×
Sunday, January 18, 2026

BE i bën thirrje Izraelit dhe Hamasit të pranojnë planin e paqes të Biden

June 5, 2024


Bashkimi Evropian i ka kërkuar Izraelit dhe lëvizjes militante palestineze Hamas që të pranojnë planin e paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Plani përcakton tre faza të shmangies së përshkallëzimit, kryesisht duke paraqitur një armëpushim që do të bëhej i përhershëm dhe tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez.

“BE-ja jep mbështetjen e saj të plotë për udhërrëfyesin gjithëpërfshirës”, thuhet në një deklaratë.

“Paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme janë në interes të të dy popujve, të rajonit në tërësi, si dhe globalisht”, sipas BE-së.

Katari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Egjipti kanë ndërmjetësuar mes Izraelit dhe Hamasit prej javësh për të arritur një armëpushim dhe një shkëmbim pengjesh për të burgosurit palestinezë. As Izraeli e as Hamasi nuk kanë rënë ende zyrtarisht dakord ose të kenë refuzuar planin.

BE tha se ishte gjithashtu “gjithnjë e më shumë e shqetësuar” për rritjen e tensioneve në kufirin midis Izraelit dhe Libanit.

Në deklaratë përmendej shkatërrimi gjithnjë në rritje dhe zhvendosja e detyruar e civilëve në të dy anët e kufirit izraelito-libanez.

“Askush nuk mund të fitojë nga një konflikt i gjerë rajonal. Shmangia e përshkallëzimit të situatës do të kontribuonte ndjeshëm në zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme”, sipas deklaratës.

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës pothuajse tetë muaj më parë, ka pasur konfrontime të përditshme ushtarake midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit.




Comments are closed.