×
Sunday, September 8, 2024

Bashkëpunimi me opozitën/ Rama: Të tregojmë se jemi vend i maturuar

May 28, 2021


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth, se “ne duhet të tregojmë se jemi një vend i maturuar dhe kush flet në emër të këtij vendi nuk është vetëm kryeministri, qeveria, por është edhe opozita”.

“Ajo që Shqipëria vendos është se çfarë bëjmë ne këtu. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe do të përpiqemi ta bëjmë çdo ditë e më mirë. Një nga gjërat që duhet të bëjmë më mirë është edhe përpjekja për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, jo për të rënë dakord, po për t’u kuptuar kur flasim me njëri-tjetrin, për t’u bërë pak më të mëdhenj, për të kaluar fazën e adoleshencës politike dhe sherreve prej adoleshentësh që pastaj i eksportojmë në Bundestag, Bruksel, Paris e botë dhe faktikisht kush fiton këtu fiton prapë, kush humbet këtu humbet prapë, por nga ky eksport humbet Shqipëria në fund”, tha Rama.

Kryeministri tha se “fitorja jonë që ishim, jemi dhe do të jemi në qeveri dhe humbja e tyre që janë në opozitë është shumë pak në krahasim me çfarë nuk fiton e humbet Shqipëria”.

“Ne nuk duhet të presim të vijnë miqtë nga jashtë dhe të thonë ‘silluni pak më mirë me njëri-tjetrin’, por ne do ta bëjmë këtë nëse jemi të vërtetë kur themi se jemi gati të bëjmë gjithçka për Shqipërinë”, vijoi Rama, duke iu referuar edhe apelit të ministrit gjerman i cili u shpreh gjatë deklaratës se mbi çështje të Kodit Zgjedhor, demokracisë e vlerave të  përbashkëta të BE do të duhej të arrihej një gatishmëri minimale kompromisi.

“Nuk po kërkon njeri të japim jetën ne, as të marrim armët të luftojmë me ndonjë armik gjëkundi, as të bëjmë sakrifica sublime, por është thjesht dhe vetëm një kërkesë shumë alarmante se po i themi hapni Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe duhet të tregojmë se jo thjesht e meritojmë për detyrat që kemi bërë, por ne jemi një vend i maturuar dhe kush flet në emër të këtij vendi nuk është vetëm kryeministri, qeveria por është edhe opozita. Kur flasim anglisht duhet të jemi shqiptarë në radhë të parë, pastaj socialistë edhe demokratë. Kur flasim shqip jemi edhe socialistë edhe demokratë, por nuk duhet të harrojmë që jemi shqiptarë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh shumë i vendosur të bëjë gjithçka për këtë.

“Nuk më intereson asnjë gjë tjetër nga inercia apo e shkuara ku kemi qenë të gjithë të përfshirë, për hir të së vërtetës. Nuk është vetëm njëra palë, por të gjithë kemi qenë të përfshirë në një luftë që ka shkuar deri në absurd. Kush ka pasur më shumë e më pak përgjegjësi ta thotë populli dhe e tha në 25 prill, por duhet të përpiqemi t’i vazhdojmë që këtu t’i bëjmë gjërat sa më mirë. Nuk jemi vetëm, kemi aleatë e miq të mëdhenj. E rëndësishme është që Shqipërinë edhe vendet skeptike e duan aleate, e duan në BE. Ndahen se sa shpejt dhe sa vonë, por kjo nuk është çështja jonë. BE dhe Europa sot ne jemi vendi më i sigurt për të bërë pushimet. Një herë në historinë tonë pa pritur, pa kujtuar në një moment ishim më të mirët, tani edhe Gjermania na ka arritur”, tha Rama.

Eunews.al



Comments are closed.