×
Monday, January 13, 2025

BE i kërkon Tunizisë rivendosjen e rendit institucional

July 27, 2021


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell deklaroi sot se Bashkimi Evropian është duke monitoruar zhvillimet në Tunizi me shumë vëmendje.

“Rrënjët demokratike të vendit, respekti për shtetin e së drejtës, Kushtetuta dhe korniza legjislative duhet të mbrohen duke qëndruar të vëmendshëm ndaj dëshirave dhe aspiratave të popullit tunizian”, deklaroi Borrell.

“Ne bëjmë thirrje për rivendosjen e stabilitetit institucional sa më shpejt të jetë e mundur dhe në veçanti për rifillimin e veprimtarisë parlamentare, respektimin e të drejtave themelore dhe heqjen dorë nga të gjitha format e dhunës”, tha ai.

“Ruajtja e demokracisë dhe stabiliteti i vendit janë përparësi”, shtoi Borrell.

Presidenti tunizian, Kais Saied ka lëshuar një dekret presidencial për të shkarkuar kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së vendit.

Presidenca njoftoi se kryeministri Hichem Mechichi dhe ministri i Mbrojtjes, Ibrahim Bartagi, si dhe ministri i përkohshëm i Drejtësisë, Ben Slimane, që nga 25 korriku u liruan nga detyrat e tyre.

Të dielën, Saied rrëzoi qeverinë e kryeministrit Michichi, bllokoi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.

Presidenti tunizian tha se do të pezullojë imunitetin e të gjithë anëtarëve të parlamentit dhe se do të marrë kontrollin e zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Ai pretendoi se i kishte marrë vendimet pasi ishte konsultuar me kryeministrin Mechichi dhe kryeparlamentarin Rached Ghannouchi.

Ghannouchi, nga ana e tij, lëvizjet e presidentit i përshkroi si asgjë tjetër përveç “një grusht shtet i plotë” kundër kushtetutës tuniziane, revolucionit dhe lirive në vend.

Tunizia që nga 16 janari është përfshirë nga një krizë e thellë pasi Mechichi njoftoi një riorganizim të kabinetit, por Saied refuzoi të mbajë një ceremoni për të betuar ministrat e rinj.

Tunizia po ashtu përballet me një përhapje të paparë të llojeve të koronavirusit të ri (COVID-19) në shumicën e shteteve, duke shkaktuar një përhapje të shpejtë të virusit.

Tunizia shihet si i vetmi vend arab që arriti të kryejë tranzicion demokratik midis vendeve të tjera arabe që po ashtu dëshmuan revolucione popullore që rrëzuan regjimet në pushtet, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin.

Eunews.al




Comments are closed.