BE e gatshme për një marrëveshje tregtare ‘unikale’ me Britaninë e Madhe
BE është i përgatitur të lidhë një marrëveshje tregtare “unikale” me Britaninë e Madhe, tha Presidentja e Komisionit Evropian. Por ajo theksoi se çdo marrëveshje vjen me “detyrime nga të dy palët”.
BE është i gatshëm t’i ofrojë Britanisë së Madhe “diçka që nuk e kemi ofruar kurrë më parë” si marrëveshje tregtare tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por jo pa paraqitur kërkesa të vetat. Ursula von der Leyen e deklaroi këtë në Strasburg, në lidhje me ato që priten të jenë negociata të vështira për të ardhmen e tregtisë midis bllokut të BE dhe Britanisë së Madhe, që u largua nga BE.
Presidentja e përshëndeti thirrjen e fundit të kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson që Mbretëria e Bashkuar pas Brexitit të bëhet “kampione globale e tregtisë së lirë”. Eurodeputetëve ajo u tha se edhe BE e mirëpret një sistem tregtar “më të drejtë dhe më të fortë”.
“Një sistem tregtar që është i hapur nga njëra anë, dhe është i drejtë nga ana tjetër,” tha ajo. Presidentja e Komisionit i vlerësoi marrëveshjet e tanishme tregtare të lidhura me Japoninë dhe Kanadanë, duke thënë se BE është i gatshëm t’i ofrojë Britanisë së Madhe “diçka që nuk e kemi ofruar kurrë, kurrë më parë për këdo tjetër”. BE ka përfytyrimin për një marrëveshje pa dogana dhe kuota tregtare për të gjitha mallrat, tha Presidentja.
BE: ‘Jo iluzione’ për shërbimet financiare
“Një model i ri tregtie, qasje unike,” vazhdoi ajo. “Por sigurisht kjo kërkon garanci korresponduese për konkurrencë korrekte dhe standarde sociale, mjedisore dhe të konsumatorëve.” Të gjitha marrëveshjet tregtare vijnë “jo vetëm me të drejta, por edhe me detyrime nga të dyja palët”, tha ajo.
Në lidhje me shërbimet financiare – një sektor kyç për ekonominë e Britanisë së Madhe – Michel Barnier, kryenegociatori i BE për Brexit-it dhe pas-Brexitin, theksoi se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të ketë “asnjë iluzion për këtë çështje; nuk do të ketë asnjë ekuivalent të përgjithshëm, global ose të përhershëm në shërbimet financiare”.
Më herët, shefi i thesarit në Mbretërinë e Bashkuar Sajid Javid, tha në një artikull për të përditshmen e biznesit City A.M. se Britania është e prirur të zhvillojë një “marrëdhënie të qëndrueshme” me BE për shërbimet financiare. Ai theksoi nevojën “për të trajtuar nevojat afatgjata të industrisë për një proces të besueshëm ekuivalent”, duke iu referuar kornizës së BE për qasje në tregjet financiare të të gjithë BE. Javidi beson se arritja e ekuivalencës nuk duhet të jetë “e ndërlikuar” dhe shtoi se rregulloret duhet të jenë “të pajtueshme”, por jo domosdoshmërisht “identike”.
‘Modeli’ australian?
Von der Leyen u shpreh e habitur, megjithatë, që Johnson përmendi kohët e fundit “modelin australian”, pasi BE-ja aktualisht nuk ka një marrëveshje tregtare me Australinë, por po kërkon ta ndryshojë këtë gjendje. “Ne thjesht jemi në momentin kur po biem dakord me Australinë që duhet t’i japim fund kësaj situate dhe po punojmë për një marrëveshje tregtare me ta,” tha von der Leyen, duke shtuar se “natyrisht Mbretëria e Bashkuar mund të vendosë për më pak, unë personalisht besoj se duhet të jemi më ambiciozë”.
Ambicia reciproke e tregtisë dhe një marrëveshje e përshtatshme do të “shkaktonin një konkurrencë dinamike në rritje”, nga e cila do të përfitonin të dyja palët, tha von der Leyen para Parlamentit Evropian. BE ka thënë që sa më shumë t’u përmbahet Britania e Madhe rregullave të bllokut, aq më e afërt do të jetë marrëdhënia ekonomike midis dy palëve.
Britania e Madhe u largua nga BE më 31 janar, pas 47 vjetësh anëtarësimi.
Eunews.al