BE do të sanksionojë 40 anije të tjera të “flotës hije”
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të vendosin sanksione ndaj rreth 40 anijeve shtesë – që përdoren për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë – për shkak të luftës së saj në Ukrainë, tha sot shefja e çështjeve të jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Sanksionimi i më shumë anijeve të të ashtuquajturës “flotë hije” do të thotë privim i Rusisë nga mjetet për të financuar këtë luftë”, shtoi Kallas në Bruksel.
Anijeve të sapo sanksionuara do t’u ndalohet hyrja në portet evropiane dhe marrja e sigurimit.
Sanksione të tilla si ngrirja e aseteve janë planifikuar gjithashtu kundër individëve që mbështesin funksionimin e “flotës hije”.
Përveç kësaj, blloku synon të nisë bisedime me shtetet e të cilave janë regjistruar anijet, duke kërkuar marrëveshje për të lejuar forcat detare të BE-së të inspektojnë cisternat.
“Flota hije” është përgjigja e Rusisë ndaj kufizimit ndërkombëtar të çmimit të naftës të vendosur ndaj eksporteve ruse të karburanteve fosile.
Moska është përpjekur të fshehë origjinën e naftës së saj – duke përdorur metoda të ndryshme – si manipulimi i transponderëve satelitorë ose transferimi i naftës midis cisternave në det të hapur.







