BE i dërgon Ukrainës 1,5 miliardë euro ndihmë nga të ardhurat e aseteve të ngrira ruse
Bashkimi Evropian do t’i dërgojë Ukrainës 1,5 miliardë euro ndihmë, të financuara nga të ardhurat nga asetet ruse të ngrira në BE, për t’u shpenzuar për mbrojtjen dhe rindërtimin, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Sot ne transferojmë 1,5 miliardë euro të ardhura nga asetet e ngrira ruse për mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës”, tha Von der Leyen.
“Nuk ka simbol apo përdorim më të mirë për paratë e Kremlinit sesa ta bëjmë Ukrainën dhe të gjithë Evropën një vend më të sigurt për të jetuar”, shtoi ajo.
Ministrat e Jashtëm të BE miratuan pagesat në fund të qershorit.
Ndihma financohet nga të ardhurat, si interesat, nga asetet, por jo nga vetë asetet bazë, të cilat mbeten të ngrira.
Nëntëdhjetë për qind e parave do të financojnë ndihmën ushtarake, ndërsa 10 për qind do të shkojnë drejtpërdrejt në Ukrainë si ndihmë financiare.







