×
Friday, December 3, 2021

Basha provokon Presidentin për të shfajësuar vetveten

November 20, 2021

Këshilltari për Mediet dhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi iu përgjigj sot deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili i pyetur në një intervistë në medie ndër të tjera tha se qasja e Metës para zgjedhjeve ishte ajo që shkatërroi frymën opozitare në 25 prill.

Blushi tha se Basha po provokon Presidentin për të shfajësuar vetveten, ndërsa po kërkon të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën.

“Përsëri kryetari kukull, me porosi të padronit të tij, në shëtitjet mediatike të komisionuara, u përpoq të provokonte presidentin Ilir Meta për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021. Si kontribuuesi kryesor i Rilindjes, me katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore: bojkoti i reformës administrative-territoriale; bojkoti i reformës në drejtësi; djegia e mandateve të deputetëve; zerimi i opozitës në pushtetin vendor, që sollën kapjen totale të shtetit, tashmë i vendosur të bojkotojë edhe kuvendin e demokratëve nga pamundësia e ballafaqimit me ta, kërkon shpëtim duke kërkuar në mënyrë të mjerë të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën”, tha Blushi.

Sipas tij, ishte pikërisht Basha ai që i kërkoi Presidentit shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore 2019.

“Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anuluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerëzit dhe se mund të kishte gjakderdhje. Presidenti Meta në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t’i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër”, tha Blushi.

Ai e cilësoi kreun e PD-së “kukull”.

“Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t’i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje. Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ia ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë”, deklaron Blushi.

Eunews.al

Comments are closed.