Basti i rrezikshëm i Macron-it në Ballkan
Shumë udhëheqës ishin të shpejtë për të shprehur zhgënjimin dhe zemërimin e tyre pas vetos së fundit të Francës për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe drejtuesi i Këshillit Evropian Donald Tusk e quajtën këtë vendim si “gabim”. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se vendi i tij ishte viktimë e një “gabimi historik”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte më optimist, duke deklaruar se vendi i tij nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar pasi vendimi kishte të bënte me çështje të brendshme të BE-së. Sidoqoftë, ai theksoi se “do të ketë një seri komunikimesh me presidentin Francez dhe vendet e tjera anëtare në mënyrë që të kuptojnë më mirë përparimin me këtë proces”.
Ndikimi i mundshëm i vendimit francez thekson nevojën e gjetjes së një marrëveshje midis vendimarrësve europianë dhe për t’u angazhuar në një udhërrëfyes për Ballkanin Perëndimor. Vetoja, e cila nuk ishte e papritur për disa vëzhgues të diplomacies Franceze në Ballkan, solli stopimin e zgjerimit. Ndërkohë, rajoni – përballë indiferencës dhe mesazheve kontradiktore që vijnë nga Brukseli dhe kryeqytetet e shteteve anëtare – po kthehet drejt fuqive të tjera që dëshirojnë të rrisin ndikimin e tyre atje.
Vetoja gjithashtu mund të çojë në konsolidimin e “stabilitokracive” të Ballkanit, të përkufizuara nga Florian Bieber si një qeveri që pretendon të sigurojë stabilitetin, ndërsa minon demokracinë dhe sundimin e ligjit – si dhe të lërë mosmarrëveshjet e vazhdueshme kufitare të rajonit në një status quo të rrezikshëm . Si rezultat i “Jo-së” Franceze, do të ketë zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut në 12 Prill, shumë kandidatë të së cilës duan të kthejnë pas ndryshimin e emrit të vendit, e cila mund të jetë një kthim prapa e dukshme rajonale.
Një Veto jo befasuese
Vetoja franceze është kritikuar shumë nga liderët politikë, analistët dhe gazetarët në mediat ndërkombëtare. Në të kundërt, në Francë kjo nuk shihet si çështje madhore. Për këtë arsye ka pasur vetëm disa artikuj të bazuar në qëndrimin e qeverisë nëpërmjet sekretares së shtetit Amélie de Montchalin, e cila citoi ekspertët e rrallë francezë për Ballkanin, të cilët kanë qenë kritikë.
Shpjegime për të justifikuar veton janë paraqitur – nga Presidenti Emmanuel i cili synonte të kërkonte hakmarrje për refuzimin e Gjermanisë për të pranuar reformimin e BE-së deri tek dëshira për të ndikuar në sondazhe. Por e gjithë kritika ndaj Macron ndan një ndjenjë të përgjithshme, domethënë se politika e tij e BE-së nuk është koherente. Ai dëshiron të jetë udhëheqësi i BE-së dhe të rritet ndikimi i saj, por ndonjëherë merr vendime që e dëmtojnë atë. Megjithatë, fakti është që Macron ka qenë mjaft i parashikueshëm në politikën e tij të BE-së, veçanërisht në lidhje me Ballkanin Perëndimor.
Presidenti ndan një skepticizëm të përgjithshëm francez për zgjerimin e BE-së, ndërsa konfirmon në mënyrë paradoksale se vendet e rajonit i përkasin Bashkimit Europian. Ndjenja ndaj zgjerimit ndjek një prirje të përgjithshme historike në të cilën Franca shpesh ka argumentuar për një thellim të BE-së përpara se ta zgjerojë atë. Siç thekson akademiku Loïc Trégourès, Franca me vite ka shprehur rezerva kundër zgjerimit; për shembull, më parë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Spanjës. Ekziston gjithashtu një mungesë e interesit në debatin publik francez për këtë çështje.
Në fjalimin e tij në shtator 2017 në Sorbonne, në të cilin ai parashtroi vizionin e tij për Evropën, Macron deklaroi qartë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE. Sidoqoftë, pas këtij fjalimi ai parashtroi kushtet për pranimin e tyre. Ai theksoi nevojën që rajoni të adresojë çështjet e lidhura me migracionin, si dhe për të rritur luftën e tyre kundër korrupsionit. Në samitin e vitit të kaluar për Ballkanin Perëndimor në Sofje, Macron argumentoi se një zgjerim shumë i shpejtë kishte dëmtuar Bashkimin Europian. Lidhur me këtë, ai gjithashtu ka argumentuar vazhdimisht për nevojën për të reformuar BE-në.
Një Evropë e ndryshme për t’iu bashkuar
Përkundër asaj që është thënë nga disa, vetoja nuk ishte motivuar nga konsideratat politike të brendshme pasi kjo nuk është një çështje madhore në Francë. Në fakt, Macron, si François Mitterrand para tij, beson fuqimisht në një Evropë të qarqeve koncentrike. Ai ka folur për këtë disa herë, duke përfshirë konferencën vjetore të ambasadorëve të Francës në vitin 2018 dhe në gusht të këtij viti. Në Lisbonë vitin e kaluar, Macron përmendi tre qarqe të mundshme: një union me një bashkim shumë të thellë fiskal, shoqëror dhe ekonomik; një rreth i dytë që përbën një treg të fortë të vetëm që mund të merret me çështje digjitale ose mbrojtëse; dhe një rreth i tretë që përbëhet nga një bashkim vlerash dhe lirie ekonomike.
Macron konsideron se mekanizmat e ndryshëm të BE-së dhe nivelet asimetrike të integrimit midis vendeve anëtare duhet të rivendosen. Modeli aktual i një Bashkimi Europian në letër, përmes së cilit një shtet anëtar ose një kandidat mund ose nuk mund t’i përkasë zonës së Shengenit ose eurozonës, për shembull, rrit nivelin e kompleksitetit dhe mosrespektimit të modelit aktual. Me një BE të rretheve të përqendruara të reformuar, mund të hapet një diskutim mbi shkallët e ndryshme të integrimit, për të cilin aspirojnë kandidatët dhe shtetet anëtare. Më e rëndësishmja, në këtë këndvështrim, vendet e Ballkanit mund të integrojnë BE-në në mënyrë progresive, duke u bashkuar në rrethin e jashtëm në fillim dhe pastaj të bëjnë rrugën e tyre drejt thelbit.
Një bast i rrezikshëm?
Franca thotë se vetoja e saj justifikohet nga mungesa e përputhshmërisë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me të gjitha kushtet e nevojshme për hapjen e bisedimeve të pranimit. Por gjithashtu vazhdon të riafirmojë se beson se vendet e Ballkanit i përkasin një BE-je të ristrukturuar. Gjatë vizitës së tij në Serbi në korrik, Macron dhe Presidenti Aleksandar Vuçic lëshuan një deklaratë të përbashkët duke pohuar se vendi, i cili tashmë ka hapur disa kapituj të bisedimeve dhe shpresonte të jetë një anëtar i plotë me të gjithë deri në vitin 2025, do të bashkohej me një “BE të reformuar” më vonë.
Vetoja e Francës kështu mund të shihet si një bast i rrezikshëm nga Macron për të nxitur reforma të brendshme në vendet kandidate. Nëse këto realizohen me sukses, së bashku me ta përmbushen të gjitha detyrimet e tyre për të hapur bisedimet e anëtarësimit ose më shumë kapituj, Franca do të heqë veton e saj për zgjerimin. Kjo është e njëjta strategji që Presidenti Nicolas Sarkozy përdori për të nxitur miratimin e Traktatit të Lisbonës. Në vitin 2008, pasi votuesit irlandezë kundërshtuan me referendum ndryshimet e propozuara të përfshira në traktat, i cili ishte krijuar për të rregulluar pjesën më të madhe të institucioneve të BE-së, Sarkozi deklaroi se Franca nuk do të ishte në favor të pranimit të kandidatëve të atëhershëm nëse traktati nuk do të miratohej. Irlanda, pasi morri lëshime të caktuara, votoi për një version të ndryshuar në një referendum të dytë.
Nëse ky është mesazhi i Francës, atëherë duhet të shprehet më qartë dhe duhet të gjendet një strategji e përbashkët me pjesën tjetër të BE-së. Drejtuesit e Ballkanit, të cilët në disa raste janë duke luftuar për të ‘shitur’ projektin evropian për njerëzit e tyre, nuk ndihmohen nga një BE që duket se po i kthehet shpinën rajonit dhe i mungojnë afatet e veta, ndërsa pohojnë se pranimi do të ndodhë një ditë.
Vendet anëtare të BE-së duhet të bien dakord për një plan udhërrëfyes për Ballkanin Perëndimor. Nuk mund të ketë garanci që vijnë nga Këshilli, Komisioni Evropian ose Parlamenti Evropian, vetëm për veprimet e një shteti anëtar që kundërshtojnë të gjithë ata. Besueshmëria e BE-së dëmtohet dukshëm nga kjo.
Rreziku i tërheqjes
Për më tepër, nëse BE vazhdon t’i japë Ballkanit Perëndimor shkopin, por jo edhe karotën, rajoni do të tërhiqet dhe do të bjerë në sferën e ndikimit jo vetëm të Kinës dhe Rusisë, por edhe të Turqisë dhe vendeve të Gjirit. Zgjidhje që anashkalojnë veton franceze duhet të gjenden në mënyrë që të zbusin perceptimin në rajoni të BE-së së dobët.
Serbia është një shembull i qartë i rreziqeve. Vuçic ka deklaruar se vetoja justifikon afrimin e Serbisë me Kinën, e cila e sheh rajonin si domethënës në iniciativën e saj, dhe Rusisë. Vendi sapo ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me Bashkimin Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia dhe tani ka një partneritet gjithëpërfshirës me Pekinin që përfshin policinë kineze që kryen patrulla të përbashkëta në qytete serbe dhe instalimin e një mijë kamerave Huawei për njohjen e fytyrës në Beograd.
Nëse Macron beson në të ardhmen e Ballkanit në BE, ai duhet të ofrojë disa outpute të prekshme që do të kontribuojnë në stabilizimin e rajonit. Për shembull, Franca mund të mbështeste dhe të ndihmojë në ndërtimin e zonës së “mini-Shengenit” midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që u propozua pas një takimi trepalësh në 10 tetor. Kjo ide pothuajse menjëherë u rrëzua pas një tjetër mosmarrëveshje diplomatike midis shqiptarëve dhe Udhëheqësit serbë për përfshirjen e Kosovës.
Në përgjithësi, Franca duhet të pranojë pjesën e saj të përgjegjësisë për pasojat e vetos së saj, ndërsa duhet të sqarojë qartë arsyet që fshihen pas saj. Nëse reforma e BE-së është objektivi përfundimtar, atëherë kjo duhet të shpaloset. Në të njëjtën kohë, Franca nuk duhet të anashkalojë dëmet në rajon si rezultat i keqinterpretimit të vendimit të saj. Për më tepër, Macron duhet të përcaktojë një strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe të promovojë bashkëpunim të shtuar midis vendeve të rajonit, si dhe të mendojë për mënyrat se si Franca mund të kontribuojë në zgjidhjen e konflikteve të saj të shumta të qëndrueshme.
Autori: Milan Seghier, German Marshall Fund