjësinë, z. Oliver Varhelyi, i parapriu vendimi historik i Bashkimit Europian për rajonin tonë.
BE edhe një herë ritheksoi vendosmërinë e vet për ta konsideruar gjithë rajonin si një pjesë të pandarë të tij, si një potencial ekonomik, social dhe kulturor, i cili, pavarësisht faktit që nuk është integruar plotësisht në strukturat e BEsë, mbetet angazhimi kryesor i Unionit për të ardhmen e afërt.
Sot, Komisioni Europian miratoi një Plan gjithëpërfshirës Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjatë ekonomike të rajonit, të mbështesë një tranzicion të gjelbër dhe dixhital, të nxisë integrimin rajonal dhe konvergjencën me Bashkimin Europian. Bashkimi Europian vazhdon, edhe në rastin e rajonit tonë, të implementojë qasjen e implementuar edhe në të kaluarën e afërt dhe pak më të largët (por mund të themi edhe qasjen tipike për vetë Bashkimin Europian) ku integrimi politik kulturor dhe social paraprihet nga një integrim ekonomik.
Plani Ekonomik dhe i Investimeve përcakton një paketë të konsiderueshme investimesh, që mobilizon deri në 9 miliardë euro për periudhën 2021-2027, për ringritjen ekonomike të rajonit, në kushtet e goditjes ekonomike dhe recensionit që edhe ky rajon kalon si rrjedhojë e COVID-19. Ky plan do të mbështesë lidhjen e qëndrueshme, kapitalin njerëzor, konkurrencën, rritjen ekonomike gjithëpërfshirës dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital. Paketa e investimeve do të jetë një faktor kryesor për nxitjen e rritjes së investimeve publike dhe private në rajon nga Banka Europiane e Investimeve, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Institucione të tjera Ndërkombëtare Financiare, Institucionet e Financave të Zhvillimit të vendeve Anëtarëve të BE-së, qeveritë e Ballkanit Perëndimor dhe investitorët privatë, përfshirë investimet e huaja direkte. Kapaciteti investues i rajonit do të rritet nëpërmjet facilitetit të ri të garantimit të Ballkanit Perëndimor, nën Garancinë e Veprimit të Jashtëm të BE-së dhe Fondit Europian për Zhvillim të Qëndrueshëm Plus dhe mund të arrijë deri në 20 miliardë euro në dekadën e ardhshme.
Paralelisht me planin e Investimeve Ekonomike për të mbështetur rajonin, Komisioni ka paraqitur udhëzime për zbatimin e Axhendës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor, që pritet të miratohet në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Sofje, në nëntor 2020. Ai parashikon veprime rreth pesë kolonave. Këto janë (i) veprimi i klimës, duke përfshirë dekarbonizimin, energjinë dhe lëvizshmërinë; (ii) ekonominë ciklike, adresimin në veçanti të mbetjeve, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve; (iii), biodiversitetin, me qëllim mbrojtjen dhe rivendosjen e pasurisë natyrore të rajonit; (iv), luftimi i ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës dhe (iv) sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe zonat rurale. Dixhitalizimi do të jetë një lehtësues kryesor për pesë kolonat e mësipërme në përputhje me konceptin e tranzicionit të dyfishtë të gjelbër dhe dixhital.
Plani identifikon dhjetë pika kryesore investimesh për të mbështetur lidhjet kryesore rrugore dhe hekurudhore në rajon, energjinë e rinovueshme dhe tranzicionin nga qymyri, rinovimin e ndërtesave publike dhe private për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të zvogëluar emetimet e gazeve serë, infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të zeza, si dhe hapja e infrastrukturës me brez të gjerë. Pika të tjera përfshijnë investime të rritura në sektorin privat për të rritur konkurrencën dhe inovacionin, në veçanti të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Më konkretisht, iniciativat kryesore janë si më poshtë:
1) Lidhja e Lindjes me Perëndimin. Përfshihen autostrada që lidh Nishin me Prishtinën (Autostrada e Paqes); Korridori i tetë hekurudhor që lidh Shkupin me Sofjen, Korridori i dhjetë (pjesa hekurudhore).
2) Lidhja e Veriut me Jugun. Rehabilitimi i rrugës që lidh Sarajevën me Portin e Ploce. Rehabilitimi i hekurudhës që lidh Beogradin me Podgoricën dhe Bar. Rehabilitimi i lidhjes rrugore ndërmjet Sarajevës dhe Podgoricës. Rehabilitimi i lidhjes hekurudhore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
3) Lidhja e Rajoneve Bregdetare. Hekurudha që lidh Podgoricën me Tiranën dhe Durrësin. Hapa për të përfunduar Autostradën e Kaltër nga Kroacia në Greqi.
4) Energjia e Rinovueshme. Përfshin rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës dhe ndërtimin e atij të Skavicës. Ndërtimin e hidrocentralit të Komarnicës në Malin e Zi, Ibër Lepenc në Kosovë, energjinë e erës dhe atë solare në Maqedoninë e Veriut.
5) Tranzicioni nga qymyri. Përfshin ndërtimin e gazsjellësit në Fier, Vlorë, ndërlidhja me gaz e Bosnjës me Kroacinë, Maqedonisë së Veriut me Kosovën, Greqinë, Serbinë,
6) Vala e rinovimit. BE, së bashku me institucionet ndërkombëtare të financimit, do të mbështesin përpjekjet e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të trefishuar normën aktuale të rinovimit dhe kursimet e energjisë në ndërtesat ekzistuese dhe arritjen e standardit të energjisë dhe emetimit gati zero në ndërtesat e reja.
7) Menaxhimi i mbetjeve dhe ujërave të zeza. Përfshin përfundimin e impianteve në Shkup dhe Prishtinë, Serbi, Shqipëri.
8) Infrastruktura dixhitale. Zhvillimi dhe shtrirja e infrastrukturës kombëtare me brez të gjerë në gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë dhe pergatitja e investimeve të mëtejshme do të përshpejtohet me fokus të veçantë në lidhjen e zonave rurale.
9) Investim në konkurrueshmërinë e sektorit privat. Përfshin planin për të rritur shumën e grantit për të mbështetur sektorin privat nën Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor. 50% e financimit të sektorit privat të BE-së duhet t’i kushtohet inovacionit dhe rritjes së gjelbër. Plani për të rritur kapacitetin e garancisë që mbështet investimet, kryesisht për të forcuar aftësinë konkurruese të SME-ve dhe për të rritur krijimin e vendeve të punës.
10) Garancia e rinisë. Garancia e rinisë është një skemë aktivizimi për të siguruar që të gjithë të rinjtë të marrin një ofertë me cilësi të mirë punësimi, arsimimi të vazhdueshëm, praktikës brenda një periudhe prej katër muajsh pasi të bëhen të papunë ose lënë arsimin zyrtar. Kjo garanci duhet të zbatohet nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor në përputhje me Garancinë e Rinisë së BE
Bashkimi Europian nëpërmjet kësaj pakete kërkon të tregojë edhe një herë mbështetjen për rajonin në këtë periudhë vështirësie dhe sfidash të përbashkëta. Të gjitha vendet e rajonit duhet të tregojnë një frymë të mirë bashkëpunimi, një angazhim konkret për të zbatuar reforma, të cilat do të përshpejtojnë procesin e integrimit ekonomik rajonal dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal mbi bazën e acquis të BE-së për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse ndaj investimeve. Duket se edhe në këtë periudhë të vështirë të shkaktuar nga pandemia (por jo vetëm) të gjitha vendet tona duhet të tregojnë maturi, vullnet politik dhe angazhim konkret për të siguruar një rritje thelbësore ekonomike, që do të përkthehet në rritje të mirëqenies ekonomike të qytetarëve tanë, si dhe të krijimit të një ambienti bashkëpunimi rajonal. Bashkimi Europian duket se është mbështetës në këtë rrugëtim. U mbetet vendeve, qeverive dhe shoqërive të rajonit tonë të bëjnë detyrën e tyre historike. Kësisoj. edhe vendit tonë, që tani është në drejtimin e duhur në rrugëtimin drejt BE-së, duke reflektuar rekomandimet e Progres-Raportit të fundit, do të vazhdojë reformat e nisura dhe me fokus zhvillimin ekonomik që të nxisë rimëkëmbjen afatgjate ekonomike përballë recensionit aktual, të mbështesë lidhjet e qëndrueshme rajonale dh europiane, zhvillimin e kapitalit njerëzor, konkurrencën, rritjen ekonomike gjithëpërfshirës dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital.
Eunews.al

